Bashkim Hoxha: Srebrenica, emocion pa kufi, te çdo njeri gjen një histori tronditëse!

718
Pata fatin që ceremoninë e rivarimit të 136 vetëve ta ndiqja fare pranë ish presidentit të SHBA Bill Klinton. Në përfundim të ceremonisë, e prita kur kaloi pranë meje dhe i thashë: “Zoti presidnet, unë jam nga Shqipëria”. Atij i shndritën sytë këtë çast “Shqipëria është në zemrën time”, tha dhe u afrua më takoi përzemërsisht. “Shqiptarët ju duan dhe ju respektojnë”, i thashë unë. Shtrengoi dorën edhe me zotin Fiqiri Kllari dhe ndërsa largohej ngriti lart gishtin me shenjën ‘OK’ dhe tha: “Albania”.
Zoti Hoxha, ju ishit ndër të vetmit nga personalitetet shqiptare që morët pjesë në ceremoninë e përkujtimit të masakrës së Srebrenicës; në çfarë mënyre shkuat atje?
Lidhja ime me Srebrenicën është mjaft e hershme, që kur shkruaja romanin “Hotel Ballkan”. Në sfond të romanit janë edhe ngjarjet tragjike edhe të këtij vendi martir. Por në përkujtimin e 20 vjetorit të masakrës, unë pata një ftesë nga konsulli i Bosnje – Hercegovinës në Shqipëri z. Fiqiri Kllari, një qytetar i nderuar shqiptar me origjinë boshnjake. Udhëtuam së bashku me gruan e tij, zonjën Emina dhe Arsenin, një student nga komuniteti boshnjak në Shqipëri që studion në Zagreb. Ka qenë një ftesë që unë e prita me shumë dëshirë, edhe pse e dija që udhëtimi për në Srebrenicë do të ishte shumë i ngarkuar emocionalisht si të gjithë udhëtimet në hapsirën e dhimbjes.

A mund të na thoni për disa nga momentet më emocionuese të kësaj ceremonie përkujtimore?
Më i vështiri ishte takimi më nënat e Srebrenicës. Ky grupim është i njohur në botë për kërkesën e vet për drejtësi. Siç e thashë, është një udhëtim në dhimbje. Në çdo hap dëgjoje një histori tragjike. Janë 8436 të vrarë që njihen, por mendohet se shifra është edhe më e madhe. Secili prej tyre ka përjetime tronditëse nga të afërmit që mbetën gjallë. Tragjeditë e bashkuara i japin dhimbjes njerëzore një përmasë epike, e cila të trondit në çdo çast. Srebrenica është nje emocion pa kufi: tek çdo njeri gjen një histori tronditëse. Tek çdo i pranishëm gjen një solidaritet të mahnitshëm. Mund të takosh aty njerëz nga e gjithë bota, qoftë në delegacionet zyrtare, qoftë në marrshimin e paqes që tashmë është bërë traditë. Pjesëmarrësit përshkojnë në këmbë për tre ditë rreth 100 kilometra në itinerarin që përshkuan burrat e lidhur e të tradhëtuar Poroçan-Tuzla. Emocione të veçanta sjellin edhe detajet: ceremonia zyrtare u zhvillua në kapanonin e madh të një uzine baterish, pikërisht në vendin ku mbaheshin të burgosur viktimat e mëvonshme. Nga të gjitha anët dëgjoheshin zhurmat e kohës, tortura, klithma, protestë, dhimbje. Diku në cep është një ekspozitë fotografike me sendet e gjetura në varrezat e përbashkëta. Dhimbja qëndron kudo në hapsirat e Srebrenicës.
Ndërkaq ceremonia u shoqërua edhe me incidente, madje një gur kundër presidentit serb Vuçiç bëri si lajm xhiron e botës, opinioni juaj?
Unë qëllova pak metra larg incidentit. Incidenti ndodhi në përfundim të ceremonisë, kur ceremonia zyrtare e përkujtimit pothuajse kishte përfunduar. Dua të sqaroj që ceremonia zyrtare ku u mbajtën edhe fjalime u krye në kapanonin e të burgosurve. Më pas u vendosnë lule në hyrje të varrezave dhe u bë një kalim i heshtur në një rrethore ku në mermer ishin ghdendur emrat e të gjithë vikitmave. Deri këtu asgjë nuk ndodhi dhe Vuçiç mund ta kishte përfunduar këtu përkujtimin. Më pas të ftuarit kalonin në një rruginë përmes varreve, ku nënat, gratë, burrat qanin pranë gurëve të varreve të afërmit e tyre të vrarë nga serbët që kurrë nuk e njohën fajësinë e krimit. Mua mu duk e çuditëshme pjesëmarrja e Vuçiçit në këtë pjesë të ceremonisë kur varroseshin eshtrat e 136 personave, eshtrat e të cilëve u gjetën pas 20 vjetësh. Kam përshtypjen se Vuçiç e dinte se çfarë e priste. Dy ditë më parë në Beograd nuk u lejua një manifestim i pacifistëve në përkujtim të viktimave të Srebrenicës. Askush nga serbët, as Vuçiç si kryeministër, nuk ka kërkuar falje në emër të popullit të tij, siç bënë edhe në këtë takim hollandezët për braktisjen që ushtarët e forcave ndërkombëtare u bënë viktimave duke i lënë në duar të serbëve. Dy ditë më parë Vuçiç kishte folur vetëm për nje krim monstruoz. Dhe e kishte lënë krimin pa emra kriminelësh. Shumë vite më parë kishte thënë se për një serb të vrarë do të vriten 100 boshnjakë dhe nuk është distancuar asnjë çast nga e gjitha kjo. Unë kam përshtypjen se Vuçiç erdhi aty për të vjedhur edhe ditën e përkujtimit me incidentin ku u godit me shishe plastike dhe plisa nga dheu i varreve të njerëzve të vrarë nga serbët egërsisht. Ai erdhi aty që të flitej për dorën e shtrirë të pajtimit, edhe pse në mënyrë hipokrite, dhe jo për viktimat që ende nuk po gjejnë prehje. Nga njëra anë kemi 8436 viktima dhe nga ana tjetër një gjoja viktimë si Vuçiçi. Më shumë u fol për këtë viktimë të fundit se sa për viktimat që e bëjnë këtë tragjedi më të rëndin genocid pas Luftës së Dytë Botërore. Çfarë priste Vuçiçi kur shihte sytë e nënave të lëna pa bij, apo të grave të lëna pa burra, sepse dora serbe jo vetëm i vrau, por edhe i varrosi e çvarrosi disa herë duke i grumbulluar me ekskavatorë trupat e duke i përplasur në vende që ende nuk janë zbuluar. 
Burime të gazetës bëjnë me dije se ju jeni takuar me shumë personalitete europiane dhe botërore, mes të cilëve edhe me presidentin Klinton; impresionet tuaja nga këto takime?
Po. Pata fatin të takoja mjaft prej tyre, gjatë orës që pritej të fillonte ceremonia zyrtare. Konsulli i Bosnjes në Shqipëri zoti Fiqiri Kllari ishte mjaft familiar me shumë prej tyre dhe të gjithë atë çast ishin në të njejtën gjendje. I bashkonte dhimbja. Pata fatin që ceremoninë e rivarimit të 136 vetëve ta ndiqja fare pranë ish presidentit të SHBA Bill Klinton. Në përfundim të ceremonisë, e prita kur kaloi pranë meje dhe i thashë: “Zoti presidnet, unë jam nga Shqipëria”. Atij i shndërritën sytë këtë çast. “Shqipëria është në zemrën time”, tha dhe u afrua më takoi përzemërsisht. “Shqiptarët ju duan dhe ju respektojnë”, i thashë unë. Shtrengoi dorën edhe me zotin Fiqiri Kllari dhe ndërsa largohej ngriti lart gishtin me shenjën ‘OK’ dhe tha: “Albania”.
Srebrenica pas 20 vjetësh, çfarë kishte ndryshuar në mentalitetin e këtij populli?
Shumë gjëra kanë ndryshuar. Fëmijët e athershëm tashmë janë rritur dhe kërkojnë një jetë të re. Por nuk është shuar dhimbja. Ajo nuk gjen prehje pa ndëshkimin e genocidit dhe pa kërkesën falje për krimet e bëra. Ende shpirtat janë të trazuar.
Srebrenica në filma hollivudianë, europianë dhe libra të shumëllojshëm; a ju ngacmon edhe ju për një krijim të tillë në të ardhmen?
Sigurisht. Prania në ngjarje të tilla, takimi me dhimbjen le gjurmë tek krijuesi. Shpresoj që ndjesia që pata këto ditë të vijë natyrshëm e formëzuar në ndonjë dramë apo roman. Nuk e di.
Sigal