Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: “Dorëheqja”

50
Sigal

Kisha mbaruar ditën e punës, kur sapo hyja në shtëpi, më telefonuan nga paradhoma e Presidentit. Një njoftim të atillë as kisha marrë më parë, as kisha pritur. Zoti President më ftonte për darkë. Megjithatë, ato pak hollësi që m’u dhanë, më vunë menjëherë në mendime. Ç’ishte ajo darkë në 18:30 dhe përse do të hahej në Dhomën e Këshillimit?! Duke i kërkuar sqarime një miku të brendshëm, arrita ta mirëkuptoja orën e pazakontë. Presidenti do ta hante darkën e dytë me përfaqësues të rëndësishëm, që kishin ardhur nga Italia. Ndoshta prandaj isha paralajmëruar, njëzet e pesë minuta kokë më kokë me mua.

Mirëpo përse te Dhoma e Këshillimit?

Pa gjetur ndonjë ndihmë, këtu ngecja. Siç ma kishte zënë veshi, ajo ndodhej në suitën presidenciale, në katin më të lartë të Kullës Damo. Madje ndryshe njihej edhe si Dhoma Damo. Në pozitën e zëdhënësit të shtypit, unë e takoja Presidentin herë pas here, por gjithnjë kur më thërriste në zyrën e tij. Flitej se mes shefave të sektorëve dhe këshilltarëve kishte nga ata, që e kishin provuar atë dhomë. Por duke bërë të paditurin, asnjërit s’i shpëtonte gjysmë fjale nga goja. Gjithsesi, ndryshimet që ndodhnin në strukturën e kompanisë, thuajse pa vetëdije, ne i lidhnim me atë dhomë. Sidomos rritjet në përgjegjësi, pavarësisht se ai që gradohej, kurrsesi nuk e pranonte: “Ç’është kjo pandehmë, unë darkë me Presidentin?! Dhe pikërisht në Dhomën e Këshillimit?!” E teksa mohonte me fjalë e me gjeste, si të trembej mos po e tradhtonte veten nga acarimi i tepërt, e gradonte mirë zjarrminë e kundërshtimit. E themeluar dy dekada më parë nga një emigrant, që kishte kaluar nëntë vjet në ishujt e Greqisë dhe të Italisë, Kompania Damo ishte bërë e famshme. Me gjithë kureshtjen, vonë do ta mësoja se përse mbante atë emër. Por qysh në fillim mora vesh se nuk kishte ndonjë lidhje me statusin familjar të Presidentit, madje as me të stërgjyshërve të tij. Sidoqoftë, ekspansiv në interesat e biznesit, themeluesi e kishte zgjeruar aktivitetin duke u shtrirë në ndërtim, turizëm dhe eksport-import. Por, ndërkaq, edhe duke u dhënë shumicës së akseseve ngjyrimin e logosit të kompanisë. Me një fjalë, Damo këtej, Damo andej, Damo në të gjitha reklamat televizive. Mua më tingëllonte sikur Presidenti donte të shpallte në vazhdimësi një kumt prej orakulli. Në zyrën e tij, në murin pas kolltukut, kisha parë shpesh një mozaik të kompozuar me kartëmonedha dhrahmi dhe lireta të dikurshme. Ishte shenjë nderimi për rrugën nga e kishte nisur, çka i kujtonte gjithashtu majat ku ishte ngjitur. Ndoshta kështu shpjegohej edhe pasioni i tij për antikitetin grek e romak, por dhe qytetërimin e asaj kohe në përgjithësi.Para një sprove të tillë më kishte vënë edhe mua, kur më thirri në testin e punësimit. Me keqardhje e them se, megjithëse tashmë kisha përvojë pune, në atë testim m’u zgjuan ethet e provimeve universitare. “Do t’i pikasë bosi emocionet në sytë e mi?”, thosha me vete. Në moshën e adoleshencës nëna pati vërejtur një dallim ngjyrash. Ajo kishte vërejtur se syrin e majtë e kisha disi në të kaltër, ndërsa të djathtin disi në të gjelbër. Kur deshi të dinte përse kjo veçori, unë nuk kisha ndonjë përgjigje. Im atë kishte ndërruar jetë herët dhe kurrsesi, qoftë me shaka, nuk mund ta provokoja nënën nëse bashkëshorti i saj kishte qenë a s’kishte qenë edhe babai im biologjik. Në fakt, testimi u përqendrua tek aftësitë e mia të kujtesës dhe të shqiptimit. M’u kërkua që çfarëdo të thoshte parafolësi, ta përsërisja menjëherë pas tij. Je gati, djalosh? Gati jam, zotëri. Atëherë Presidenti tha:

– Shammuramat e Shamshiadatit.– Shamshiadat i Shammuramatit, – iu përgjigja, duke bërë edhe lidhjen e kundërt bashkëshortore. Ai mbeti i kënaqur. Megjithatë, kur më pyeti se për cilin Shammuramat të Babilonisë ishte fjala, nuk qeshë në gjëndje t’i thoja për Shammuramatin V. Por kjo s’e pengoi të më punësonte me një pagë sa trefishi i asaj, që merrja deri atëherë si gazetar. Veçse më paralajmëroi, gjatë sezonit turistik të verës mund të ngarkohesha edhe me detyra të tjera.

*Po mbaronte njëri nga sezonet verore, kur u ftova për darkë. Që nga maji kisha kryer gjithashtu detyrën e Shefit të Dekorit, Harmonisë dhe Paqes Shpirtërore për tri resortet bregdetare. Sapo mbushej muaji nga inspektimi i fundit në resortin më luksoz, natyrisht dhe më të shtrenjtin. Në krahasim me Damo 1 apo Damo 3, në Damo 2 nuk kisha pritur të gjeja probleme. Dhe vërtet nuk gjeta. Por ndodhi një incident, që më futi rastësisht në valle. Një qytetar kokëfortë, nga ata që e kërkojnë sherrin vetë, kishte hyrë pa leje në plazhin privat. Ndonëse iu tha të largohej, si të ishte shurdh i lindur, mbasi liroi zhezlongun që kishte zënë, u shtri në rërë pa e bërë qejfin qeder. Atëherë rojat tona iu hodhën përsipër, ia lidhën duart prapa dhe, si i dhanë ca goditje me shkopinj gome, e tërhoqën zvarrë deri jashtë kufirit të resortit. Mjaftuan fotot e vidiot e pushuesve, që mediat sociale ta shpërndanin lajmin (skandalin, sipas tyre) menjëherë. Ato pashë edhe unë, prandaj zbrita në holl. Të pakënaqur me shpjegimet që kishte dhënë Shefi i Sigurisë së Territorit dhe Pasurisë Materiale, teksa dilja nga ashensori, m’u vërsul një tufë gazetarësh. Nuk kisha si t’u shmangesha, sepse ne kishim njohje. Për të mos i ndërsyer mediat më keq, qëndrimi më i përshtatshëm m’u duk ekuilibrimi. Kështu, pranova se situata mund të ishte zgjidhur edhe ndryshe. Si ndryshe, si ndryshe?, shpërtheu e njëjta pyetje. Pa përdorur forcë të tepruar, i rashë shkurt. Mirëpo gazetarët do ta tepronin edhe vetë. Nga e gjithë intervista ime, këtë pohim zgjodhën për të theksuar, duke zëvendësuar fjalët “përdorim i forcës” me “ushtrim i dhunës”.Derisa të shkoja në darkën misterioze, e gjithë përvoja ime në kompani m’u vërtit nëpër mend. Doja të gjeja pikat më të dobëta. Dhe kisha të tilla. M’u kujtua se, para disa kohësh, ai miku i brendshëm më kishte thënë: Si shpjegohet që herë-herë të dy sytë e t’u marrin ngjyrën gri, duke u bërë të mprehtë e të padepërtueshëm? Por kësaj radhe ishte koha ime për të pyetur, ke ti ndonjë mendim? Dhe ai ishte përgjigjur, kam përshtypjen se në një gjendje të tillë e gjithë qenia jote përjeton ndonjë alarm dhe i bën thirrje logjikës antiemocionale. Sa për pikat e dobëta tashmë po më dukeshin të harruara, duke përfshirë edhe incidentin e resortit. Kishin kaluar katër javë pa ndonjë vërejtje dhe unë isha i bindur se, me një telefonatë, Presidenti e kishte bërë nul denoncimin e të dëmtuarit në polici. Pastaj nisa të mendoja për pikat e mia të forta. Më doli se këto zotëronin. Mos isha ftuar për ndonjë rritje në përgjegjësi? Drejtori i marrëdhënieve me jashtë, thua se donte të zhdukej, nuk po kthehej nga Milano dhe bordi i kompanisë do të emëronte drejtorin e ri. Me sa kisha kuptuar, me aq kapitale sa kishin aksionerët e tjerë, mbledhjet e bordit mbeteshin formale, pasi vendimet i merrte Presidenti, si aksioneri kontrollues absolut. Kujtoj se kjo ndjesi, pra përkedhelja e sedrës dhe njëfarë shprese, më ndoqi rrugës për në Kullën Damo.

*Kur hyra në Dhomën e Këshillimit, nuk më kujtohet nëse Presidenti lëvizi ndopak nga vendi, apo vetëm më dha shenjë për karrigen time. Aty gjeta gjithashtu dy zotërinj, praninë e të cilëve s’e shpjegova dot menjëherë. Ndodheshin pas ndonjë takimi pune, apo ishin ftuar kastile duke e ndryshuar protokollin e darkës? (Diç kuptova, kur atyreve nuk do t’u shërbehej ushqim, përveçse shampanjë.) Ishin aksionerë të parëndësishëm, por duke pasur të dy bashkë 11 përqind, përpiqeshin nganjëherë t’i bënin presion kryeaksionerit. Në karrigen që më tregoi, në një tryezë që krijonte hapësirë të arsyeshme, i binte që Presidentin ta kisha përballë. Nuk e di përse, së pari më ra në sy tavani me gdhendje druri përqark dhe tre llambadarët në një rresht, nga të cilët ishin ndezur dy anësorët. Atë të mesit, më të madhin, e kisha pingul sipër meje. Ishte llambadar me degëzime të shkallëzuara, që dilnin tek e tek nga boshti i rëndë, i cili përfundonte me një bronzinë në formë koni, por me majën poshtë. Pak orendi të tjera më janë fiksuar, me përjashtim të minibusteve mbi ekspozitorët prej qelqi. Asnjë pëlhurë me penel, gjithçka tridimensionale dhe e prekshme. Disa nga bustet arrita t’i njihja, sepse Histori kisha studiuar në universitet, duke u specializuar më vonë për gazetari. Mbasi pikasa një Eros mes denaidave, kalimthi po pyesja veten se kujt i përkiste portreti i atij burri, që ishte vënë mes Hermesit të grekëve dhe Marsit të romakëve. Për çudi, duke kapur mëdyshjet e mia, në këtë çast e nisi bisedën edhe Presidenti.– Nuk besoj se e njohe mbretin Dionis të Sirakuzës, – m’u drejtua. – Sigurisht, është vetëm një përfytyrim i tij. Pastaj heshti, derisa i dha fund pjatës së vetme me pesë-gjashtë lugë brumë zarzavatesh. Për shkak të kohës së kufizuar, mua m’u shërbyen njëherësh supa dhe pjatanca e biftekut. Me të lënë picetën, Presidenti mori në dorë një telekomandë, që e kishte mbajtur më të djathtë. Pandeha se me atë pult do të ndizte monitorin e madh, për të më demonstruar ndonjë video, që lidhej me ftesën time. Por monitorin nuk e ndezi, sepse veprimi ndoshta kishte qenë instinktiv.– Pak e nga pak, mbreti Dionis ra në hall me ziliqarët, që i kishte brenda oborrit, – e rimori fjalën. – Këta mëtonjës hanin bukën e tij, por donin t’ia merrnin pushtetin. Prandaj, në vend të punonin për të mirën e monarkut, bashkëpunonin me kundërshtarët. E ç’bëri ahere Dionisi? – e ngrohu paksa tonin Presidenti. – Dionisi i ftoi oborrtarët në gosti. Po cilin uli përkrah vetes? Uli Damokleun, oborrtarin më të bindur. Me porosi të mbretit, sipër kokës së këtij njeriu ishte lidhur një shpatë, që rrinte pezull. Dhe dihet tashmë çfarë e mbante shpatën. Vetëm një qime nga bishti i kalit. Le t’u hynin drithmat rebelëve, le ta shihnin me sy se ç’fije e hollë e ndante kokën e tyre nga pushteti i mbretit. Sepse mjaftonte… Me pultin në dorë, Presidenti e preu fjalën. Me gjasë, kishte shtypur ndonjë buton, pasi ndërkaq dëgjova kërkëllimën që mbante varur llambadarin. Duke dalë nga vrima e rozetës, zinxhiri u zgjat dhe, befas, atë katananë me bronzinën si majë hushte tani e kisha më afër. Ndoshta si unë, edhe dy zotërinjtë ndodheshin për herë të parë Dhomën e Këshillimit, sepse të tre reaguam të trembur. Duke tërhequr karriget mbrapa, secilit na shpëtoi një britmë e mbytur. Nuk kisha mundësi ta shihja veten, por pashë se në fytyrat e tyre s’po hiqej shfytyrimi. Ndoshta mendonin se, po të kishte rënë llambadari mbi mua, si zor t’u shpëtonin brirëve të tij edhe kokat e tyre. Heshtje tjetër nuk pati, pasi Presidenti foli sërish. Ai u kërkoi ndjesë zotërinjve, ngaqë mbledhjen e bordit të ngushtë e kishte mbajtur në atë mjedis privat. Pastaj shtoi:– Por tashmë, meqë e kemi marrë vendimin që ju propozova, mund të largoheni. Dhe sapo mbetëm vetëm, më foli në emër: – Pa kujtohu, Enkel Hakani, si u shprehe në atë intervistën tënde?! Ti the se ishte përdorur forcë e tepruar, kur situata mund të zgjidhej ndryshe. Po ahere, përse nuk e zgjidhe ndryshe?! Si Shef i Dekorit, Harmonisë dhe Paqes Shpirtërore ti ishe pikërisht në pozitën për ta zgjidhur. Mirëpo, kur llape para gazetarëve, nuk mendove se po rëndoje Shefin e Sigurisë së Territorit. Përse nuk funksionoi harmonia mes jush?! Si e harrove ashtu interesin global të kompanisë?! Po kujdesin për paqen time shpirtërore në ç’djall e çove?! Ti shkelmove të gjitha përgjegjësitë e tua, Enkel Hakani!.. Përballë këtij sulmi të furishëm, si të mos e kisha pësuar pak më parë, zinxhiri më gjeti përsëri të papërgatitur. Dhe kësaj here krëkëllima ishte më e fortë, sepse zinxhiri u lëshua vrullshëm. Sa e ndanin tani majën e bronzinës nga koka ime, një apo dy pëllëmbë?!… Mos jam përfshirë nga emocionet, më shkoi nëpër mend, ç’ngjyrë kanë marrë sytë e mi, e ka pikasur Presidenti alarmin tim? Isha ende në këtë pështjellim, kur dëgjova zërin e tij: – Në rrëzën e degëzimit nga ana jote është vendimi. Pres ta lexosh. Zgjata krahun dhe e shqita pusullën. Aty shkruhej: “Vërejtje e rëndë me paralajmërim për pushim nga puna.” E ndjeva se kisha arritur ta përmbaja veten. Nuk fola as në çast, as ndërsa nxirrja nga xhepi stilolapsin. E ktheva pusullën së prapthi dhe hodha një shënim, të cilin e nënshkrova. Të nesërmen, në blogun e kompanisë u njoftua pushimi im nga puna. Gazetarët më telefonuan menjëherë. I thirra në konferencë shtypi dhe, për fat të mirë, kolegët e dikurshëm nuk më lanë në baltë. Atyre u zbulova të vërtetën e shënimit, që kisha nënshkruar të mbrëmshmen. Për të mos cënuar privatësinë e pronarit, nuk pohova se e kisha zbuluar origjinën e emrit të kompanisë. As fola për llambadarin me zinxhir, por u përqendrova te Dionisi i Sirakuzës. E rikrijova me hollësi gostinë, ku mbreti ftoi oborrtarët e tij. Duke u ndalur te përdorimi që i bëri oborrtarit më besnik, i qëndisa nga vetja ca përshkrime situatës me shpatën pezull, atë shpatën me majë të mprehtë që qëndronte varur në një qime kali. Pastaj pyeta ballazi:– E çfarë do të bënte oborrtari i gjorë, nëse mbreti shtronte një gosti të dytë? Mediat u përgjigjën me tituj të ndryshëm. Por mua më ka mbetur në mend ai i gazetës më të madhe: “Damokleu jep dorëheqjen”.