4 thasë e një çantë dore, plot 62 kg kanabis drejt Malit të Zi, trafikantët ia mbathin në Vermosh

462
Sigal

Plot 62 kilogramë kanabis janë sekuestruar nga policia e Shkodrës dhe Policia Kufitare në Vermosh ditën e djeshme, por pa mundur të kapen transportuesit e lëndës narkotike. Disa persona po transportonin lëndën narkotike drejt Malit të Zi, të ndarë në 4 thasë dhe një çantë dore.

Por sapo kanë pikasur policinë, ata kanë lënë lëndën narkotike në breg të lumit “Gërçarë”, pranë fshatit Vermosh në Malësi e Madhe, dhe janë larguar.

Policia ka sekuestruar lëndën narkotike, dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

“Më datë 25.12.2016, në afërsi të Pikës Kufitare Bashkimi, në breg të lumit “Gërçarë”, fshati Vermosh, Malësi e Madhe, shërbimet e policisë në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona po trafikonin lëndë narkotike në drejtim të kufirit me Malin e Zi, në bashkëpunim dhe me shërbimet e policisë kufitare të Malit të Zi, ushtruan kontroll dhe nga krehja e zonës përreth u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 thasë dhe një çantë dore, ku në total me një sasi prej 62 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis-sattiva”, thuhet në njoftimin e policisë.