Gjermania mbështet reformat në drejtësi, Hoffman: Me rëndësi bashkëpunimi

654
Gjermania jep mbështetjen e saj në vlerën e 36.000 eurove për organizatën joqeveritare shqiptare “Legal Information and Study Team (L.I.S.T.)“. Përmes kësaj mbështetjeje synohet që në 10 shkolla të Shqipërisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit të mund të përgatiten përmbajtje dhe forma të reja të procesit mësimor rreth temave të “Demokracisë“ dhe “Shtetit ligjor”. 
Mësues nga shkollat e përzgjedhura do të kenë mundësinë që gjatë javëve të projektit të mund të formohen dhe kualifikohen në këta sektorë tematikë për të vepruar më vonë si multiplikatorë dhe për të qenë në gjendje të përgatisin mësues të tjerë lidhur me temën dhe materialet mësimore përkatëse. Krahas kësaj, në përfundim të projektit, i tërë materiali mësimor i zhvilluar lidhur me temat „Shtet-ndërtimi, shteti ligjor, demokracia dhe të drejtat e njeriut“ do të vihet në dispozicion online, për të mundësuar shfrytëzimin e tyre edhe prej shkollave të tjera apo mësuesve të interesuar.
“Për mua është kënaqësi, që përmes një procesi mësimor me një fokus si ai i këtij projekti Gjermania ndihmon në parandalimin në kohë që të rinjtë të kryejnë vepra të dënueshme si dhe në konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes shkollave, mësuesve, zyrës së të rinjve, punonjësve socialë dhe policisë. Kjo është mënyra përmes së cilës mund t’ia dalim të mprehim në kohë vetëdijen e të rinjve për padrejtësitë dhe t’i sensibilizojmë ata për tema të tilla si shteti ligjor, pjesëmarrja e qytetarëve, levizjet demokratike dhe respektimi i të drejtave të njeriut“, tha Ambasadori Hoffmann. 
Organizata joqeveritare “L.I.S.T“ është themeluar në vitin 2011 me objektiv nxitjen e debatit publik rreth reformës dhe internacionalizimit të drejtësisë shqiptare si dhe nxitjen e profesionalizimit të administratës publike në Shqipëri.
Sigal