Gazeta Telegraf/
Dje, Ambasada e Turqisë në Tiranë, organizoi një ceremoni
me rastin e 93 vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë, ku merrnin pjesë
kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, zoti Ilir Meta, deputetë, ministra,
përfaqësues të medies, të besimeve fetare, personalitete të artit, kulturës e
shkencës, të botës së biznesit të dy vendeve dhe përfaqësues të shërbimeve
diplomatike në Tiranë. Ceremonia u hap nga ambasadori turk në Shqipëri, zoti
Hidayet Bayraktar, i cili tha se Turqia edhe pse është një nga republikat më të
reja në Evropë, ka marrë pjesë si anëtare themeluese në organizata që u japin
përparësi parimeve demokratike, siç janë Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës,
Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian. Ndërkaq, duke mbajtur
lidhje të forta evropiane dhe transatlantike, Turqia u bë anëtare e NATO-s duke
ruajtur lidhjet evropiane dhe transatlantike dhe ka filluar negociatat me
Bashkimin Evropian si vend kandidat për në këtë Bashkim”. Duke u ndalur në
marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë, që pas rënies së regjimit komunist
në Shqipëri, në fillim të viteve 90, ambasadori theksoi se, “u rigjallëruan në çdo fushë dhe para së
gjithash ato politike dhe ekonomike, janë zhvilluar duke u thelluar më tej.
Gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet politike kanë arritur një nivel të përsosur
nëpërmjet vizitave të nivelit të lartë dhe marrëdhëniet ekonomike kanë pasur
një rritje të konsiderueshme. Vitin e kaluar vëllimi tregtar midis të dy
vendeve ka arritur në 430 milionë euro dhe investimet e drejtpërdrejta turke në
Shqipëri janë 2,3 miliardë euro. Shifrat tregojnë, se Turqia është një ndër
partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë”, nënvizoi Bayraktar. “Bashkëpunimi
ynë i ngushtë me Shqipërinë, aleate në NATO, theksoi më tej ai, vazhdon edhe
për çështje të tilla; si terrorizmi ndërkombëtar, lufta kundër trafikut të
narkotikëve dhe fenomeni i emigracionit, të cilat po dalin në pah në rendin e
ditës në botën e sotme”.