26 mijë qytetarë nga veriu pritet t’i bashkohen në Tiranë protestës së opozitës

549
Sigal

Burime nga Partia Demokratike kanë bërë të ditur se rreth 70 mijë qytetarë janë rrugës për në Tiranë. Ata do t’i bashkohen protestës përpara kryeministrisë, e cila do të nisë për rreth një orë.

Parashikimet për pjesëmarrjen në protestë janë disi më të larta se ajo e 25 Majit, ku llogariteshin rreth 62 mijë protestues nga rrethet, pa llogaritur qytetarët e qarkut të Tiranës. Njësoj si që nga 16 Shkurti, kërkesa kyçe e protestave të opozitës është largimi i kryeministrit Rama dhe hapja e rrugës për një qeveri tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Këtë herë një pjesëmarrje shumë më e lartë pritet nga 4 qarqet e veriut. Sipas përllogaritjeve të përafërta, nga Shkodra, Lezha, Dibra dhe Kukësi pritet të vijnë për të protestuar në Tiranë rreth 26 mijë protestues. Nga Kukësi raportohen 4500 protestues që janë nisur me autobusë dhe mjete private, nga Shkodra raportohen 9900 protestues, nga Dibra 3900 protestues kurse nga Lezha 7700. Në shifrat e raportimeve nuk përfshihen protestuesit të cilët udhëtojnë në mënyrë private.