AP, Totozani : Komuniteti rom, probleme të mëdha punësimi. Miratoni ligjin për minoritetet

83

Avokati
i Popullit, Igli Totozani, mori pjesë sot paradite, në konferencën “Integrimi i
romëve dhe rritja e bashkëpunimit midis shteteve në rajon”.

Avokati i Popullit u shpreh mbi situatën shumë të vështirë
të komunitetit romë në vendin tonë, duke theksuar se ata vazhdojnë të mbeten të
përjashtuar socialë dhe të trajtohen si qytetarë të nivelit të dytë. “Është e
patolerueshme që akoma sot ka foshnja rome që pickohen nga gjarpërinjtë, që u
hyjnë në barakat ku flenë, vetëm pak kilometra larg Tiranës”, tha Totozani.

Një vëmendje të veçantë Avokati i Popullit i kushtoi
shqetësimit për mungesën e miratimit të ligjit për minoritetet, që pritet të
luajë një rol themelor jo vetëm për përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në
rrugën e saj drejt integrimit europian, si një ndër prioritetet kyçe, por edhe
do të përmirësojë jetesën sidomos të minoritetit romë dhe egjiptian në
Shqipëri.

“Ligji për minoritetet duhet të ishte në Parlament për
miratim në muajin Tetor, por ende nuk dihet se çfarë po bëhet me të. Ndaj i bëj
thirrje ministrit Bushati të mos e vonoj ligjin, pasi në këtë mënyrë vonon
përmirësimin e jetës së qytetarëve të minoritetit romë, por gjithashtu vonon
edhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë për integrimin europian”, tha
Avokati i Popullit, Igli Totozani në këtë konferencë.

Totozani përmendi edhe problemet më të mëdha me të cilat
komuniteti Romë vazhdon të përballet pa mundur te gjejë zgjidhje si: papunësia,
mungësa e strehimit, mungesa e aksesit në sistemin shëndetësor, në atë të
Drejtësisë, problemet e fëmijëve me tekstet shkollore, braktisja e shkollave.
Atyre u janë djegur shtëpitë, madje dhe janë dëbuar siç ishte rasti i fundit,
tha Totozani, duke kërkuar impenjim serioz dhe real për garantimin e të
drejtave që i takojnë këtij minoriteti me probleme të theksuara sociale.

Ministrja Gjosha: Duhet të integrojmë dhe të mbështetemi tek të
gjitha komunitetet


Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori pjesë në aktivitetin
ndërkombëtar “Integrimi i Komunitetit Rom dhe Forcimi i Bashkëpunimit
midis  Vendeve në Rajon”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin
 Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, Avokati i
Popullit, Igli Totozani dhe përfaqësues të komuniteti rom nga vendi dhe rajoni.

Ministrja Gjosha, gjatë bashkëbisedimit me ta theksoi se ka
një rëndësi madhore që shoqëria shqiptare të integrohet në Bashkimin Europian,
e plotë dhe pa ndasi sociale.

“Ne nuk mund të integrojmë Shqipërinë në BE përgjysmë, nuk
mund ta bëjmë këtë vetëm më reforma të mëdha,  por mund të arrijmë duke u
mbështetur fort tek të gjithë komunitetet që jetojnë në vend si pjesë e
pandashme e shoqërisë”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja bëri me dije se për pak javë pritet publikimi i
raportit për Shqipërinë nga Komisioni Europian, në të cilin është 
nënvizuar dhe më herët  domosdoshmëria e mbështetjes  dhe integrimit
social të komunitetit rom.

“Ky është një prej kushteve kryesore që Shqipëria duhet të
plotësojë në kuadër të përmbushjes së  5 prioriteteve që vendit i janë
lënë për të ecur përpara me procesin e  integrimit”, tha ministrja Gjosha.

Ministrja  u shpreh se gjatë këtyre viteve, 
është bërë jo pak punë për prioritetin nr. 5 që ka të bëjë me të drejtat e
njeriut,  veçanërisht sa i përket edukimit të komunitetit rom,  i
cili mbetet   çelësi  dhe  investimi më i mirë që një shtet
mund të bëjë për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve të këtij komuniteti.

“Kjo, jo vetëm si mbështetje për këtë komunitet, por edhe
si një domosdoshmëri për të përshpejtuar rrugën tonë drejt Bashkimit Europian”,
u shpreh Gjosha.

Ministrja theksoi se pavarësisht të gjitha këtyre masave,
të cilat duhen inkurajuar më tej, mbetet ende për të bërë në mënyrë që
përfshirja sociale e komunitetit rom të jetë në nivelin e kërkuar.

“Do të theksoja se është shumë e rëndësishme që zgjidhjet
në mbështetje të romëve të mos jenë afatshkurtra, por të mirëmenduara. Roli i
shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të tjerë, në këtë aspekt është thelbësor”,
tha ministrja.

Gjatë fjalës së saj Ministrja e Integrimit falenderoi
Bashkimin Europian, për mbështetjen e përhershme që ka dhënë, në zbatimin e
politikave efektive për të përmirësuar kushtet e jetesës të këtij komuniteti.

“Besoj fort, se vullneti dhe angazhimi i kësaj qeverie
është maksimal për të mbështetur komunitetin rom si dhe për të  bërë të
mundur që  fëmijët e këtij komuniteti të rriten njësoj si gjithë të
tjerët, të punësohen si të tjerët, pa asnjë paragjykim”, u shpreh ministrja
Gjosha.