5,200 biznese të vogla u mbyllën në 2018-n, u “zëvendësuan” nga fermerë

578
Sigal

INSTAT: Ekonomia shqiptare është e përqendruar në aktivitetin tregtar

Regjistri i Ndërmarrjeve në fund të vitit 2018 numëron 162.835 ndërmarrje aktive, numër pothuajse i njëjtë me vitin e kaluar, raportoi INSTAT në publikimin për Regjistrin e Ndërmarrjeve Ekonomike 2018.

Në raport me një vit më parë rezulton që personat fizikë, kryesisht bizneset e vogla, janë ulur me 5,216 subjekte, duke zbritur në 93 mijë. Mbyllja e bizneseve të vogla është një dukuri që ka nisur prej disa vitesh, si rrjedhojë nga konkurrenca nga qendrat e mëdha dhe zinxhirët e supermarketeve, por që në 2018-n u përshpejtua dhe më tej për shkak të uljes së kufirit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë. Në raport me dy vjet më parë, numri I bizneseve të vogla të mbyllura arrin në 7,9000.

Ndërkohë janë rritur subjektet e regjistruara si fermerë, me 4,400 më shumë, duke arritur në 40.9 mijë fermerë, si rrjedhojë e masave për formalizimin e bujqësisë dhe orientimin e fermerëve për t’u pajisur me NIPT në mënyrë që të përfitojnë nga subvencionet.

Subjektet juridike, janë shtuar me 1,166 njësi, duke u rritur në 28.8 mijë.

Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare është e përqendruar kryesisht në aktivitetin tregtar, dukuri e cila vihet re edhe në ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2018. Ndërmarrjet tregtare zënë 23,2% të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2017, krahasuar me 25,0% të regjistruara gjatë vitit 2017.

Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë 1,2% të totalit të ndërmarrjeve aktive dhe kontributi i tyre në punësim llogaritet në 48,1% në vitin 2017 nga 47,8 % në vitin 2017.

Në Bashkinë e Tiranës janë përqendruar pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, ndërsa në Bashkinë e Fushë Arrëzit shënohet numri më i ulët.

Gratë menaxhojnë 25,7% të ndërmarrjeve aktive gjithsej krahasuar me 29,7% gjatë vitit 2017. Sa u përket ndërmarrjeve aktive që operojnë në Bashkinë e Tiranës, gratë menaxhojnë 33,2 % të tyre. Ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht ndërmarrje me 1- 4 të punësuar, të cilat zënë 91,2% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë. Në ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar, gratë drejtojnë 19,6% të ndërmarrjeve.

Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 3,8 % të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 3,9% në vitin 2017 dhe punësojnë 9,6 % të të punësuarve gjithsej.

Ndërmarrjet nga vendet Bashkimit Evropian përfaqësojnë 64,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 52,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës, me 81,7%.

Në fund të vitit 2018 regjistrohen 172.554 njësi lokale nga të cilat 161.227 ushtrojnë aktivitetin ekonomik në 1 vendndodhje. Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin në më shumë se një vendndodhje janë 1.608, të cilat përfaqësojnë vetëm 1,0 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej. Numri i të punësuarve në to është 26,6 % e të punësuarve gjithsej. Aktivitetet financiare kanë numrin më lartë të të punësuarve për ndërmarrjet që kanë më shumë se një vendndodhje.

Njësitë lokale janë përqendruar në bashkitë Tiranë, Fier dhe dhe Elbasan me 54,1% të numrit të përgjithshëm të njësive lokale aktive.

Për nga ndarja rajonale, rajoni më i zhvilluar është rajoni qendër ku përfshihen qarqet Tiranë dhe Elbasan, ku janë përqendruar 41,3 % e ndërmarrjeve aktive. Pothuajse e njëjta situatë është edhe me ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2018, me 48,7 %. Të punësuarit në këtë rajon zënë 54,3 % të të punësuarve gjithsej. Aktiviteti ekonomik tregtar mbizotëron ndaj aktiviteteve të tjera, me 31,6 %. Kjo dukuri është e njëjtë si në nivel qarku, ashtu edhe në nivel bashkie.