Bashkia e Ballshit, e përfshirë na aferat korruptive të ndërtimeve pa leje

141

Të gjitha kateve të para të pallateve u janë bërë shtesa. Autoritetet vendore nuk ndërhyjnë të prishin asnjë objekt 

Qyteti i Ballshit po shkatërrohet përditë e më shumë nga ndërtimet pa leje. Përball këtij fakti që tashmë po kthehet në një shqetësim serioz, sepse po prishet çdo strukturë dhe fasadë, Bashkia e Ballshit ‘mbyll sytë’, pasi sipas qytetarëve mund të jetë vetë e përfshirë në këto afera korruptive. Kjo gjë mund të verifikohet shumë thjesht nga cilido qytetar, por jo vetëm, me një vëzhgim të terrenit.

Situata

Në radhë të parë janë qytetarët ata që përcjellin këtë shqetësim madhor, sepse si kudo në Shqipëri edhe në qytetin e Ballshit ka filluar fenomeni i ndërtimit të shtesave pa leje pothuajse në çdo pallat në katin e parë, me qëllim strehimin e bagëtive nga popullsia rurale që prej pak kohësh ka zbritur në qytet dhe siç duket e ka të pa mundur të ndahet nga jetesa e fshatit, duke e adaptuar atë edhe në mes të qytetit. Të përfshirë në këtë nismë janë jo vetëm banorët që vijnë nga fshatrat përreth, por edhe qytetarë që duke përfituar nga situata politike ndërmarrin veprime të tilla me qëllim zgjerimin e ambienteve të tyre, ku jetojnë. Përpara këtij fenomeni që është shkatërrues për mjedisin, askush nga autoritetet vendore nuk ndërhynë, madje, me konsensusin e Kryetarit të Bashkisë Ballsh dhe të anëtarëve të tjerë të Këshillit Bashkiak, këta barbarë në mes të ditës me diell vijojnë dhe kryejnë ndërtimet e tyre të kundraligjshme. Fenomeni i kasolleve të ndërtuara pa leje duket se ka nisur gjatë fushatës elektorale dhe po vijon me ritme të përshpejtuara edhe aktualisht, paçka se kryeministri i zgjedhur i shqiptareve, Edi Rama ka lançuar nismën ‘Stop Rrënimit kudo në Shqipëri’. Po, ku e gjejnë kurajon këta banor të ardhur nga fshati kryesisht, por edhe nga qyteti, që në mes të ditës me diell të kryejnë ndërtime pa leje dhe shtesa objektesh, duke zaptuar çdo gjë, sikur ta kishin mallin e babait? Duket qartë që përgjigja është e thjesht, sepse patjetër që kanë mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë Ballsh, pasi në rast të kundërt nuk do ta kryenin një vepër kriminale në dëm të ambientit dhe shoqërisë. Ky është momenti për t’i thënë stop kasolleve të ngritura si shtesa projekti pothuajse në çdo pallat të qytetit të Ballshit!

N. Lutaj