Ambulantët mësyjnë plazhin, ushqimet që tregtojnë po helmojnë pushuesit

834
Sigal

DURRËS/ Flet kreu i DSHP-së, Vasil Ziu: “Të ndalohet shitja jashtë standardeve. Policia Bashkiake dhe AKU të ndërmarrin kontrolle!”

Pjesa më e madhe e ambulantëve në plazhin më të madh të vendit tregtojnë ushqime, që nisin nga kovat me akullore, e deri tek fast-food-et, të cilat të serviren poshtë çadrave. Një situatë kaotike, teksa me qindra njerëz, me kova, biçikleta, tepsi, karroca, e çanta në duar, tregtojnë ushqime, të cilat më së shumti janë të pakontrolluara, jo vetëm nga institucionet e kontrollit ushqimor, por nga askush! Pjesa më e madhe e këtyre produkteve ushqimore, prodhohen nëpër shtëpitë e banorëve të zonës së plazhit dhe më pas fëmijët i tregtojnë në plazh për pushuesit që qëndrojnë poshtë hijeve të çadrave. Jo vetëm AKU, por edhe Policia Bashkiake e Durrësit nuk ndërhyjnë ndaj këtij fenomeni.

Situata

Janë me qindra ndoshta edhe më shumë njerëz, të cilët tregtojnë prodhime ushqimore, të pakontrolluara në plazhin e Durrësit, të cilat jo në pak raste janë edhe jashtë standardeve për konsum. Kjo sepse ushqimet serviren disa orë pasi janë prodhuar, nën temperatura që shkojnë 40 gradë celsius. Këta njerëz kanë gjetur një mënyrë mbijetese punësimi, por skandali qëndron në faktin se mungon tërësisht kontrolli nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit. Ushqimet që konsumohen dalin në treg dhe jo në pak raste janë kthyer në rrezik për konsumatorin si pasojë e helmimeve të ndryshme. Kjo është situata reale në plazhin e Durrësit, ku nuk vërehet asnjë inspektor apo strukturë tjetër lokale që të kontrollojë ushqimet që shiten plazhit, apo rrugëve. Këtu është problemi i institucioneve vendore dhe shëndetësore, i AKU që këta ambulantë nuk janë pajisur me leje dhe akt- miratimi higjieno- sanitar, libreza shëndetësore. Ata nuk duhen lejuar të veprojnë si të tillë pasi paraqesin rrezikshmëri në mënyrë permanente.

Reagimi

Në një prononcim për “Telegraf”, kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Durrës, Vasil Ziu deklaroi se, me krijimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, kontrolli i subjekteve, por edhe i ambulantëve është detyrë parësore e tij, por edhe e Policisë Bashkiake. “Nëse deri vitin e shkuar inspektorët e higjienës detyroheshin të kontrollonin çdo subjekt dhe çdo ambulant që tregtonte ushqime në plazh, këtë vit kompetencat janë të inspektorëve të AKU. Ne kemi si detyrë të kontrollojmë ujin e pijshëm, ujin e detit ndërsa ushqimet nuk janë më kompetencë e kësaj drejtorie”, tha Ziu. “Tregtarët ambulantë janë ata që ndikojnë më tepër për përhapjen e çrregullimeve pastro-intensinale, por helmimet ushqimore janë më në masë edhe në restorante”, pohoi një mjek i spitalit të Durrësit.

4- fishohet numri i pacientëve në Spitalin e Durrësit

Fluks pacientësh në urgjencën e Spitalit të Durrësit. Shkak i 4-fishimit të urgjencave janë rritja e temperaturave dhe intoksikimi nga ushqimet e pakontrolluara. Më të prekur rezultojnë pushuesit në plazh, si fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna për shkak të imunitetit më të dobët. Vetëm në urgjencën e Spitalit të Durrësit, brenda 24 orëve ka patur 250 deri në 300 persona që kërkojnë ndihmë,  ku vendin e parë e zënë personat me helmim ushqimi, të cilëve u bëhet lavazh stomaku, serume dhe në raste komplikative shtrohen në spital. Më pas ndihma kërkohet nga personat me trauma, tromboza dhe aksidente, të cilët zënë vend në këto raste. Shefi i urgjencës në Durrës, Agim Zogu pohon për gazetën “Telegraf”, se këtë vit vihet re një numër disi më i lartë pacientësh me intoksikacione nga ushqimet. Të ndodhur përball stinës së nxehtë mjekët japin këshilla të jenë sa më të kujdesshëm me konsumimin e produkteve të kontrolluara ushqimore.

Shenjat

“Mund të them se çdo vit në këtë stinë ka fluks pacientësh të helmuar nga ushqimit. Sa i takon shenjave të një helmimi ushqimor apo një infeksion i traktit tretës janë të përziera dhe të vjella me përmbajtje kryesisht ushqimore, diarre, dalje me përmbajtje të ujshme që mund të jetë e disa tipave me dalje shumë të shpeshta, mukozë gjaku, dhimbje barku e karaktereve të ndryshme, temperaturë dhe forma më e rëndë që lidhet me humbjen e lëngjeve dhe kripërave siç janë tharja e mukozave, gjuhës, ulje e sasisë së urinimit, rënie e tensionit arterial, dobësi muskulore dhe këputje”, tha Zogu.