“Albvision” fut në Kosovë automatet e Bitcoin, tenton edhe Shqipërinë, ja reagimet e BSH dhe Bankës së Kosovës

Kompania me seli në Kosovë, Albvision, me aktivitet në sektorët e sistemeve të informacionit, ka njoftuar zyrtarisht se ka sjellë në Kosovë, ATM-në e parë të saj të monedhës virtuale Bitcoin, me premtimin se Tirana dhe Shkupi do të jenë dy destinacionet e radhës të furnizimit me ATM të këmbimit të parasë virtuale.

“E ndërsa në Prishtinë dhe Tiranë, institucionet qeveritare si Doganat e Kosovës, apo Banka e Shqipërisë dalin me deklarata edukative, duke bërë apel për maturi në përdorimin e monedhave kriptografike, si gjithmonë sektori i biznesit është aktori proaktiv i cili bën hapin e pare” ka pohuar kompania në njoftimin zyrtar. “Kjo ATM pritet të ofrojë disa prej monedhave virtuale më të përdorura si Ether, Dash, Bitcoin, Doge dhe LiteCoin. Kosova i bashkohet listës së 57 shteteve të botës të cilat operojnë një ATM të monedhave virtuale”, thotë njoftimi.

E kontaktuar nga Monitor, Banka e Shqipërisë, që së fundmi ka dalë me deklaratë, ku i paralajmëron qytetarët që monedha bitcoin është ilegale në Shqipëri dhe investimi në të nuk ka asnjë garanci, tha se ajo sapo ka pohuar se nuk ka kompani të licencuara për këtë qëllim. Kjo automatikisht përjashton që ka një ATM në këtë fazë.

Banka e Shqipërisë tha se i qëndron deklaratës së mëparshme, ku ajo theksonte se “nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale. Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë. Si pasojë, në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë”.

Edhe burime zyrtare nga Banka Qendrore e Kosovës, të kontaktuara nga Monitor, thanë se monedha e vetme zyrtare deri më tani në Kosovë është euro. Sipas Besnik Kadës, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës, nuk ka një instrument ligjor që e rregullon përdorimin e parave virtuale. “Ato nuk janë të rregulluara ligjërisht si valuta apo instrumente të pagesave”, ka pohuar ai.

Albvision Ltd thotë se “ATM vjen në një kohë kur interesi për monedhat virtuale është rritur ndjeshëm në Shqipëri dhe Kosovë. 800 mijë Euro janë shpenzuar për blerjen e pajisjeve që prodhojnë këto monedha në Kosovë shpreheshin dy javë më parë institucionet doganore. ATM-ja, ku qytetarët e Kosovës mund të blejnë dhe shesin Bitcoin, do të vendoset në qendër të Prishtinës. Transaksionet e para do të kryhen vetëm në Bitcoin ndërsa në të ardhmen edhe në 10 monedha të tjera virtuale”.

Albvision, sipas burimeve të saj, është themeluar në 2000 në Kosovë dhe ushtron aktivitetin e saj në sektorët e sistemeve të informacionit dhe sigurisë, bankarë, postarë, energjitik, telekomunikacionit, komunikimit me mbi 10 vite eksperiencë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Por, nga një kërkim në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania nuk rezulton e regjistruar në Tiranë.

Ndërkohë, Bitcoin.com, faqja zyrtare e monedhës virtuale bitcoin, ka pohuar se në Shqipëri ka disa tregtues të localbitcoin, megjithëse ajo pranon që ende ka një pjesë tregu shumë të vogël në këtë vend.