1000 veteranë do të nderohen për kontributin e tyre

554
Sigal

Vendimet e Qeverisë për 70-vjetorin e Çlirimit

6 gusht 2014: 234 mijë $ për festimet e 70-vjetorit të Çlirimit

Për organizimin e festimeve të 70-vjetorit të Çlirimit do të përdoret një fond prej 23 466 000 lekësh. Fondet i kanë shkuar përkatësisht Ministrisë së Mbrojtjes me 10 milionë lekë, që do të përdoren për prodhimin e medaljeve përkujtimore dhe organizimin e ceremonisë ushtarake për 70- vjetorin. Ministrisë së Mirëqenies Sociale i është alookuar një fond prej 5 milionë lekësh, që do të përdoret për organizimin e koncerti me rastin e përvjetorit të Konferencës së Pezës. Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë 1 milion lekë shtesë, që do të përdoret në realizimin e ceremonisë ushtarake me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit.

“Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, në programin ‘Arti dhe kultura’, zëri ‘shpenzime korrente’, t’i shtohet fondi prej 5 300 000 (pesë milionë e treqind mijë) lekësh, për organizimin e ekspozitës “Shqipëria 70 vjet imazhe, 1944-2014”. Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Arkivit Qendror të Shtetit, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, zërit ‘shpenzime korrente’ t’i shtohet fondi prej 2 100 000 (dy milionë e njëqind mijë) lekësh për realizimin e albumit fotografik me fotografi nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, thuhet në vendimin e qeverisë të datës 6 gusht, “Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2014, miratuar për disa institucione, për festimet e 70-vjetorit të Çlirimit të vendit”.

  10 shtator 2014: 94 milionë lekë shtesë për 70-vjetorin e Çlirimit

 Në kuadër të festimeve të 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit, këshilli i Ministrave, në mbledhjen e datës 10 shtator 2014, ka vendosur shtesë fondi prej 94 milionë lekësh, i cili do të ndahet për disa institucione.

1. Ministria e Mbrojtjes merr 7 milionë lekë, për kryerjen e punimeve restauruese në vendkomandën taktike të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe për mbështetjen e aktiviteteve të shoqatave të veteranëve.

2. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë merr 23 milionë lekë, për organizimin e koncertit të madh përmbyllës dhe të fushatës publicitare, me rastin e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit.

3. Ministria e Arsimit dhe Sportit merr 5 milionë lekë, për: Organizimin e kampionatit sportiv mes shkollave “Kupa e 70-Vjetorit të Çlirimit”; Organizimin e ekspozitës kombëtare mes shkollave 9-vjeçare dhe të mesme me imazhin e lirisë; Konferencën shkencore për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

4. Ministria e Kulturës merr 47 milionë lekësh, për: Organizimin e ekspozitës “Albanian artists after the fall”, në hollin e Kryeministrisë; Festivalin e Dritave; Ndërhyrjen restauruese në 20 objekte përkujtimore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare; Ekspozitën në “Bunkerin antibërthamor të Linzës”;

5. Prefektura Tiranë merr 1 milion lekë, për kryerjen e punimeve restauruese në Varrezat e Dëshmorëve, Tiranë, në përgatitje të ceremonisë zyrtare të nderimit.

6. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka në dispozicion 1 milion lekë, për organizimin e pritjes zyrtare në Pallatin e Kongreseve, me rastin e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit.

7. Kryeministria ka në dispozicion 10 milionë lekë, për organizimin e aktiviteteve me rastin e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit.

 8 tetor 2014: 1 milion lekë për dekorimin e forcave të Policisë

 Në kuadër të festimeve të 70-vjetorit të Çlirimit të vendit Qeveria në datën 8 tetor 2014 ka marrë dy vendime për shtesë fondi në buxhetin e vitit 2014. Qeveria ka vendosur që “Ministrisë së Punëve të Brendshme, t’i shtohet fondi prej 1 000 000 (një milion) lekësh, për dekorimin e disa punonjësve të Policisë së Shtetit me rastin e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit”.

Gjithashtu në vendimin nr. 596, datë 10.9.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

– Ministria e Mbrojtjes merr 7 000 000 lekë, për kryerjen e punimeve restauruese në vendkomandën taktike e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pranë Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe për mbështetjen e aktiviteteve të shoqatave të veteranëve.

– Ministria e Arsimit dhe Sportit merr 5 000 000 lekë, përkatësisht, “Për zhvillimin e sportit” 4 000 000 lekë dhe në programin “Për kërkim shkencor dhe ekselencë” 1 000 000 lekë.

-Ministria e Brendshme, për Prefekturën Tiranë, merr 1 000 000 lekë, për kryerjen e punimeve restauruese në Varrezat e Dëshmorëve, Tiranë, në përgatitje të ceremonisë zyrtare të nderimit.

-Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare merr 1 000 000 lekë, për organizimin e pritjes zyrtare në Pallatin e Kongreseve, me rastin e 70 – vjetorit të Çlirimit të vendit.”.

 Qeveria përcakton medaljet që do të jepen me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të vendit

 1000 veteranë do të nderohen për kontributin e tyre të veçantë, duke marrë pjesë në luftën për mbrojtjen e vendit në periudhën 7 prill 1939 – 29 nëntor 1944, në 70-vjetorin e Çlirimit të vendit. Veteranët do të nderohen me “Medaljen e mirënjohjes”. Ndërsa “Medalja e nderit” do të jepet për personelin e Forcave të Armatosura dhe personelin e Policisë së Shtetit për trimëri, guxim, për merita e shërbime të veçanta, kontribut të spikatur në detyrë, duke rrezikuar edhe jetën, dhe për merita të shquara në ushtrimin me përgjegjësi të detyrave. Kështu është vendosur në vendimin e qeverisë të datës 29 shtator “Për përcaktimin e medaljeve që do të jepen me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të vendit”. Në vendimin e zbardhur në fletoren zyrtare përcaktohen gjithashtu edhe specifikimet teknike të medaljeve.

 VENDIMI

– “Medalja e mirënjohjes” të jepet për personat që kanë dhënë një kontribut të veçantë duke marrë pjesë në luftën për mbrojtjen e vendit në periudhën 7 prill 1939 – 29 nëntor 1944.

– “Medalja e nderit” të jepet për personelin e Forcave të Armatosura dhe personelin e Policisë së Shtetit për trimëri, guxim, për merita e shërbime të veçanta, kontribut të spikatur në detyrë, duke rrezikuar edhe jetën, dhe për merita të shquara në ushtrimin me përgjegjësi të detyrave.

– Dhënia e medaljeve shoqërohet me certifikatë, formati i së cilës është letër A4 (210 mm x 297 mm), 160 g/m2, me fushë me stemën e institucionit, me kornizë me shirit anash.

– Sasia për“Medaljen e mirënjohjes”është 1 000 (një mijë) copë, që jepen nga ministri i Mbrojtjes.

– Sasia për “Medaljen e nderit” është 20 (njëzet) copë, gjithsej, nga të cilat10 (dhjetë) copë jepen nga ministri i Mbrojtjes dhe 10 (dhjetë) copë nga ministri i Punëve të Brendshme.

SPECIFIKIMET TEKNIKE TË MEDALJES SË MIRËNJOHJES

Diametri: 40 mm;

Trashësia: 3 mm;

Materiali: Tunxh;

Teknika: Stampim (jo me derdhje);

Unaza: Horizontale me gjerësi 15 mm;

Sipërfaqja: Pasqyrë, ndërsa relievi i satinuar;

Shiriti: Me thurje ngjyrë kuq e zi, me gjerësi 30 mm dhe gjatësi 60 cm, përbërja prej pambuku-poliestër, i cili kapet me medaljen në pjesën e sipërme të saj.

Varja: Në qafë, me shirit me gjatësi 60 cm.

Kjo medalje do të jetë e shoqëruar me certifikatën e medaljes me letër kartoni ngjyrë krem i hapur me format A4.

Medalja do të jetë e vendosur në një kuti të veshur me kadife të kuqe, me hapje nga sipër, përmasat e të cilës do të jenë 120x90x30mm. Kutia nga brenda do të jetë me sfungjer, e mbuluar me atllas të bardhë.

SPECIFIKIMET TEKNIKE TË MEDALJES SË NDERIT

Diametri: 30 mm;

Trashësia: 3 mm;

Materiali: Tunxh;

Teknika: Stampim (jo me derdhje);

Unaza lidhëse : 2 unaza me diametër 5 mm

Sipërfaqja: Pasqyrë, ndërsa relievi i satinuar;

Pjesa kapëse: Medalja do të kapet me një pllakë metalike tunxhi, në formë trapezi 5-këndor, me bazë nga sipër, nëpërmjet 2 unazave të cilat janë me diametër 5 mm dhe do të lidhin pllakën metalike me medaljen. Pjesa e përparme e pllakës metalike mbajtëse, do të ketë të stampuar tre shirita vertikalë, 2 të kuq me gjerësi 10 mm anash, dhe një shirit të zi me gjerësi 10 mm në mes. Në pjesën e pasme të pllakës mbajtëse, të jetë montuar mekanizmi i kapjes me karficë.

Këto medalje do të jenë të shoqëruara me certifikatën e medaljes, e cila është letër kartoni ngjyrë krem i hapur, me format A4.

Ledjana Saliu