“Krye-timonieri” dhe fabula e Dritëro Agollit me titull: “Kali dhe Gomari”

2307
Nuk thonë kot që oreksi vjen duke ngrenë dhe i babëzituri që punon me “bark” e jo me mendje, vërsulet të përlajë gjithçka! Këtë neps e oreks të shfrenuar, kreu i “Rilindjes” po e justifikon duke thënë se në këto 4 vite është penguar në mbajtjen e premtimeve dhe se ka dështuar në ekonomi e në luftën kundër korrupsionit, mbasi nuk e ka pasur “timonin vetëm”! Mirëpo ka qenë në krye të karvanit dhe sipas logjikës, shpejtësia dhe siguria në rrugë varet nga ai që është në krye të karvanit e mban ritmin e ecjes dhe që zgjedh rrugën që duhet! Këtë logjik karvanesh e timoni, “krye-rilindësit” ia shpjegoi një fshatar në Ersekë, i cili, i tha: Po na kërkon që ta japim timonin vetëm ty, se të kanë penguar e do të pengojnë përsëri, ata që ke pasur në timon e në prehër! Po në krye të karvanit ke qenë ti, ai që e ke hequr rrugën para, prandaj po pate dëshirë, dëgjoje pak atë fabulën e Dritëro Agollit, me titull: “Kali dhe gomari”, që flet për “kreun e karvanit”, ose për “krye-timonierin”, siç po vetëquhesh në këtë fushatë!
KALI DHE GOMARI
Kalonin në një shteg të ngushtë mali,
gomari para, pas gomarit kali.
Të dy ngarkuar me thasë mirë,
nga vapa të munduar e djersirë.
Fshatari donte shpejt në fshat të arrinte,
ndaj kalit vitheve me shkop i binte.
Por kali më në fund durimin humbi,
e ngriti bishtin dhe samarin tundi.
Hej, mbaj dorën se pastaj ta hedh përdhe samarin,
ti para meje pse ma nxjerr gomarin?
E nga të vete s’di fare unë i ngrati,
kur rrugën ma ka zënë veshgjati.
Përpara nxirrmë mua, të mos vuash,
dhe rrih pastaj gomarin sa të duash
Kështu e ka kjo botë e mjerë, e marrë,
Përpara nxjerrin veç gomarë.
Shpjegimi i Dritëroit
Ju doni të dini mendimin tim për politikën e ditës, për ngjarjet, por mendoj se ka të tjerë që i dinë më mirë ato. Unë jam tërhequr tani. Por, mund të merrni e të botoni fabulën “Kali dhe gomari”. Unë atë e kam shkruar në vitin 1984 në vëllimin “Udhëtoj i menduar”. Por nuk e kam thënë unë atë. E gjeta në tregimet e popullit dhe e bëra poezi. Ai që ka mend e kupton vetë nëntekstin e fabulës. 
Sigal