Ambasada: Si të veproni kur ju refuzohet viza dhe këshillat për lotarinë

1413
Zyra konsullore amerikane në Tiranë sqaron kriteret për udhëtimet turistike, mënyrën e veprimit dhe hapat që ndiqen kur dështoni në intervistë
Ambasada amerikane në Tiranë shpjegoi kriteret që duhen plotësuar për marrjen e një vize turistike dhe çfarë ndodh në rast të dështimit gjatë intervistës dhe refuzimit. “Nëse besoni se keni informacione të reja për t’u dhënë zyrtarëve që do t’ju ndihmojnë t’i tregoni lidhjet tuaja me Shqipërinë, atëherë gjithmonë mund të aplikoni përsëri. Nganjëherë është e vështirë për aplikantët të kapërcejnë supozimin e qëllimit të emigrantëve. Ligji aktual i emigracionit në SHBA vendos një barrierë të lartë për të gjithë aplikantët e vizave. Si zyrtarë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe si oficerë konsullorë, autoriteti ynë vendimmarrës mbi vizat – si për lëshimet, edhe për refuzimet – është tërësisht i lidhur me ligjin e Shteteve të Bashkuara mbi imigracionin, më saktësisht Akti i Imigracionit dhe Nënshtetësisë”, shprehet zyra konsullore për rastet e refuzimit. Sipas Aktit të Imigracionit dhe Nënshtetësisë (AIN), zyra konsullore deklaroi se duhet të konsiderohet çdo aplikant vizash jo-imigruese si një person që synon imigracionin në Shtetet e Bashkuara, pra si një imigrant të mundshëm, përveç rastit kur ata provojnë që nuk janë të tillë. “Kudo që t’ju çojë viza juaj turistike, sigurohuni që të ktheheni në Shqipëri në fund të udhëtimit tuaj”, u shpreh ambasada. Gjithashtu, zyra konsullore sqaroi edhe hapat që duhen ndjekur në rast të fitimit të Lotarisë Amerikane.
1 – Unë kam marrë një vizë joemigruese. Doja të dija për të hyrë në SHBA duhet të shkoj direkt pas marrjes së pasaportës apo mund ta vendos vetë se kur? Dhe a mund të nisem nga Greqia, pasi unë jetoj atje?
Zyra konsullore: “Normalisht do të preferohej të shkonit në datat që keni deklaruar në aplikim. Ju mund të niseni nga kudo që ju dëshironi, pra edhe nga Greqia”.

2 – Kur ke aplikuar një herë dhe të refuzohet viza turistike, për sa kohë mund të aplikosh përsëri, apo sa herë të duash? Kam dëgjuar që nga aplikimi parë duhet të kalojnë 6 muaj që të bësh të dytin!
Zyra konsullore: “Faleminderit që na shkruat dhe tregove historinë tënde. Është me të vërtetë e dobishme për të dëgjojmë për përvojën tuaj sepse jemi gjithmonë duke u përpjekur të mësojmë më shumë për shqiptarët që po aplikojnë për viza për të shkuar në Shtetet e Bashkuara. Nëse besoni se keni informacione të reja për t’u dhënë zyrtarëve që do t’ju ndihmojnë t’i tregoni lidhjet tuaja me Shqipërinë, atëherë gjithmonë mund të aplikoni përsëri. Nganjëherë është e vështirë për aplikantët të kapërcejnë supozimin e qëllimit të emigrantëve. Ligji aktual i emigracionit në SHBA vendos një barrierë të lartë për të gjithë aplikantët e vizave. Si zyrtarë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe si oficerë konsullorë, autoriteti ynë vendimmarrës mbi vizat – si për lëshimet, edhe për refuzimet – është tërësisht i lidhur me ligjin e Shteteve të Bashkuara mbi imigracionin, më saktësisht Akti i Imigracionit dhe Nënshtetësisë. Sipas Aktit të Imigracionit dhe Nënshtetësisë (AIN), neve na duhet të konsiderojmë çdo aplikant vizash jo-imigruese si një person që synon imigracionin në Shtetet e Bashkuara, pra si një imigrant të mundshëm, përveç rastit kur ata provojnë që nuk janë të tillë. Kjo është një pengesë ligjore e domosdoshme, tepër strikte, që duhet tejkaluar. Neve na duhet të shqyrtojmë çdo çështje për vizë individualisht. E thënë ndryshe, çdo person duhet të dëshmojë që ai ose ajo i plotëson kërkesat për kualifikim për për kategorinë e vizës dhe të ketë lidhje të forta me një rezidencë jashtë Shteteve të Bashkuara. Për shkak se secili person ka rrethanat e tij unike, ne nuk vijmë dot në të njëjtin konkluzion për çdo individ. Këshilla në përgjithësi për aplikantët (në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri), të cilët janë refuzuar nën Seksionin 212b të AIN, është që të kuptojnë se refuzimi nuk është një paragjykim, apo kritikë, ndaj jush personalisht. Oficeri konsullor nuk po paragjykon zgjedhjen tuaj në jetë apo situatën tuaj jashtë Shteteve të Bashkuara. Ata thjesht po bëjnë një vlerësim të lidhjeve tuaja jashtë Shteteve të Bashkuara, si dhe nëse ju i përmbushni ose jo kriteret për kualifikim të përcaktuara tek AIN, të cilat janë shumë strikte. Dhe, mbani mend që refuzimet në Seksionin 214b të AIN nuk janë të përhershme. Lidhjet tuaja jashtë Shteteve të Bashkuara, si dhe kriteret e tjera për kualifikim për vizat jo-imigruese ndryshojnë përgjatë kohës, pasi edhe vetë jetët tona evoluojnë. Sigurisht, kjo lyp edhe pyetjen: “Kur mund të riaplikoj unë?” nëse dhe kur të aplikoni është tërësisht në zgjedhjen tuaj, por është e dobishme të mbani mend që nëse juve ju është refuzuar viza bazuar në lidhje jo të forta jashtë Shteteve të Bashkuara, do ishte më e udhës që të prisni derisa situata juaj të ndryshojë përpara se të aplikoni përsëri për vizë, ose t’i evidentoni sa më qartë këto lidhje dhe fakte tek formulari juaj i aplikimit DS-160. Shpresoj që kjo t’ju ndihmojë duke hedhur pak më shumë dritë mbi refuzimet 214b, në përgjithësi, dhe se si oficerëve konsullorë u kërkohet që të shqyrtojnë çështjet për vizë. Nëse akoma po kërkoni për më tepër informacion dhe udhëzim, do doja t’ju referoja tek faqja jonë e internetit: https://travel.state.gov/…/visa…/visa-denials.html”.

3 – Motrës sime i ka dalë Lotaria Amerikane. A ka shanse që të mos i vijë data për intervistë, sepse numrin e ka shumë të lartë?
Zyra konsullore: “Ne nuk mund të parashikojmë ecurinë e numrave, pasi kjo ecuri përcaktohet nga Departamenti i Shtetit. Ju duhet të ndiqni Buletinin e vizave për të parë se kur numri juaj bëhet gati për shqyrtim. Buletini i vizave ndryshon çdo muaj dhe e gjeni këtu: https://travel.state.gov/…/visa-law0/visa-bulletin.html. Programi i DV-2018 mbyllet më 30 Shtator 2018. Rregullorja e Lotarisë citon që në momentin kur janë lëshuar 50,000 numra vizash lotarie, programi i lotarisë mbyllet dhe nuk mund të lëshohen më viza të tjera për atë vit. Kjo do të thotë që programi mund të mbyllet edhe përpara 30 shtatorit, nëse janë lëshuar të gjithë numrat e mundshëm (50,000)”.

4 – Kam burrin në Amerikë dhe e kam me GREEN CARD. Kemi plotësuar letrat për bashkim familjar. Sa zgjat koha e procedurave për marrjen e dokumenteve?
Zyra konsullore: “Kategoria juaj është F2A – bashkëshort/e i Banorit të Përhershëm të Ligjshëm, ose bir/bijë nën 21 vjeç i pamartuar i Banorit të Përhershëm të Ligjshëm, dhe për muajin prill 2018 janë aktuale çështjet/peticionet e dorëzuara tek USCIS përpara datës 1 maj 2016. Data që peticioneri në SHBA ka dorëzuar peticionin tek USCIS quhet data juaj prioritare. Ju duhet të ndiqni buletinin e vizave mbi ndryshimin e datave aktuale për kategorinë tuaj. Lexoni mbi vizat që përfitohen nga familja: https://al.usembassy.gov/…/family-based-immigration-sq/. Buletini i vizave ndryshon çdo muaj dhe e gjeni këtu: https://travel.state.gov/…/en/law-and-policy/bulletin.html. Shikoni datën në kolonën “All Chargeability Areas Except Those Listed” për kategorinë e vizës suaj. Të gjitha peticionet e dorëzuara përpara asaj date janë aktuale për t’u shqyrtuar. Qendra Kombëtare e Vizave (NVC) fillon procedurën e mbledhjes së dokumentacionit të nevojshëm disa muaj përpara se cështja juaj të jetë aktuale, në mënyrë që ju të mos humbisni kohë me këtë procedurë dhe çështja juaj të jetë gati sapo ajo të jetë aktuale. Mbi përgatitjen për intervistë: https://travel.state.gov/…/iv-dv…/TIA_Tirana.pdf”.

5 – Do të doja të vizitoja miqtë e mi që ndodhen në Amerikë këtë verë, por nuk e di a kualifikohem për vizë turistike. Unë për momentin vazhdoj studimet këtu në Tiranë dhe prindërit e mi gjithashtu jetojnë këtu. Pra unë kam arsye për t’u kthyer në atdhe, a mjafton kjo për ta përfituar vizën turistike?
Zyra konsullore: “Vetëm oficeri konsullor që ju merr në intervistë pasi të ketë shqyrtuar çështjen tuaj dhe t’ju ketë intervistuar, ai do të marrë vendimin nëse gjendeni ose jo i kualifikueshëm. Gjithsesi, mbani parasysh që secili aplikant i vizës turistike duhet të tejkalojë prezumimin e qëllimit imigrues të aplikantit https://travel.state.gov/…/visa…/visa-denials.html pra që të dëshmojë që nuk është një imigrant i mundshëm, dhe që ka lidhje të forta ekonomike e familjare me Shqipërinë dhe që do të kthehet në Shqipëri pas një qëndrimi të shkurtër në SHBA. Kini parasysh që nëse ju dëshironi të aplikoni ju mund ta bëni atë duke ndjekur hapat këtu: https://al.usembassy.gov/sq/visas-sq/. Për vizë vizitori B1/B2 ju duhet të paraqisni vetëm pasaportën tuaj, një kopje të printuar të fletës së konfirmimit të aplikimit elektronik DS-160 dhe një foto me ngjyra 5cm X 5cm të nxjerrë kohët e fundit, e cila duhet të përmbushë të gjitha kërkesat”. 
Sigal