Euro prek një minimum të ri ndaj lekut, shkak oferta e lartë e valutave në treg dhe sezoni turistik

41
Sigal

Monedha e përbashkët europiane ka rinisur zhvlerësimin e shpejtë ndaj lekut, duke regjistruar një minimum të ri historik. Mesditën e së martës, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 104,85 lekë që është një zhvlerësim rekord i vlerës që prej janarit 2002 kur kjo monedhë u hodh në treg. Ndërkohë, gjatë një viti euro është zhvlerësuar me 14 lekë. Të njëjtën tendencë duket se po ndjek edhe dollari amerikan, ku të martën në mesditë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë u këmbye me 96,18 lekë. Gjatë një viti kalendarik kartëmonedha e gjelbër është zhvlerësuar me gati 19 lekë.

Rënia e dy valutave kryesore botërore kundrejt lekut është pasqyruar ndjeshëm edhe në tregun e lirë, ku në orët e mesditës euro u ble me 104 lekë dhe dollari me 95,2 lekë. Oferta e lartë në treg, çka përkon edhe me një sezon të mbarë turistik, duket se është faktori kryesor në forcimin e monedhës sonë kombëtare, raporton scan. Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, gjatë majit numri i shtetasve të huaj që hynë në territorin shqiptar ishte rreth 17% më i lartë krahasuar me një vit më parë. Ndërsa, si pesëmujor 42,5% më i lartë.

Por, këto shifra janë të destinuara në rritje të mëtejshme edhe gjatë periudhës qershor, korrik, gusht, që është edhe piku i sezonit turistik, çka rrjedhimisht mund të çojë në vlera edhe më të ulëta të valutave kryesore ndaj lekut. Në daljen e saj për mediat, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, theksoi se rritja e investimet të huaja direkte, remitancat dhe turizmi janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në ecurinë e kursit të këmbimit.

Ndërkohë, kompanitë eksportuese po vijojnë të penalizohen gjithnjë e më shumë në zhvlerësimi i euros dhe dollarit amerikan. Për të ndihmuar këtë kategori, qeveria ka vendosur që tatimpaguesit eksportues, të cilët në vitin 2022 kanë eksportuar jo më pak se 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, nuk do të paguajnë këstet që parapaguhen në muajt qershor, shtator dhe dhjetor të vitit 2023 si dhe do të reduktohen afatet për rimbursimin e TVSH-së. Por sipas kompanive, kjo ndërhyrje nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur situatën.