1 Qershori, fëmijët vizitë në ambientet e Shërbimit Zjarrfikës Tiranë

Dhjetëra fëmijë të kopshteve Nr.2, të kryeqytetit vizituan paraditen e sotme ambientet e Shërbimit Zjarrfikës Tiranë. Të shoqëruar nga edukatoret dhe nga stafi i PMNZSH, fëmijët u njohën me punën e përditshme të këtij institucioni, mjetet logjistike dhe përgatitjen fizike. 

Në fjalën e tij përshëndetëse Prefekti i Qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi, theksoi se urimi në këtë ditë shkon jo vetëm për fëmijët, por edhe për edukatoret që u kanë dhënë atyre alternativa të mrekullueshme mësimdhënie. “Një ndër këto alternativa është edhe kjo vizitë në Shërbimin Zjarrfikës ku fëmijët njihen sadopak me punën e palodhur që djemtë e vajzat bëjnë përditë në dobi të jetës”, tha Vorpsi.

Nga ana tjetër, Drejtori i PMNZSH Tiranë, Shkëlqim Goxhaj u shpreh se kjo praktikë duhet të shtrihet në të gjithë qarqet me fëmijë të moshave të ndryshme. Sipas tij, kjo do t’u rriste fëmijëve vetëbesimin dhe të përmirësonte edukimin e tyre. Gjatë vizitës së tyre, fëmijët vëzhguan edhe demonstrime të ndryshme, pjesë e punës së përditshme të zjarrfikësve të Tiranës. Në fund të aktivitetit të organizuar në kuadër të “1 Qershorit”, fëmijëve iu shpërndanë dhurata simbolike nga stafi i PMNZSH-së.