Përkujtohet 69- vjetori i Kryengritjes Popullore të 3000 matjanëve kundër italianëve

1231
Sigal

Mati në festë

 Mati është një ndër qytetet me histori, por mbi të gjitha një qytet që di ta respektojë historinë e tij përtej politikave. Qindra banorë të këtij qyteti  janë joshur me festimet e kryera nga Bashkia Burrel në kuadër të 69 vjetorit të Kryengritjes Popullore të Matjanëve kundër garnizonit fashist italian në Burrel. Të pranishëm në festimet e zhvilluara ishin deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi e Bedri Hoxha, kryetarja e Bashkisë Burrel, Adelina Farriçi, veteranë të LANÇ-it, drejtues të organeve të qeverisjes vendore, intelektualë si dhe banorë të Burrelit dhe komunave të rrethit Matit. Banda e Ministrisë së Mbrojtjes ekzekutoi pjesë nga oborri i Bashkisë Burrel, në qendër të qytetit dhe më pastaj para Muzeut Historik të Rrethit Mat. Kryetarja e Bashkisë, Adelina Farriçi uroi pjesëmarrësit për festën e 31 korrikut dhe më pastaj ia dha fjalën kryetarit të organizatës së veteranëve të LANÇ-it, Rrahman Beshku, i cili foli gjatë rreth kontributit të matjanë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Më pas autoritetet vendosën kurore dhe lule pranë lapidarit kushtuar kryengritjes popullore të matjanëve.

Kryengritja mbarëpopullore e Matit

Kryengritja mbarëpopullore e Matit ka hyrë në historinë e LANÇ-it të kësaj krahine si një nga ngjarjet më të rëndësishme. Si vend më i përshtatshëm dhe nga ana e sigurisë, u caktua fshati Bruç. Me datë 26 korrik sipas vendimit të marrë, u mblodh në Bruç kuvendi, që ka hyrë në histori si “Kuvendi i Bruçit”. Në kuvend morën pjesë: Nga ana e çetave partizane vullnetare; Mustafa Kaçaçi, Sali Llani (dhe si përfaqësues i parisë) dhe Beqir Minxhozi; nga pala tjetër morën pjesë Sul Kurti, Bilal Kola, Ndrec Lufi, Isuf Çela, Haziz Kasemi, Frok Gjeta, Xhemal Lleshi, Din Ahmeti, Rustem Pozhuku, Ismail Lala, Ram Tusha dhe Mahmut Lezi.

Zhvillimi i kryengritjes

Në mbrëmjen e 31 Korrikut rreth 3000 partizanë e vullnetarë filluan sulmin në të gjitha objektet e caktuara. Në fillim u çlirua qyteti i Burrelit pa asnjë rezistencë nga forcat e xhandarmarisë e milicisë, u hap burgu i Burrelit, u liruan dhe u dërguan në vendbanimet e tyre të gjithë të burgosurit, rreth 200 vetë. Milicët dhe xhandarët, një pjesë u bashkuan me kryengritësit, pjesa tjetër shkuan nëpër shtëpitë e tyre. Nëpunësit qeveritarë, duke filluar nga N/prefekti, kryetari i bashkisë e të tjerë ishin larguar nga qyteti më parë. Pas çlirimit të qytetit të Burrelit sulmi filloi mbi garnizonet. U luftua gjithë natën e 31 Korrikut dhe në mëngjesin e 1 Gushtit. Forcave fashiste organizuan zjarr të fuqishëm nga fortifikimet betonarme. Në ndihmë u erdhi dhe aviacioni luftarak nga Tirana, i cili filloi të mitralonte dhe të bombardonte pozicionet e forcave kryengritëse si dhe kolona fshatarësh që vinin në Burrel për t’u sjellë ushqime forcave kryengritëse. Në këto kushte, forcat kryengritëse u detyruan të tërhiqeshin në pozicione më në thellësi e më të maskuara. Kjo gjendje vazhdoi deri më 4 gusht.

Çfarë tregoi kryengritja

Kryengritja tregoi atdhedashurinë e flaktë, shpirtin liridashës dhe frymën e lartë luftarake të matjanëve që shpërtheu në mënyrë masive e në formë të re gjatë gjithë kryengritjes. Kryengritja mbarë popullore e 31 korrikut 1943 shënoi kulmin e kësaj lufte në Mat. Ajo u përgatit e u zhvillua sipas platformës të Konferencës historike të Pezës: “Bashkim pa dallim ideje, krahine e feje”.