Dikush i tha, ai diamant nuk është për ty, më kot e lakmon, ti nuk e meriton.
Por ai e deshi patjetër. Dhe çfare nuk përdori, maskën, xhepin e thonjtë, derisa e arriti. E kështu fitoi emër në qytet. Nuk vonoi edhe në kryeqytet. Më pas s’e la nga dora t’i ikë, hyri fort në politikë, ku siguroi kolltukun me pushtet, derisa u ngjit në parlament…
Çfarë ndodhi në vazhdim?
Ai diamanti i zi nuk mbajti gjatë, kishte qenë kakërdhi. Tash u bë kohë që lakmitari i etur, ai egoisti i famës dhe përjetësisë, vuan pasojat e mëkatit duke u zhgërryer në mutin e lavdisë.
Shënim: Nga falsifikimi i vlerave nuk përjashtohet asnjë, asnjë fushë e jetës, as domeni i letërsisë dhe arteve, as arsimi dhe gazetaria, as shkenca dhe gradat shkencore, as gjyqsori e policori, as edhe fytyra që tregon pasqyra.






















