Avioni rus, zyrtarët përjashtojnë terrorizmin

566
Sigal

Zyrtarët rusë thanë sot terrorizmi nuk është një
ndër shkaqet e mundshme të rrëzimit të një avioni ushtarak rus, ku me sa duket
kanë humbur jetën të 92 njerëzit në bord.

“Terrorizmi nuk është aspak në krye të listës
së dyshimeve,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Po sot, ministri rus i transportit Maksim Sokolov
tha se rrëzimi mund të jetë shkaktuar nga gabimi i pilotit ose nga ndonjë
problem teknik.

Edhe pse terrorizmi nuk është renditur si një ndër
shkaqet e mundshme, Komisioni i Posaçëm Hetimor i Rusisë ka nisur një hetim
penal.

Avioni u rrëzua dje në Detin e Zi dy minuta pas
ngritjes nga aeroporti i Soçit në kushte të mira atmosferike.

Mes 84 udhëtarëve ishin dhjetëra anëtarë të
ansamblit me famë botërore Aleksandrov, i njohur ndryshe si Kori i Ushtrisë së
Kuqe.

Zyrtarët thanë se mbetjet e avionit dhe disa trupa u
gjetën afër bregdetit rus. Pjesa më e madhe e avionit është gjetur rreth 1.5
kilometra larg bregut në një thellësi prej 70 metrash.

Avioni Tu-154 u zhduk nga radarët pak minuta pasi u
ngrit nga Soçi rreth orës 5 e 40 sipas kohës lokale. Avioni po fluturonte drejt
një baze ajrore në Siri.

Operacioni i kërkim shpëtimit është duke vazhduar,
ndërsa autoritetet thanë se nuk presin të gjejnë të mbijetuar.