Akademia dhe shëndoshja e gjendjes

613
Luftulla PEZA

Ditët e fundit ka plasur debati midis studiuesve mbi gjendjen e rëndë në Akademinë tonë të Shkencave. Por akademia jonë e sëmurë vazhdon të jetë qysh kur është ngritur nga shteti socialist dhe vazhdon edhe sot. Herë mbas here në shtyp kanë dalë artikuj të ndryshëm mbi këtë temë, por kryesia e saj dhe anëtarësia as një herë nuk u bënë gjallë, për analizë të kritikave. Tani do të bëhen zgjedhjet e kryesisë dhe disa ushtarë të akademisë i bëjnë thirrje kryeministrit të ndalojë zgjedhjet. Pse e kërkojnë prej tij dhe nuk e bëjnë vetë? Vetë anëtarësia e akademisë ka miratuar rregulloren, sipas së cilës, siç ka shkruar sekretari i akademisë, disa muaj para kryesia shpall datën e zgjedhjes së kryesisë dhe anëtarët kanë të drejtë të paraqesin propozimet. Deri tani vetëm dy kërkesa ka: e kryetarit aktual, që kërkon postin e zv/kryetarit dhe e një zv/kryetari që kërkon postin e kryetarit. Më duket çdo gjë normale, sipas rregullores, që ka miratuar anëtarësia e akademisë. Në se kjo nuk i pëlqen anëtarëve, të shkojnë në mbledhje të bëjnë propozime të tjera, por nuk ka nevojë të thirret kryeministri me policinë dhe ushtrinë për ti ndaluar zgjedhjet. Para dy vjetësh, i ngarkuar nga pjesëmarrësit e simpoziumit të Qendrës së Studimeve Pellazgjike, i kam bërë letër kryesisë së akademisë, ku i kërkoja të ndërmerrej një takim me akademikët e interesuar dhe të diskutonim temën e lashtësisë së gjuhës shqipe. Identiteti ynë kombëtar, prejardhja e popullit shqiptar ende nuk është zgjidhur, në një kohë, që të gjithë popujt e Ballkanit këtë çështje e kanë zgjidhur prej kohësh për popujt e tyre. Pse? Sepse ata punojnë për këtë temë dhe të tjera, njerëzit tanë, historianë dhe gjuhëtarë nuk punojnë, bile sabotojnë. Megjithëse kemi në dorë dhe të botuara mjaft dokumente, që vërtetojë gjuhë shqipe më të vjetrën në botë, disa nga të cilat ja parashtrova në letrën time kryetarit të akademisë, por ai nuk pranoi të bënte takimin me akademikët dhe ishte kundra lashtësisë së gjuhës sonë. Një gjë absurde, të mos organizosh mbledhjen e akademikëve për një problem kaq të madh: diskutimi i lashtësisë së gjuhës shqipe. Pse akademikët nuk e duan një takim të tillë pune? Kryetari Korkuti nuk u mjaftua me kaq, por u hodh në sulm, duke i quajtur “diletantë“, “nacionalistë“ etj, të gjithë ata që kanë botuar libra mbi lashtësinë e gjuhës dhe të kombit tonë dhe kanë vërtetuar bindshëm prejardhjen pellazgjike të gjuhës dhe të popullit tonë, pa asnjë analizë shkencore, që përbën shkelje të rëndë të disiplinës shkencore. Kjo një shkencëtari dhe për më tepër kryetarit të akademisë nuk i falet, prandaj duhet të dalë me autokritikë publike, ndaj të gjithëve atyre që u ka cenuar nderin pa të drejtë. U mundova të gjej zgjidhje nga brenda. U lidha me prof A. Fugën, anëtarë i akademisë, i dërgova letrën dhe materiale të tjera, me kërkesën të ndërmjetësonte një mbledhje akademikësh për diskutim të problemit me disa specialistë të kësaj fushe. Po pres kot një vit e ca, asgjë nuk bëri. Për këtë shkrova edhe një artikull në gazetë: “Akademia e shkencave saboton njohjen e lashtësisë së gjuhës shqipe“. Qysh sa është themeluar Akademia jonë e Shkencave në vitin 1974 dhe deri më sot, ajo ndodhet në shtratin antishkencor lidhur me problemin themelor që duhet të ketë për detyrë: studimin e lashtësisë së gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. As për studimin e lashtësinë së gjuhës sonë dhe as të lashtësisë të popullit shqiptar akademia jonë nuk ka dhënë as një ndihmë konkrete, përkundrazi ka lëshuar vrerin e saj për dijetarët, që punojnë ta zbardhin këtë. Le të kujtojmë luftën antishkencore dhe personale, që bëri kryesia e akademisë ndaj studiuesit tonë të shquar Spiro Konda për idetë e tij mjaft përparimtare lidhur me prejardhjen e popullit shqiptar nga pellazgët e lashtë. Po për këto bindje shkencore edhe studiuesi Dh. Pilika u internua për disa vjet, që të mos arrinte të përfundonte studimin e vet mbi pellazgët dhe lidhjen e tyre me shqiptarët. Qëndrim i turpshëm i akademisë është mbajtur edhe në vitet 2008-2009, kur në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar nuk janë përfshirë të gjithë studiuesit, që mbështesin prejardhjen pellazge të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Edhe J. Krispi dhe De Rada, përkrahës të zjarrtë të prejardhjes pellazge të gjuhës dhe të popullit tonë, janë përfshirë në këtë fjalor të turpshëm, por ju është hequr qëllimisht thelbi pellazgjik nga veprat e tyre. Edhe qëndrimi i kryesisë së akademisë dhe i akademikëve në kohën tonë për këtë çështje është vazhdë e kësaj lufte antishkencore, kundra interesave tona kombëtare. 
Në vitin 1902 studiuesi egjiptian me origjinë shqiptare F. Adamidi paraqiti para Akademisë Egjiptiane studimin e tij “Les Pelasges et leur descendant Albanaise”/Pellazgët dhe pasardhësit e tyre shqiptarët/, me të cilin mori gradën shkencore doktor i shkencave. Ai paraqiti para studiuesve egjiptian vlerat e gjuhës shqipe dhe vërtetoi se ajo rrjedh nga gjuha e lashtë pellazge. Ai njëkohësisht vërtetoi se edhe gjuha sanskrite, greke dhe latine kanë huazuar shumë fjalë nga gjuha pellazge/shqipe, më e vjetër se ato. Akademikët dhe studiuesit egjiptian pranuan para më se 100 vjetësh të diskutojnë në sesion të veçantë mbi lashtësinë e gjuhës shqipe. Përse akademia jonë nuk e bën këtë pas më se një qind vjetësh, kur janë mbledhur edhe shumë prova të reja? Kjo është praktikë në të gjitha akademitë e botës, vetëm akademikët shqiptarë janë kundra gjuhës së tyre amtare. Më bën përshtypje të madhe, se si akademikëve dhe profesorëve tanë nuk u bën hiç përshtypje, që megjithëse gjuha shqipe i ka dokumentet të plota për lashtësinë e saj, ata janë bërë pengesa serioze e vetme, që kjo e vërtetë nuk njihet në botën shkencore. Ndërsa grekët, maqedonët, serbët etj. falsifikojnë dokumentet për ta paraqitur gjuhën e tyre sa më të lashtë, (nga kjo del edhe kombi i tyre po kaq i lashtë). Përse këta, që përmenda më sipër dhe që e mbajnë veten „profesionistë të mbaruar“ nuk i pranojnë këtë të vërtetë? Mendoj se kjo vjen diku nga xhelozia, nuk i kan gjetur vetë, por të tjerët, diku nga paaftësia, sepse nuk dinë t’i lexojnë provat e lashta, diku nga korupsioni, janë paguar nga organizatat e huaja kriminale, që të mos i pranojnë provat, që e paraqet gjuhën shqipe më të lashtën në botë. Prandaj vuan gjuha shqipe, vuan historia jonë, nga këta “profesionistë gjysmakë”, që kanë zënë vend në akademinë tonë, Qendrën Albanologjike, Fakultetin Histori-Filologji etj. dhe e luftojnë atë me force. Prandaj për gjendjen e sëmurë në akademinë e shkencave, nuk janë fajtorë vetëm kryesia, por edhe anëtarësia, ata që kanë miratuar rregulloret, ata që nuk miratojnë platformën e akademisë, siç e kanë të gjitha akademitë e tjera, ata që nuk merren vetë me kryerje projektesh shkencore, por kalojnë kohën me facebook, ata, që nuk kanë guximin të marrin pjesë në simpoziume e kongrese shkencore ndërkombëtare, ku të paraqesin zbulimet e tyre, por lavdërohen me punën e të tjerëve dhe e kopjojnë në librat e tyre. Sot nuk është aspak zor të shkruash libra, sepse këtë lirshëm e bëjnë edhe ata që kanë mbaruar shkollën e mesme. Zori është të sjellësh të reja në librin apo artikullin, që shkruan. Jam kurioz të di çfarë gjërash të reja i kanë dhënë shkencës akademikët tanë vitet e fundit. Përpara shoqërisë sonë janë probleme të mëdha për tu zgjidhur: varfëria e pa imagjinueshme, papunësia dhe korrupsioni në rritje, kthimit i pronave, që pengon Shqipërinë në rrugën për në BE, braktisja e përditshme e vendit nga rinia etj. Si nuk u bënë gjallë akademikët tanë dhe të organizonin konferenca kombëtare në shkallë vendi për këto probleme jetike për vendin? Ku janë kokat e shkencës sonë, akademikët, apo nuk kanë kohë të lirë, sepse lodhen në facebook dhe duke mbledhur honorarët. Për këto probleme akademia duhet të organizojë konferenca me specialistë dhe të interesuarit dhe të dalë me propozime konkrete për qeverinë shqiptare, për të dalë nga gjendja e rëndë. Para pak kohësh gazetari M. Nano ka hedhur në publik idenë se nëna e Skënderbeut ka qenë serbe, duke kundërshtuar të thënat nga historia jonë. Asnjë nga historianët tanë nuk është futur në diskutim të çështjes dhe të na sjell mendimin më të drejtë. Pse ndodh kjo? Sepse nuk e njohin historinë dhe nuk duan të studiojnë për ta njohur problemin. Për këtë çështje dua të shënoj, se në kohën e nënës së heroit tonë kombëtar nuk njiheshin ende kombësitë, që filluan gjatë shekullit 18-19. Në kohë të vjetra njerëzit ishin banorë të Perandorisë së Romës, të Bizantit apo Osmane dhe nuk ka pasur ndarje në shqiptarë, serbë apo turq. Prandaj disa banorë me origjinë ilire u bënë perandorë të Romës apo Bizantit dhe disa shqiptarë u bënë kryeministra të Perandorisë Turke apo të Greqisë. Kështu që edhe nëna e Skënderbeut nuk ka fare rëndësi se çfarë gjuhe ka pasur amtare, rëndësi ka që ka qenë banore e perandorisë ashtu si i shoqi i saj. Këto janë disa probleme për “shtëpinë tonë të dijes, akademinë”, që fatkeqësisht ka emrin, por nuk e justifikon me përmbajtje. Megjithëse shkenca shqiptare ka rënë në fund këto 30 vitet e fundit, por ajo nuk ka vdekur dhe mund të gjallërohet. Për këtë bazë është: përvoja pozitive e shkencës sonë deri në vitin 1990 dhe përvoja pozitive nga shkenca botërore. Për të gjallëruar shkencën tonë mendoj të merren disa masa të domosdoshme.
1-Të ringrihet Komiteti i Shkencës, për të koordinuar dhe kontrolluar ecurinë e punës shkencore në shkallë vendi. 
2- Të rikthehet sistemi me dy shkallë pasuniversitare, kandidat dhe doktor i shkencave. Kështu do të shtohet numri i punimeve shkencore dhe do të pakësohet titulli profesor. 
3-Akademia, në bashkë punim me institucionet e tjera, të organizojnë konferenca në shkallë vendi, për probleme të rëndësishme të vendit. Njëra prej tyre të jetë mbi problemin e prejardhjes së popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij, 
4-Akademia e shkencave duhet të ketë institucionet e saj kërkimore-shkencore (institutet e albanologjisë mund ti bashkëngjiten akademisë ose Fakultetit Histori-Filologjisë). 
5-Fondi që i jep shteti për institucionet shkencore të ndahet: fondi i pagave, fondi për pajisjesh dhe fondi për zhvillimin e punës shkencore, që do tu ndahet projekteve shkencore.
Çdo vit në akademi të bëhet analiza e punës dhe të mefshtit, që nuk sjellin të reja në shkencë, të lirojnë vendin. Të jesh anëtar i akademisë nuk është privilegj, por detyrë më e madhe. Ai që nuk e përligj këtë me të rejat që kontribuon në shkencë, kot që e mban këtë titull. Grada më e lartë në shkencë është doktori i shkencave dhe ai që e shoqëron këtë me dije dhe të reja, që kontribuon në shkencë nuk ka pse të rendë pas akademive, siç është trendi sot në Shqipëri, kur akademitë pa prodhimtari po mbijnë si kërpudhat pas shiut. Profesorët shqiptar nuk kanë qejf punën, por titujt akademik dhe mbi akademik e dëshirojnë shumë. Nga kjo së shpejti do të mbijnë akademi të tjera.
Sigal