Drejtori degës së ALUIZNI-t qarkut Elbasan, Maringlen Disha duke folur për “Telegraf” ka deklaruar se “pas një angazhimi maksimal të stafit dhe timin personal, mendoj se kemi arritur të shpejtojmë ritmin e punës, të arrijmë objektivat dhe më kryesorja të largojmë nga zyrat tona gjobaxhinjtë, që mbanin në zyra qindra e qindra dosje hallexhinjsh dhe u premtonin atyre lejet e legalizimeve kundrejt parave”. Drejtori Disha tha se “qarku i Elbasanit mbetet i mbushur me problematika, të cilat premtoi se do të marrin zgjidhje ligjore duke mos u krijuar asnjë vonesë të qëllimshme qytetarëve, ndërkohë duke u ndalur në disa statistika deklaroj se, pas 530 lejeve që ne ndamë për Elbasanin-qytet kemi gati edhe 1800 dosje të tjera. Qarku ynë gjithsej ka mbi 45 mijë aplikime, të cilave jemi duke u dhënë zgjidhje, duke përpunuar në terren dosjet e tyre”. Dega e ALUIZNI-t Elbasan mbetet ndër të vetmet ndoshta që ka arritur që në 5 qytetet e saj të mbyllë çdo muaj qindra dosje të mbartura dhe t’u japë lejen e legalizimeve qytetarëve që kishin mbi 12 vjet që prisnin dhe mbaheshin me premtime boshe. Sipas drejtorit Disha “unë u bëj thirrje qytetarëve të shmangin sekserët, të shmangin takimet me personat që rrinë jashtë institucionit tonë dhe marrin përsipër t’u mbarojnë atyre problemin, duke i ftuar ata të vijnë dhe të marrin kontakte me ne, me specialistët e degës ALUIZNI-t dhe me asnjë tjetër.
“Stinë” legalizimesh në Prrenjas, Belshm Gramsh dhe Peqin
Aktualisht kemi gati për Prrenjasin 250 leje legalizimesh të cilat i ndamë ditën e premte, kemi gati për Belshin me 180 leje legalizimesh, kemi gati 230 leje për Gramshin, 200 leje për Peqini dhe jemi të gjithë të angazhuar që të mbyllim dosjet e ‘harruara’ dhe të mbartura të viteve të shkuara”. Duke u ndalur tek masat ligjore ndaj sekserëve dhe ndonjë zyrtari të lidhur me aferat e korrupsionit drejtori Disha tha se “kemi larguar pothuajse të gjithë ata që janë denoncuar dhe akuzuar nga qytetarët, kemi denoncuar në organin e akuzës ish-zyrtarët tanë që e kishin kthyer zyrën në arkiv për të mbajtur dhe fshehur dosjet e hallexhinjve, duke u bërë presion atyre me forma dhe metoda të ndryshme për tu marrë para, rastet e tilla unë i kam nisur drejt Prokurorisë, le të merren organet ligjore dhe drejtësia me ata”.
Problematika e legalizimeve
Qarku i Elbasanit prej 24 vitesh gjendet nën furinë e ndërtimeve pa leje, të cilat kanë mbushur lagjet, rrugët, rrugicat dhe fshatrat duke krijuar situata serioze. Objekte pa leje ka patur dhe janë identifikuar edhe në zona të tilla si stacione treni, zona arkeologjike, apo edhe zona të cilat janë aktualisht të përjashtuara nga ndërtimet, duke u humbur shansin atyre të legalizohen. Ndaj tyre, si dhe ndaj objekteve të ngritura pas afatit ligjor të përcaktuar nga Këshilli Ministrave për legalizim, do të përdoren fadromat. Drejtori Disha tha se “dega e ALUIZNI-t Elbasan është e gatshme dhe e vetëdijshme se do të përballojë gjithë volumin e madh të dosjeve të mbartura, dhe do të mbyllë brënda afateve ligjore të gjitha ato dosje që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara, për të qenë korrekt me qytetarin taksapagues, që pret shërbime cilësore nga ne”.