34 mijë biznese me 2 bordero, 762 mijë “skllevër” sigurim me pagë minimale

893
Qeveria, pas dy vitesh sehir, më së fundi vendosi të ndaloj informalitetin që ka lidhje me detyrimet që bizneset i kanë shtetit për t’ia shlyer prej aktivitetit që kryejnë dhe detyrimet që kanë ndaj punonjësve. Shqipëria është vendi rekord në rajon e në Europë për informalitet deri tek faturat e çerdheve e kopshteve. Janë miliona euro në ditë, muaj e vit që humbasin prej këtij informaliteti. Janë shumë sektorë prodhimi e shërbimesh, ku është instaluar dhe vepron fuqishëm informaliteti, ku si model dhe fuqi janë bizneset e shtetarëve. Gazeta “Telegraf”, po nis publikimin e investigimit të bërë në fushën e punësimit, bazuar në fakte konkrete. Çfarë ndodh me punësimin privat? Si punësohen? Si paguhen? Sa paguhen dhe si e sa sigurohen? Si fshihet masakra e punësimit ilegal dhe abuzimet me punësimin real? Sa janë pagat dhe sa deklarohen në borderotë që deklarohen në tatime? Çfarë borderoje përgatitet për llogari të firmës dhe çfarë borderoje dorëzohet për llogari të shtetit për efekt tatimesh, sigurimesh shoqërore e shëndetësore të punonjësve? A e di shteti këtë krim me emrin evazion fiskal? Tashmë kemi një dosje të plotë me fakte nga kjo gropë e zezë, që thuhet se do të nis të hapet e “pastrohet” në datën 1 shtator 2015, premtim i përsëritur çdo 6 muaj në këto 23 vite! Sot, po ndalemi tek një nga faktet e investiguara në lidhje me evazionin fiskal në punësimin që bëjnë bizneset më Shqipëri.
Sigal

Skandali/ 4100 biznese “VIP”, aktivitet me 2 bordero, “Kurum” rekord abuzimi

Mos u çuditni. Në Shqipëri, janë 4100 biznese “VIP” dhe afro 30 mijë biznese të tjerë, të cilët përveç zullumeve të tjera me cilësinë e prodhimit, të shërbimeve, çmimeve, sigurisë së produkteve, ndotjeve të larta deri me efekte kancerogjene mbi popullatën dhe punonjësit, kushteve mizerje të punës etj., kryejnë edhe një krim tjetër social me punonjësit: veprojnë me 2 bordero pagash, njërën për bilancet dhe e tyre fitimet e tyre abuzive, ndërsa tjetrën për detyrimet ndaj shtetit. Në njërën bordero pasqyrohet paga reale dhe ndalesa e sigurimeve shoqërore reale e cila mbahet në dosjen bosit të firmës, ndërsa në borderon tjetër pasqyrohen paga të ulëta sipas ligjit shqiptar dhe pagesë për sigurime të detyrueshme shoqërore sipas nivelit të pagës minimale, duke mashtruar shtetin e duke mos paguar detyrimet reale ndaj punonjësve. Ky krim është raportuar dje tek kryeministri Edi Rama në konfidencialitet prej një burimi nga ISSH, pas një raporti që ISSH ka marrë prej Drejtorisë së Tatimeve, si institucioni ku bizneset deklarojnë numrin e të punësuarave dhe dorëzojnë borderotë mujore të pagave të tyre për efekt sigurimesh shoqërore e shëndetësore. Sipas “spiunimit” në “kufjen” e kryeministrit Rama, i cili prej 10 ditësh ka nisur të mbledh informacione nga çdo burim zyrtar e privat për evazionin dhe informalitetin, rezulton se ka një krim financiar e social me përmasa të mëdha, që bëhet intensivisht e masivisht prej afro 15 vitesh nga 4100 biznese të mëdha dhe nga afro 30 mijë biznese të mesëm e të vegjël. Sipas listës që ka shkuar tek kryeministri, janë 4100 biznese të mëdha shqiptare e të huaja, që ushtrojnë veprimtari në Shqipëri, të cilët shumicën e punonjësve të tyre i sigurojnë me pagë mujore minimale zyrtare. Sipas informacionit i cili po verifikohet edhe në shërbimet tatimore në të 12 qarqet, rezulton se në këto 4100 biznese të mëdha ose “VIP” siç i thonë, 90% e punonjësve sigurohen me pagë mujore minimale, 7% sigurohen me pagën mesatare zyrtare, ndërsa vetëm 3% e punonjësve sigurohen me pagën reale që marrin dhe këta janë vetë bosët e bizneseve, familjarë të tyre, ose specialistë të huaj që punojnë në këto firma. Në krye të listës së kompanive “VIP” që bëjnë lojëra mashtrimi me pagesat e sigurimeve shoqërore dhe që lejohet prej institucioneve ligj-zbatuese të shfrytëzoj punonjësit si skllevër dhe shtetin e shtetarët si sekserë të saj është Kompania “Kurum” me 13 bizneset e saj në Shqipëri, kompani e cila prej 15 vitesh siguron 96% të punonjësve me pagë minimale, duke përgatitur dy bordero, njërën reale për përdorim të brendshëm të llogarive të saj dhe tjetrën false që e çon në zyrat e tatim-taksave, duke fshehur afro 3 milionë euro detyrime taksa pagash, sigurime shoqërore e shëndetësore në vit, ndërkohë që afro 40% të punonjësve që punojnë realisht në këtë kompani, nuk deklarohen si të punësuar, por shfrytëzohen e paguhen ilegalisht, skandal-krim për të cilin zhvilluam një bisedë edhe me kreun e Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore Rajonale në Elbasan, Av. Shkëlqim Duka, i cili fillimisht e pranoi skandalin-krimin që bëhet prej “Kurum”, por që 3 orësh pritje për përgjigje zyrtare, ai refuzoi të jepte shpjegime konkrete dhe… nuk e dimë për çfarë “arsyesh” apo “këshillash” që mund t’i jenë dhënë ndoshta pas bisedës me “Kurum”, ndoshta “nga lartë”, apo nga “miqtë”! kujtojmë, që sigurimet shoqërore janë vetëm pritëse të borderove, të cilat i dërgohen nga shërbimi tatimor, mbasi të drejtën e kontrollit të borderove mujore e kanë tatimet, kompetencë e dhënë prej ministrit të Financave Shkëlqim Cani, me UDHËZIM Nr. 23 datë 9.12.2014 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore e shëndetësore “, hyr në fuqi më datën 10. 12. 2014, me botimin në “Fletore Zyrtare” Nr. 186, datë 10 dhjetor 2014.

Fakti/ 762 mijë “skllevër” sigurim me pagë minimale, për çdo 1000 lekë vidhen 762 milionë lekë në muaj

Shifra e informalitetit që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë bizneset private me punësimin, rezulton një humbje gjigande dhe gropë e zezë abuzimi. Nuk e kemi fjalën për “punën e zezë”, mbasi për atë do të flasim në vijim me një investigim special. Sot po publikojmë skandalin e sigurimit me pagë minimale. Siç e thamë, janë 4100 biznese “VIP”, që duke përdorur ligjin për pagën minimale, abuzojnë, duke siguruar punonjësit me vlerën e sigurimit shoqërore e shëndetësor sipas vlerës së pagës minimale mujore. Sipas informacionit të gazetës “Telegraf”, mësohet se 4100 bizneset “VIP” dhe afro 30 mijë bizneset e mëdha shqiptare e të huaja që ushtrojnë aktivitet prodhimi, infrastrukture e shërbimesh në Shqipëri, sigurojnë mbi 762 mijë punonjës me pagë minimale zyrtare. Kështu thonë borderotë e dorëzuara prej këtyre bizneseve në zyrat e tatim-taksave dhe në llogaritë e tyre bankare, ku punonjësit e siguruar tërheqin pagat. Ky evazion financiar që fshihet me borderotë e 762 mijë punonjësve që sigurohen fiktivisht me pagë minimale, nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, rezulton kështu: për çdo 1000 lekë sigurim të fshehur ndaj shtetit e të vjedhur nga “buka” e punonjësve, “zhduken” 762 milionë lekë në muaj. Po për 2000, 3000, 4000, 5000 e 13 mijë lekë pagesa sigurimesh të fshehura e të papaguara, sa miliardë lekë në muaj zhduken? Është bërë praktikë tashmë në bizneset private, që punonjësit sigurohen me bazë pagën minimale 22 mijë lekë në muaj! Me 22 mijë lekë në muaj që ka nisur qysh prej 1 janarit 2015, punonjësi duhet të sigurohet afro 55 mijë lekë në muaj për shëndetin dhe pensionin. Punonjësi me 30 mijë lekë pagë duhet të sigurohet afro 7500 lekë të reja në muaj. Punonjësi me pagë 70 mijë lekë në muaj, duhet të sigurohet me 17 mijë e 500, plus duhet të tatohet për pagën mujore. Po kështu edhe ata me pagë mujore 80, 90 e 100 mijë lekë. Por bosët e firmave i sigurojnë me bazë pagën minimale 22 mijë lekë, ose me bazë pagën mesatare 35 mijë lekë, duke i pasqyruara këto me borderotë fiktive që dorëzojnë në tatim-taksa. Kjo skemë mashtrimi e vjedhjeje të detyrimeve që kanë ndaj shtetit, bëhet me borderotë fiktive të pagave që deklarohen në tatim-taksa e prej andej në sigurimet shoqërore. Flitet për një mashtrim me përmasa më të mëdha në këtë drejtim, mbasi kemi të bëjmë edhe për afro 1.2 milionë punonjës të tjerë, që shfrytëzohen dhe nuk deklarohen si të punësuar, duke krijuar një humbje të madhe, ose evazion fiskal në miliona euro në muaj, prej këtij krimi ekonomik-financiar, ose “informaliteti” siç e quan shteti. Burime pranë Inspektoratit të Punës, na konfirmuan se ka nisur “operacioni” i përqendruar për të evidentuar, ndëshkuar dhe detyruar bizneset të paguajnë detyrimet reale vlerën e sigurimeve dhe numrin e të punësuarve realisht, “operacion” ky që deri tani ka futur nën kontroll 400 biznese në Tiranë dhe 1000 biznese ne qarqe e që javën tjetër do të veproj në bizneset e mëdha pa dallim…
(vijon)
————————————–
Ja VKM Nr. 77, datë 28.01.2015 me të cilën maskohet krimi i sigurimeve me pagë minimale
– Shuma minimale mujore e kontributeve i referohet pagës minimale dhe normës së kontributit. Kontributi minimal mujor, sipas degëve dhe skemave të sigurimit është 6138 (gjashtë mijë e njëqind e tridhjetë e tetë) lekë dhe ndahet, si më poshtë:
– Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më shume se 87 orë në muaj është 24.5% të pagës bruto për sigurimet shoqërore (sipas listë pagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 15%, ndërsa pjesa e të punësuarit 9.5%, por jo më pak se paga minimale
– Pagesa për sigurimin e kujdesit shëndetësor është 3.4% të pagës bruto mujore, sipas listë pagesës, ku pjesa e punëdhënësit është 1.7%, ndërsa pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se paga minimale.
– Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të jetë në masën 23.3% të pagës bruto mujore për sigurimet shoqërore sipas listë pagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 13.9%, ndërsa pjesa e të punësuarit 9.4%, por jo më pak se paga minimale.
– Pagesa për sigurimin e kujdesit shëndetësor është 3.4% të pagës bruto mujore, sipas listë pagesës, ku pjesa e punëdhënësit është 1.7%, ndërsa pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se paga minimale.(Futur në fuqi në 1 janar 2015, publikuar në “Fletore Zyrtare Nr. 9, datë 3 shkurt 2015)