Bashkia e Durrësit zhvillon ceremoninë solemne në përkujtim të 104 vjetorit të ditës së flamurit në Durrës

197

 

Bashkia e Durrësit ka
organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit
të pavarësisë në Durrës në 26
nëntor 1912. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë prefekti Roland
Xhelilaj, zyrtarë të lartë të Bashkisë së Durrësit, deputetë, veteranë, përfaqësues
të komuniteteve fetare dhe qytetarë të Durrësit. Pas tingujve të himnit
kombëtar flamurin pranë Bashkisë e ka ngritur prefekti i Durrësit Roland
Xhelilaj i cili deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë
atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit: 
“Ju falënderoj të gjithëve që jeni sot në përkujtim të
ngjarjes së madhe të  104 viteve më parë, kur përfaqësuesit e qytetit
të Durrësit vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga
perandoria osmane. Kjo është padyshim ngjarja më e rëndësishme historike e
këtij qyteti në gjithë shekullin e 20-të e në vijim. Ne u kushtojmë nderimin e
merituar atyre veprimtarëve që i përballuan këto detyra historike dhe e
siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë me njerëz të devotshëm, të
kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi. Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot tek
Agostin Sereqi, Sotir Vevecka e Sulejman Kadiu; tek Stefan e Marie Kaculini;
tek të gjithë ata që përgatiten dhe valëviten flamurin kombëtar në qytetin
tonë; për delegatët durrsake Dom Nikolle Kacorri, Abaz Celkupa dhe Mustafa
Basha, që ditë më pas nënshkruan në dokumentin historik të pagëzimit të
pavarësisë. Sot mund të duket se ata burra e ato gra të zonja, që patën
vetëdijen politike dhe guximin vetjak të ngrenë flamurin kombëtar më 26 nëntor
1912 bënë thjesht një manifestim. Por ajo ngritje flamuri nuk ishte një rit
ceremonial¸ajo ishte një ndarje me të kaluarën dhe një këputje zinxhirësh.
Ishte vetëm hapi i parë për t’iu kthyer vetes. Në këtë ditë ne festojmë me
dinjitet, sepse Shqipëria nuk eshte më ajo e fillimshekullit të 20-të ku
shqiptarët ishin populli më i diskriminuar në rajon, populli më i pambrojtur,
populli me më pa aleatë. Ishte populli me trojet e të cilit mund t’u bëheshin
ndere të tjerëve. Shqiptarët sot janë popull që të drejtat e tyre historike po
ia kompenson pikërisht ajo Europë që aq shumë e përfolën. Pozita jonë
gjeopolitike në rajon ka ndryshuar në thelbin e vet duke na bërë të ndihemi të
realizuar;  sot kemi te gjithe arsyet për të festuar duke iu gezuar
faktit që, në këtë ditë të madhe, së bashku me historinë e rritjes së vështirë
të shtetit shqiptar, është rritur dhe vetëdija jonë shtetërore. Rroftë 26
Nëntori, kjo ditë historike  e qytetit tonë dhe gëzuar te gjithëve festën
e madhe të Shpalljes së Pavarësisë!”