Akademiku Artan Fuga: Deputetët që tërheqin zvarrë Besa Shahinin, Ruçin dhe Kryemnisitrin por jo mua. Ja skandali me Akademinë e Shkencave

606
Sigal

Akademik Artan Fuga

I drejtohem opinionit publik të vendit dhe veçanërisht komunitetit të kërkuesve shkencore dhe profesoratit të universiteteve të Shqipërisë, studenteve dhe të gjithë intelektualëve për një ngjarje që e konsideroj të turpshme, fatkeqe dhe me pasoja të rënda për vendin, ku janë përfshirë një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë.

Në mënyrë krejt arbitrare ata kanë marrë në ministrinë e Arsimit një dokument të përgatitur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që është në gjendje katastrofike, e rrënuar prej vitesh, e përfshirë nga parazitizmi dhe harxhimi pa kritere e parave publike dhe, duke e paraqitur atë si iniciativë të tyre ligjore, fshehurazi grupeve të interesit dhe komunitetit shkencor të vendit, e kanë depozituar si projektligj në Kuvendin e Shqipërisë.

Ky akt i turpshëm që është pikërisht ai i përjetësimi të stagnacionit në Akademinë e Shkencave serviret gjoja si iniciativë ligjore e këtij grupi deputetesh, të cilët nuk janë konsultuar me asnjë grup interesi, nuk kanë ardhur asnjë minutë të vetme për t’u konsultuar për gjendjen dhe perspektivat e shkencës shqiptare, që kurrë nuk kanë treguar asnjë interes publikisht për shkencën dhe universitetet shqiptare. Ata i rrëmbejnë nga dora iniciativën ministrisë të Arsimit për shkak të paaftësisë të saj për të pasur guximin për të drejtuar procesin e reformimit të kërkimit shkencor, injorojnë konsultimin masiv që është bërë në departamentet dhe fakultetet e universiteteve të vendit dhe në mënyrë arbitrare krijojnë alibinë, se marrin ata vetë një iniciativë ligjore, pa pasur asnjë dijeni as për procesin e deritanishëm dhe as për përmbajtjen e projektligjit që kanë depozituar. Me këtë veprim ky grup deputetësh injoron mendimin alternativ dhe as merr mundimin ta konsultojë atë.

  • Ju drejtohem universitarëve të vendit, rinisë dhe intelektualëve të Shqipërisë, duke i njoftuar për këtë puç institucional të ndërmarrë dhe kryer, për një kaos në marrëdhëniet midis institucioneve të vendit që merren me arsimin dhe shkencën, për ndërgjegjen dhe etikën e këtyre deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë,
  • i drejtohem kryeministrit Edi Rama,
  • i drejtohem edhe kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, duke denoncuar këtë akt të paprecedent që merr nëpërkëmbë çdo konsultim paraprak ligjor për kuadrin rregullues të arsimit, shkencës dhe Akademisë të Shkencave e universiteteve.

Një projektligj që bie në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe parimet e demokracisë, që shkel të drejtat qytetare, që ligjëron rrëmbimin për pushtet dhe privilegje të një grushti personash që e kanë uzurpuar Akademinë e Shkencave.

Pyetja ime është: A e kanë parë këta deputetë që depozitojnë iniciativa ligjore që në fakt nuk janë të tyre vlerësimin e BE-së për këtë çështje ? Apo BE-ja është thjesht një alibi dhe jo një pikë orientuese për kombin shqiptar!

Një grusht individësh kanë shpallur tashmë zgjedhjet për kryetar në Akademinë e Shkencave, ku kryetari përsëri do të bëhet nënkryetar dhe nënkryetari kryetar. Ata sfidojnë çdo proces reformimi, duke privatizuar një institucion publik.

Me anë të këtij akti të këtij grupi deputetësh një pjesë e madhe e të cilëve nuk kanë madje asnjë lidhje, as me Komisionin e Arsimit, Shkencës dhe Mediave të Kuvendit të Shqipërisë, ata po e çojnë situatën, me ose pa pëlqimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, drejt pikës ku ai, atë që e quajti farsë në Akademinë e Shkencave, të detyrohet, ose me pëlqimin e tij, ta konsiderojë si reformim te saj.

Ta bëjnë me ose pa pëlqimin e tij të pranojë si reformim farsën e farsës, pra reformimin alibi, ‘të lëpijë atë që ka pështyrë’, sikurse thotë populli, duke e marrë zvarrë drejt një projekti që finalizon në Akademinë e Shkencave sundimin e konservatorizmit, dogmave dhe stalinizmit intelektual.

  • I drejtohem zotit Gramoz Ruçi nën përgjegjësinë e të cilit ky grup deputetësh me fije që shkojnë deri afër tij, m’u përpara derës së tij, po kërkojnë të mposhtin, të marrin nëpërkëmbë, të poshtërojnë komunitetin intelektual të vendit.

Është koha për t’i thënë ndal këtyre veprimeve që tregojnë krizën e thellë të institucioneve shqiptare dhe marrjen nëpër këmbë që deputetë të ndryshëm, si edhe forca regresive në Akademinë e Shkencave, u bëjnë pedagogëve, krijuesve, intelektualëve të vendit, universitareve dhe gjithë opinionit publik intelektual për interesa egoiste për pushtet dhe trafik politik.

Unë kurrë nuk do të nënshtrohem prej tyre,  ata mund të marrin zvarrë Edi Ramën, Besa Shahinin, Gramoz Ruçin, me ose pa dëshirën e tyre, por jo mua!

  • U bëj thirrje të gjithë intelektualëve të vendit dhe universitarëve e kërkuesve shkencorë t’i dalin zot vetes dhe të mbështesin një Shqipëri të vlerave, të dijes, sepse kjo Shqipëri, që sot përpëlitet fatkeqësisht mes dëshirës për dije e shkencë dhe injorancës, ende nuk ka vdekur dhe nuk do të vdesë dot.