Fisi Taka, skraparllinjtë që bënë histori në Konispol

3464
Sigal

Flet pinjolli Agim Taka: Ja një rrëfenjë e pa plotë e këtij fisi, fokusuar tek figura e Osman e Alush Takës

Festa e rezistencës 55 -ditore të Çamërisë, për të mos lejuar depërtimin e pushtuesit gjerman nga Greqia në Shqipëri nëpërmjet Qafë-Botës, ka mbledhur jo vetëm nga komuniteti ccam në krahinë e nëpër Shqipëri, por edhe nga krahinat e tjera. Përshëndetje dhe kujtime e nderime për ata që bënë histori me rezistencën 55 ditore. Këngë e valle nëpër rrepet e Bogazit, sa tingujt çajnë si shpatë e përgjakur ajrin sipër kodrave e fushave, valët e povlës këtej e andej kufirit. Gëzim kudo, me pesë orkestra, por përsëri, kur flitet për “Çështjen Çame”, ndarje për një festë: 24 Gusht festohet tek rrepet e Bogazit, aty ku tradicionalisht është festuar dhe më 30 në qytetin e Konispolit. Po nejse ky është problem i tyre. Ajo që më bëri të shkruaj, është se në fjalimet e mbajtura dhe përshëndetjet u fol për heroizmin, krenarinë që u jep kjo rezistencë, por nuk u zu në gojë fati shumë komandantëve e luftëtarëve trima të kësaj rezistence. Por edhe kjo është puna e tyre, pasi fjalën do ta thotë historia. Tek rri e bisedoj me mikun tim, intelektualin nga Konispoli, Agim Taka, biseda rrjedh në shtratin e sajë e na shpie edhe në katarakte të historisë. Biseda erdhi edhe për “Vallen e Osman Takës”, (pasi nipërit e tij partizanë bënë 25 vite burg, po do flasim më poshtë) e dëgjuara dhe e famshmja këtej e andej kufirit jugor të Shqipërisë. Ai heroizëm dhe krenari njerëzore dhe kombëtare e derdhur artistikisht nga koreografi popull, e papërsëritshme dhe e pa imitueshme. Befas miku im, pinjoll i fisit TAKA të Osmanit të famshëm i përjetësuar në valle, më çuditi me deklarimin pyetës: E di, ti, miku im, se Osman Taka dhe ne, pasardhësit e tij, nuk jemi konispolatë, por nga Skrapari? E kalova si shaka brenda humorit karakteristik të Agimit. Por ai përsëri këmbënguli tek përgjigjja ime. Nga ta di i them, apo mos je bërë gjë me LSI-në dhe na dole skraparlli tani dhe jo vetëm kaq, po na shpërngulke edhe historinë më të famshme të Konispolit dhe mbarë Çamërisë, e si pa gjë të keqe na e çon në Skrapar. Jo, ma kthen, është e vërtetë. Dhe nisi rrëfimin, paksa të shkurtër, por kuptimplotë, por edhe të pandriçuar deri më sot. Dhe nisi një rrëfim të shkurtër.

Rrëfimi

“Në Konispol janë disa fise nga Skrapari. Fise me emër që kanë bërë edhe histori si Taka, Goxha, Husi etj.. Fiset skraparllinj janë ngulur në Konispol, aty nga viti 1740, pasi në Konispol kish rënë një epidemi e rëndë dhe vendi që boshatisur. Të parët e Takajve janë luftëtarë, politikanë e agallarë. Por dy janë më të spikaturit në kohën e para Luftës së Dytë Botërore, Osman Taka dhe Alush Taka. Osman Taka u lind në Konispol në familjen atdhetare e patriote të Sulçe Takës. Që në moshë të re reflektoi edukatën familjare të urrejtjes ndaj pushtuesit dhe padrejtësive të kohës, ku spikatën pjesëmarrja në Kuvendin e Prevezës, kuvend si degë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për jugun shqiptar, i cili u mbajt më 11 Janar1879, dhe Osman Taka mori pjesë si delegat i Konispolit. Ky kuvend kundërshtoi me forcë dhënien e trojeve shqiptare Greqisë. Merr gjithashtu pjesë në kryengritjet e vitit 1847, 1854, 1874 etj.. Osman Taka qe një valltar i pakrahasueshëm, trim që s’e zinte plumbi kollaj. Por veprimtarinë e tij atdhetare nuk do ta falnin pushtuesit turq dhe një ditë e zunë dhe me shpifjet e stisura nga dashakeqësit dhe ziliqarët e kundërshtarët, e dënuan me vdekje, por shpëtoi nga vallja e shkëlqyer që hodhi, si dëshirë e fundit para vdekjes. Por kundërshtarët nuk e pushuan luftën dhe një ditë në pritë, fare pranë portës së fisit tjetër skraparlli, Goxhaj, vritet nga konispolat. Një tjetër trim i fisit Takaj është edhe Alush Taka, i cili kreu veprimtarinë luftarake e atdhetare nga fillim shekulli i 20 deri në vitin 1937, vit kur mbylli sytë në Trieste të Italisë, rrugës së kthimit nga Vjena pas një kurimi që nuk ia shpëtoi vdekjen nga sëmundja e rëndë. Alush Taka kishte çetën e tij dhe bashkëpunonte me çetat e patriotëve të tjerë si Muharemm Rrushiti, Çerçiz Topulli etj., çeta patriotike të kohës. Veprimtaria patriotike e Alush Takës del edhe si politikan. Më 1912 merr pjesë në shpalljen e Pavarësisë si delegat i Çamërisë, komandon çetën e tij në Luftën e Vlorës më 1920, zgjidhet deputet në kohën e Nolit dhe të Zogut dhe vdes si deputet me mandat. Alush Taka, përveç trimërisë, atdhetarizmit, kish edhe bujarinë. Me një pasuri të madhe në toka bujqësore, kullota dhe lopë që furnizonte me mish viçi Korfuzin, nuk harronte të bënte bamirësira. Tregojnë se një herë hyri në kafene, në një nga të tetat që kishte Konispoli në atë kohë dhe vështrimi i tij ndeshi në trupin e kërrusur e të rreckosur të një bashkëfshatari fukara. U ul pranë tij dhe e pyet se pse rrinte i pikëlluar. Pa se tjetri ndodhej ngushtë në përgjigje. I porositi kafe dhe tjetri ju shpreh se i kishte ngordhur kau i parmendës. Alushi nxjerr defterin dhe i jep kartë të vejë në stallat e tij në Vrinë e të marr dy qe. Tjetri hapi sytë nga mosbesimi. Por ta kam një borxh, o aga, si të ta shlyej, jam fukara. Ç’borxh më ke mua, e pyeti Alushi. Drithin që mora për bukë. Alushi nxori përsëri defterët dhe grisi fletën e borxhit. Po tani më ke borxh? Nisu të marrësh qetë. Po kështu Alushi bisedoi gjatë e gjerë në konakët e tij me konsullin italian më 1913 për kufijtë jugor. Shumë e shumë histori të tij trimëroje, politike e bujare tregohen. Pas vdekjes për vite të tëra u la në harresë. Vetëm në vitin 1971 u mundësua që eshtrat e tij të vendosen në varrezat patriotike të Konispolit, këto varreza quhen kështu dy reshta të parë në varrezat publike. Por përveç harresës, sistemi komunist nuk harroi as nipërit e Alushit, djemtë e vëllait dhe nipër të Rexho Plakut, të tre partizanë dhe të tre të dënuar për agjitacion dhe propagandë bënë 54 vjet burg. Njëri prej tyre, Skënder Taka, kish qenë mitralier i rezistencës çame 55 ditore. Por kur dajua i tij, Rexho Plaku, u kthye si delegat nga Kongresi i Përmetit dhe u bë mbledhja për sqarimin e vendimeve, nuk u ftuan përfaqësuesit e pasur. Skënderi nguli këmbë, por ata nuk u lejuan. Pas kësaj, ai braktis partizanllëkun dhe rreshtohet me ballin, po pas çlirimit, komunistat nuk do t’i falnin kollaj… Takaj sot janë fis i madh e me shumë intelektualë të shpërndarë anë e kënd Shqipërisë e në shumë vende të botës. Traditën e të marrurit me politikë, e vazhdon nipi i Alush Takës, djali i vajzës Amos Dojaka…”. Agimi e ndërpreu rrëfimin dhe më pa në sy. Dy sy që ndrinin në shkëlqimin e qelqtë të rrezatimit të krenarisë për të parët e tyre, për të sotmen dhe për origjinën prej nga rrjedhin, pavarësisht asimilimit dhe përshtatjes së jetesës gati katër shekullore. Nuk kisha çfarë t’i thosha krenarisë së tij, vetëm dua të them se pse heshtet për këto figura patriotike e atdhetare