15 vjet News24/ Flet moderatori Bashkim Hoxha, po sot “Koha Për Tu Zgjuar” feston 20 vjetorin

624
Ka nisur në Pallatin e Kongreseve mbrëmja gala për 15-vjetorin e News24, televizioni i parë informativ në Shqipëri. 15 vite lodhje, vështirësi, sfida, lajme pafund por padyshim 15 vite histori suksesi. Moderatori I Koha Për tu Zgjuar, Bashkim Hoxha në fjalimin e tij shprehet se kanë kaluar shumë ngjarje të rëndësishme.
“20 vjet më parë ishte viti 1997. Të gjithë, secili në mënyrën e vet, e kujtojmë atë vit të mbrapshtë. Unë dhe kolegu im Gëzim Domi dhe ekipi i pasionuar atëherë i Televizionit TEUTA, por edhe qytetarët e kujtojmë si vitin kur lindi emisioni KOHA PËR TU ZGJUAR. Ka qenë Marsi i vitit 1997 kur emisioni i parë çeli telefonin për gjithë qytetarët që nisën të komunikonin kështu me njëri tjetrin përmes ekranit të hapur për të gjithë, duke shpërndarë mesazhet e paqes, e të dëshirave të mira në kundërshti me realitetin që gjenin rrugëve që për kolonë zanore kishte breshëritë e automatikëve. 
Emisioni lindi si një nevojë për të sjellë zërin e munguar të qytetarit. Në pjesën e parë titujt e faqeve të para të gazetave sjellin nënvizimet nga realiteti të gazetarëve, në pjesën e dytë, qytetarët me zërin e tyre plotësojnë atë që mungon në faqet e para të shtypit të shkruar, atë që ata e gjykojnë të rëndësishme nga jeta e tyre e përditshme.
10 vjet rresht në ekranin modest te Teuta TV, emisioni u rrit bashkë me vetëdijen qytetare, ndoqi hap pas hapi, mëngjes për mëngjes, ndryshimin e mentalitetit dhe të problematikave. 
Tanimë televizioni Teuta i ka mbetur historisë së televizioneve të para të shtypit tonë të lirë, ndërsa emisioni u rrit më tej në një ekran që tashmë prej pesë vjetësh ishte afirmuar si lider i informimit të paanshëm të publikut. 10 vjet më parë emisioni iu bashku ekranit të News 24, duke zgjeruar jo vetëm hapësirën ku mbërrinte, por edhe duke u asociaur me një ekip të tërë gazetarësh që ndiqnin dhe ndjekin problemet e qytetarit në jetën e përditshme. 
Ndihemi mirë që edhe pas 20 vjetësh, qytetarët na besojnë hallet dhe mendimet e tyre, ndjehemi mirë që ky emision vazhdon të mbetet një dnër emisionet më të ndekur në ekranin mjaft të ndjekur të News 24. 
Sekretin e kësaj jetëgjatësie që do të vazhdojë edhe më tej mendoj se është në faktin se gazetaria nuk është thjesht një profesion, por një mision: në këtë rast mision për të bërë që qytetari të jetë i dëgjuar. 
Kemi kaluar me publikun mjaft ngjarje të rëndësishme për shoqërinë, duke i diskututar me njëri tjetrin kemi ballafaquar këndvështrimet e ndryshme shpeshherë gjaknxehta të militantëve, kemi sjellë besojmë mëngjes pas mëngjesi tonalitetin e ditës njerëzore, dhe kjo na bën të ndihemi të realizuar. 
Se sa i dobishëm është ky format e tregon dhe fakti se mjaft emisione të reja janë përpjekur ta sjellin në ekrane të ndryshme, të njëjtin format tonin, edhe nga kjo vjen vetëm një gjë e mirë: zëri i qytetarit bëhet më i dëgjuar.
Kur në fillim ne përmendim fjalën qytetar, mendimi provincial i frustruar ndjehej i bezdisur. Tashmë besoj të gjithë e kemi vënë re se fjala qytetar është një ndër fhalët më të përmendura në fjalorin politik, në platformën e kryeministrit, dhe kjo është një gjë e mirë, sepse nuk mund të ketë demokraci pa apsur protagonist të vërtetë qytetarin. 
Në këtë përvjetor të 15 të News 24 dua të shpreh mirënjohjen për hapësirat që emisioni “Koha për tu Zgjuar” ka gjetur në këtë ekran. Është një inkurajim për të vazhduar edhe më tej numërimin e viteve dhe jubileve të rëndsishme.
Urime të gjithëve. “
festafesta 3