Arben Gjoleka/ Padrejtësitë me pronat në fatura miliona dollarësh

402
Gjatë viteve 1990 dhe 2000, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një sërë ligjesh mbi të drejtën e pronësisë. Referuar përmbajtjes së ligjeve të prodhuara në këto vite, konstatohet se, shteti ka marrë me ligj, detyrimin e njohjes, kthimit apo kompensimit të pronave ndaj të gjitha subjekteve të shpronësuara gjatë regjimit komunist. Nismat ligjore të realizuara kanë synuar një proces administrativ të shpejtë, efikas, metodik uniforme, transparencë, decentralizim, përgjegjshmëri përgjatë procesit dhe proces të rregullt ligjor nëpërmjet garantimit të standardeve të duhura. Ligjet që kanë rregulluar procedurën e kthimit dhe kompensimit kanë synuar gjithashtu, kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme, pra rikthimin e pronës nga ana e shtetit tek pronari legjitim. Paralelisht me procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, janë miratuar ndër vite një sërë ligjesh që kanë në qendër të drejtat e pronësisë. Të tilla janë ligjet për dhënien e tokës bujqësore pa shpërblim në përdorim e pronësi, për privatizimin e apartamenteve të banimit, për privatizimin e tokës truall dhe objekteve shtetërore, për verifikimin e titujve të pronësisë, për zhvillimin e zonave me përparësi turizmi dhe për integrimin e ndërtimeve informale. Referuar historisë legjislative mbi të drejtat e pronësisë, konstatohet se, problematika është komplekse. Ekzistojnë të paktën 16 ligje të veçanta që rregullojnë sektorë të ndryshëm të të drejtave të pronësisë, që krijojnë organe shtetërore për mbikëqyrjen sektoriale dhe që përcaktojnë procedura të veçanta. Këto ligje janë ndryshuar dhe rishikuar vazhdimisht duke ndikuar në krijimin e praktikave jouniforme ekzekutive e gjyqësore të cilat janë pasqyruar në VKM nr. 405, datë 27.06.2012. 
Faturat financiare të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut
Krahas problematikave të evidentuara në VKM e lartpërmendur, sjellim në vëmendje çështje apo situata të cilat janë konstatuar, dhe jo vetëm prej organeve të Administratës Publike, por, edhe prej Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), në një numër vendimesh të dhëna prej saj, me rastin e pranimit të kërkesa-ankesave të individëve kundër shetit shqiptar. GJEDNJ në vendim-marrjet e saj ka konstatuar shkelje të nenit 6 të Konventës dhe protokollit nr.1 lidhur me vonesat në zbatimin e vendimeve administrative apo gjyqësore të formës së prerë që lidhen me të drejtën e pronësisë, si dhe me mungesën e fondeve ose burimeve të tjera për kompensimin e pronave të njohura me akte administrative apo vendime gjyqësore. Shqipëria rast pas rasti është penalizuar nga GJEDNJ përsa i përket çështjeve të pronësisë. Kjo Gjykatë e ka cilësuar ligjishmërinë thelbësore të të drejtave themelore, të cilat janë të pacënueshme si të pabarazvlefshme ndaj ligjshmërisë formale. Prandaj, edhe në rastet e pronarëve nga Shqipëria, që ankoheshin ndaj shtetit të tyre, për moskthim të pronave të veta, apo mos kompensim të atyre të shpronësuara gjatë viteve, Gjykata ka penalizuar shtetin shqiptar në shuma të konsiderueshme. Aktualisht janë 43 raste pranë Gjykatës që kanë objekt të shqyrtimit dhe gjykimit të drejtën e pronës. Objekti i përcaktimit të çështjes nga Gjykata për “Procedurën e gjykimit-pilot” (çështja Manushaqe Puto etj kundër Shqipërisë), është lehtësimi i zgjidhjes më të shpejtë dhe më efektive të një situate jofunksionale që cenon mbrojtjen e të drejtës në fjalë të konventës në rendin juridik kombëtar. Qëllimi i procedurës së gjykimit pilot është nxitja e shtetit të paditur për të zgjidhur një numër të madh çështjesh individuale që lindin nga i njëjti problem strukturor në nivel të brendshëm, duke zbatuar kështu parimin e subsidaritetit që fuqizon sistemin e Konventës. Në shqyrtimin e çështjes së Manushaqe Puto etj kundër Shqipërisë, GJEDNJ ka konstatuar shkeljen e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut për shkak të mosfunksionimit të mekanizmit ekzistues të kthimit dhe kompensimit të pronave të konfiskuar gjatë regjimit komunist. Ky mekanizëm ka rezultuar jo efikas, pasi po zgjat tashmë mbi 20 vjet pa ofruar zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare për subjektet e shpronësuara gjatë regjimit komunist. Gjykata ka konstatuar shkelje të nenit 6/1 të Konventës, nenit 13 të Protokollit Nr.1 të Konventës. Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave mbetet një shqetësim dhe pengesë serioze në këtë proces, duke përbërë një shkelje të të drejtës së pronës, të njohur dhe garantuar në Kushtetutën e RSH dhe KEDNJ. Dështimet e këtij procesi janë bërë objekt i diskutimeve edhe në mekanizmat europianë, të cilët monitorojnë këtë proces. Në një vendim të datës 06.03.2014, Komiteti i Ministrave është shprehur lidhur me dështimin e autoriteteve shqiptare në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore apo administrative për kompensimin e subjekteve respektive, si një nga mënyrat e njohura në ligj për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-subjekteve të shpronësuara. 
Tre objektivat e GJEDNJ
Përpos vendimit të dhënë nga GJEDNJ, Këshilli i Ministrave i RSH, në Vendimin Nr.236, datë 23.04.2014, “Për miratimin e plan veprimit për zbatimin e vendimit pilat të GJEDNJ për të Drejtat e Njeriut “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, ka përcaktuar tre objektiva, të cilat do të mundësojnë reformimin ligjor të veprimtarisë së Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave(AKKP), si dhe atë institucional të saj, si;
1.Reformën ligjore që parashikohet të ndërmerret nga Këshilli i Ministrave, si dhe analiza të ligjit, akteve nënligjore në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronave;
2.Krijimin e një mekanizmi të ri efikas për kompensimin e subjekteve të shpronësuara gjatë regjimit komunist dhe specifikisht sugjerime në lidhje me format e kompensimit, afatet e realizimit dhe me metodologjinë e hartës së vlerës së tokës në Shqipëri;
3.Transformimin e rolit të AKKP-së, në lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave pronarëve të shpronësuar.
Arritja e objektivave do të mund të kryhet mbi bazë të plan veprimi të miratuar nga Këshilli i Ministrave, i cili ka të përcaktuara masat si dhe afatet brenda të cilave organet e përcaktuara duhet të kryejnë përmbushjen e detyrave të ngarkuara sipas vendimit të lartpërmendur. Referuar kuadrit ligjor ekzistues, lidhur me të drejtën e pronës, konstatojmë se, 
– Kufizimi me ligj i së drejtës të kërkimit të njohjes dhe kthimit/kompensimit të pasurisë së paluajtshme pranë AKKP, në një afat të caktuar, siç parashikohet në nenin 17 të Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, të ndryshuar, apo vendosja e afatit për përfundimin e procesit të njohjes së, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme, sikundër parashikuar në nenin 24 të Ligjit në fjalë, nuk vjen në përputhje me parashikimin e Nenit 113/b të Kodit Civil. E drejta e kërkimit të njohjes së pronësisë do të ekzistoj edhe pas përfundimit të veprimtarisë së AKKP-së. Kjo e drejtë si e paparashkrueshme, do të mund të ushtrohet nga ana e subjekteve të shpronësuara, me rastin e përfundimit të veprimtarisë së AKKP-së, në rrugë gjyqësore. Në këtë konteks, në Ligjin.9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompesimin e pronave”, të ndryshuar, nuk duhet të gjej pasqyrim vendosja e afateve për kërkimin e njohjes së pronësisë apo përfundimit të procesit të njohjes së pronësisë. 
– Përcaktimi si titull ekzekutiv i vendimit të dhënë prej Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së sikurse parashikuar në Nenin 16 të Ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, të ndryshuar, nga ngarkimi i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor për ekzekutimin e detyrueshëm të vendimit, sipas të cilit është vendosur për njohjen me të drejtë kthimi në natyrë apo kompensimin e pronës, nuk vjen në përputhje me parashikimin e Nenit 510/a të K.Pr.C., kjo për faktin, se, vendimet e dhëna prej Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së për njohjen me të drejtë kthimi në natyrë apo kompensimin e pronës, nuk përmbajnë detyrim apo palë në konflikt civil për pronën objekt shqyrtimi.
– Mospërmbushja deri më sot e detyrimit për nxjerrjen e ligjit për kompensimin e pasurive të luajtshme, në referim të nenit 5 të Ligjit.nr. 9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, të ndryshuar, është një çështje e cila nuk ka përmbushur detyrimin kushtetues sikurse sanksionuar në Nenin 181, pika 1, e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
– Parashikimi i kryer në Nenin 17/3 të Ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompesimin e pronave”, të ndryshuar, sipas të cilit përcaktohet detyrimi i AKKP të mos trajtojë me vendim kërkesat që mbështeten vetëm në një vendim gjyqësor të vërtetimit të faktit juridik të pronës, nuk vjen në përputhje me parimin e marrjes së vendimeve sikundër parashikuar në Nenin 15 të K.Pr.Administrative. Organi i AKKP nuk mund të refuzojë të shqyrtoj dhe të jap vendime për çështjet që i paraqiten për shqyrtim në kushtet e paraqituar në Nenin 17/3 të Ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompesimin e pronave”, të ndryshuar. Referuar parashikimit të Nenit 46 të K.Pr.A. procedimi administrativ mund të fillojë me nismën e administratës ose me kërkesën e palëve të interesuara dhe se përfundimi i procedimit administrativ mbyllet me marrjen e një vendimi përfundimtar sipas parashikimit të Nenit 99 të këtij Kodi. Në vendimin përfundimtar organi procedues sipas Nenit 100 të K.Pr.A. vendos për të gjitha çështjet e ngritura gjatë zhvillimit të procedimit. (Vijon numrin e ardhshëm)