Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: O zot, sa i bukur është ky djalë!

154
Sigal

O zot, o zot, sa i bukur është ky djalë! thoshte Emineja me vete, teksa ndërronte njërën pas tjetrës pecetat e lagura mbi shpinën e tij të shpuar tejpërtej nga plumbi. O zot, sikur të kisha fat një burrë si ky… Djaloshi i plagosur rëndë kishte një fytyrë të butë, me mjekër të prushëritur përfund faqeve. Sytë e mëdhenj i mbante gjithë kohën mbyllur nga jermi i zjarrmisë nën flokët drudha-drudha, me një shkëlqim të zi, si të korbit. Emineja e kishte gjetur përmbys, atë mbrëmjeje në fundin e arës së misrit, teksa ishte duke mbledhur lopët. I plagosuri kishte mbetur aty, fill pas luftimit midis disa partizanëve shqiptarë, që donin të depërtonin në fshatin e tyre buzë kufirit dhe nacionalistëve kosovarë, që përpiqeshin të pengonin hyrjen e komunistëve në ato anë. Djaloshi i përgjakur merrte frymë me zor dhe rënkonte sikur po jepte shpirt. Eminesë i erdhi aq keq, sa iu duk sikur po i këputej zemra brenda kraharorit. E ndihmoi të ngrihej, derisa e shtriu përmbys mbi kurrizin e lopës. Dhe sapo arriti në shtëpi, e futi në bodrum bashkë me nënën e saj. -Ku, ku, moj loçka eme, ça ke me ndigjue prej Xhelës, që e ke pru ke shpia këtë burrë të huej! – i tha nana Rabie, me merak të madh për sherrin e pritshëm të babait. -A thue, s’kena me ia mbush mendjen, se ishte gjynah nga zoti, me e lanë të vdiste në fund të arës sonë, kur ishte ende gjallë!… -Vallahi, s’di çka me thanë, po Xhela ka me u tërbue për këtë burrë, që ia kena fut në shpi!… Ndërsa nanë Rabia shkoi të bënte gati ndonjë ushqim të lehtë për të plagosurin, Eminesë i ra ndërmend, se sot kishte mbushur plot njëzet vjeç. Dhe askush në shtëpi nuk ishte kujtuar për të festuar ditëlindjen e saj. Njerëzit e kishin mendjen vetëm te lufta. Djaloshi i plagosur rënkoi një çast dhe Emineja i lagu buzët ngjyrë qershie me ujin e bardhakut nga shtamba e ftohtë. Ai kishte temperaturë të lartë, digjej prush, aq sa e kishin zënë dridhmat. Ah, sikur të shpëtojë nga vdekja, mendoi ajo. Sikur të shërohet e të më dojë për nuse… Atëherë lumja unë e lumura për këtë azgan bukurie… Por nga ato ëndërrime lumturie e shkëputi befas ardhja e zhurmshme e të atit të saj, Xhelës, që hyri në bodrum me armën mbi sup, i ndjekur nga nenë Rabia. Ai hodhi një sy të kujdesshëm mbi njeriun e shtrirë e të ndriçuar dobët prej llambës së vajgurit. Pastaj, sikur ta kishte pickuar gjarpri, i hipën kacabunjtë krejt papritmas dhe bërtiti me sokëllimë: -Ajiii… Po ky asht ai komunisti që kam vra unë sot, moj u vraftë zoti, ça keni dashtë me e pru në shtëpinë teme? – dhe vetvetiu dora i shkoi te arma nën sup. Emineja u çua vrikthi në këmbë dhe iu hodh të atit në gjoks, duke e pushtuar me të dy krahët. -Në paç besue të madhin zot, mos e vra prapë, or babë, se ban gjynah të madh! – iu përgjërua me një zë të dridhshëm e me sytë të mbushur me lot… Por në sytë e Xhelës shkëlqeu një egërsi armiqësore e padurueshme. -Ç’ka je tue folë, moj çike?!… Ky armik komunist, vrau dy vetë nga forcat tona nacionaliste e unë shtiva përmbi të, tue mendue se vdiq në vend. Si paska ardhun i gjallë në shtëpinë teme?!…Pu, pu, ça keni ba, moj gra budallaqe, ju marroftë zoti! E tash duhet me e hjekun qafe sa ma parë… Rabia e tronditur i kujtoi atë çast të shoqit zakonin e lashtë të kanunit. Armiku që kishte hyrë në shtëpi i plagosur, duhej shëruar e mandej të përcillej deri sa të dilte i paprekur nga trojet e tyre. Xhela u mendua një grimë. Rabia kishte të drejtë. Kanuni ishte i shenjtë, ndonëse ndjente urrejtje të tmerrshme për ata komunistë, të përfolur si të pafe, e gjakatarë të pashpirt. Megjithatë, rreziku që vinte prej tij, ishte i madh. Po ta merrnin vesh shokët e njësisë territoriale që drejtonte, se kishte futur në shtëpi një njeri të tillë, do ta pushkatonin patjetër si tradhtar. Por duke parë të bijën dhe gruan që prisnin përgjigjen e tij me pamje të përgjëruar, Xhela tha me ton të ashpër: -Atëherë, pra, duhet me e shërue sa ma parë e ta nxjerrim jashtë pragut tonë. Po shkoj në fshatin fqinj të marr atë infermierin italian, që ka mbetun aty prej kapitullimit, ta sjell në shtëpi… Ai doli me vërtik dhe grave u qeshi buza. Infermieri Italian Pepe, arriti pas një ore dhe menjëherë u përkul mbi të plagosurin. E kontrolloi me kujdes dhe i mati temperaturën. E kishte në shifrat kritike. Plagët, si në hyrje edhe në dalje të plumbit, kishin filluar të infektoheshin e të ënjteshin. Pasi hodhi një sy mbi Xhelën i tha me një zë pakëz të ndryshuar. -Vdes shpejt. Plaga shumë keq. Temperatura tropo alta. Xhela shprehu kënaqësi në fytyrë, që i plagosuri do të vdiste pa u detyruar të shkelte zakonin kanunor. Mandej italiani i mjekoi plagët me lëngjet dhe pluhurat që kishte në çantën e tij dhe la për të një shishe me kokrra shëruese. Xhela e pagoi infermierin me dy monedha floriri dhe e përcolli deri afër fshatit ku e kishte marrë. Emineja vazhdoi të qëndronte përkulur mbi të, me dhembshuri mjaft të madhe. Ajo filloi menjëherë t’i ndërronte njërën pas tjetrës pecetat e lagura mbi ballë e mbi gjoksin e mbuluar me një shtresë të lehtë pushi të zi. Më pas Rabia solli një tas me kos dhe Emineja filloi t’a mëkojë lugë pas luge, pasi ai ende nuk po çelte sytë. Fill pas ushqyerjes, ajo nuk ia ndali kompresat me ujë të ftohtë deri vonë, kur u duk se balli i tij ishte diçka më i freskët. Xhela u kthye krejt nervoz. Ai iu vërsul Eminesë me një togfjalësh plot qortim, që kishte sjellë në shtëpi një telash aq të madh. Gjithsesi nuk e goditi, por e mori të bijën për krahu me forcë, që të ngjitej lart për të fjetur. Vajza u shtri me përtim, por nuk e zinte gjumi kurrsesi. Në retinën e syve të saj shfaqej pareshtur fytyra e tij e skuqur nga zjarrmia dhe gjoksi djaloshar me prushërimin e zi mashkullor. Vallë ç’po bënte ai në ato çaste nate krejt vetëm?… Ajo nuk duroi dot më tej dhe në mesnatë u çua pa u ndjerë. Por me të hapur lehtas derën e bodrumit, ngeli e stepur dhe e mrekulluar nga habia. Djaloshi kishte çelur sytë e mëdhenj dhe i drejtoi mbi të me mjaft ngrohtësi. Tani temperatura i kishte rënë atij, por çuditërisht filloi t’i grihej asaj, aq sa e ndjeu të gjithë trupin prush. -Ku jam këtu? -pyeti djaloshi me një zë drithërues të lehtë. -Je në shtëpinë teme. Je krejt i sigurt … – i murmuriti ajo me ton të ngrohtë vajzëror. -Kush më solli këtu? – pyeti ai sërish me zërin e drobitur. Emineja faqekuqe i shpjegoi me radhë të gjitha çastet e vështira, nga ara me misër, në shpinën e lopës, e deri në bodrum, ku gjendej tashmë. Si dhe morinë e pecetave, që kishte shtrydhur nga balli dhe gjoksi i tij… Atëherë ai lëvizi kryet me kujdes dhe i puthi dorën e mbështetur te balli. -Të faleminderit, motër, që më shpëtove jetën! – u shpreh me ton të ngrohtë tepër mirënjohës. Më tej ai e pyeti për emrin, i tha se vetë quhej Petrit dhe se ishte nga Jugu i Shqipërisë. Emineja i dha të pinte një kokërr nga ato që la infermieri italian. Petriti dridhej nga mirënjohja, i puthi dorën sërish dhe i tha, se donte vetëm të bisedonte me të. Sepse vetëm fytyra dhe zëri i saj ishin ilaçi më i mirë për të harruar dhimbjet e tmerrshme. Por edhe Emineja ndjente, se të fliste me të, ishte si të dilje shëtitje në parajsë. Ata biseduan gjatë, zbuluan të fshehta e shpirtit të njëri-tjetrit dhe në agim e ndjenin veten si njerëz të afërt, të njohur prej vitesh. Të nesërmen, teksa Xhela shkoi për të mbledhur forca luftëtarësh në fshatrat e zonës, Emineja, zjeu një zog pule, gatoi petulla, shtrydhi rrush dhe gjeti mjaltë te një shoqe. Bëri gjithçka mund të bëjë një grua, e cila kur të do, begatinë e ushqyerjes ta nxjerr edhe nga fundi i dheut e ta krijon nga zjarri. Pas tri ditësh, Petriti ndjehej aq i fuqishëm, sa mund të qëndronte mbi këmbët e veta. Dhe iu duk sikur një shpend i madh përdëllimtar kishte zbritur nga qielli, për të hedhur balsam mbi plagët e tij. Në mbrëmjen e fundit, Emineja, u ngrit sërish në mesnatë dhe shkoi te “parajsa” e bodrumit të saj. Petriti i kërkoi të hiqte shaminë nga kryet, për ta parë mirë, që të mos e harronte kurrë fytyrën e asaj bukurosheje faqekuqe. Atëherë Emineja zgjidhi shaminë dhe mbi supet e saj u derdh befas një kurorë flokësh të dendur ngjyrë mjalti. Dukej si një model bukurie, me ballin të lëmuar si mermeri, me sytë e ndritshëm depërtues, me faqe të purpurta prej lulesh. Petriti, i emocionuar e i magjepsur prej saj, e ftoi të shtrihej në gjoksin e tij dhe e puthi në buzë. Dhe teksa shpirtrat e tyre po afroheshin me shpejtësi, ai i tha me një zë të prajshëm: -Me ke shpëtuar jetën e unë dua të ta shpërblej duke zbukuruar jetën tënde, – dhe i dha fjalën, që sapo të mbaronte lufta, do të vinte ta merrte të veshur nuse, ta shpinte në vendlindjen e tij buzë detit, ku kishte shumë ullinj e portokalla. Mandej Petriti i hapi tërësisht dyert e zemrës për të. Dhe Emineja ndjeu, se kurrë ndonjëherë nuk kishte dëgjuar një qenie njerëzore të fliste në një mënyrë aq robëruese për zemrën e saj. Atëherë ajo i tha djaloshit të zemrës me një zë çuditërisht vagëllues: -Ti je toka dhe qielli im në këtë dynja, e tjetër s’ka e s’ka për të pasun. Të nesërmen ai lidhi shpatullën, duke e ngjitur krahun pas gjoksit me një fashë që i dha Emineja dhe u bë gati për udhë. Tashmë plagët kishin zënë kore. Do të shkonte të vazhdonte luftën me shokët matanë, duke lënë zemrën peng te kjo vajzë matanë e kufirit. Ndonëse gratë kishin urdhër të prerë nga Xhela për ta përzinin nga shtëpia sapo të çohej në këmbë, Emineja i tha me lot në sy: -As të mbaj, as të përze dot. Por veç ta dish, se shpia dhe oxhaku yt janë në zemrën teme!… Në mbrëmje, ajo e përcolli deri matanë arës së misrit, ku e kishte gjetur. Dhe i tregoi të gjitha rrugët sigurta nga duhej të kalonte. U puthën, duke u kthyer disa herë te njëri-tjetri, sikur të ishin lidhur me një kordon të trashë llastiku, që nuk i linte të ndaheshin. Më në fund ai humbi pas kodrës me dushqe dhe ajo qau deri në agim. Pa u mbushur ende muaji, forcat e bashkuara të brigadës, ku bënte pjesë, Petriti, mësynë drejt Veriut, duke hyrë në thellësi të fshatrave të Kosovës. Njësia, ku ai ishte zëvendëskomisar, u lokalizua në afërsi të fshatit të Eminesë. Partizanët kishin kapur disa nga krerët nacionalistë. Mes tyre edhe komandant Xhelën e “tmerrshëm”, të cilin e kishin futur në bodrumin e një shtëpie, ku ishte vendosur shtabi i batalionit. Zëvendëskomisar Petriti hyri në bodrum, për të biseduar me atë njeri të përfolur për krime, para se të vinte urdhri nga komanda e brigadës për ekzekutimin e tij. Xhela, me fytyrën e ngurosur nga dëshpërimi, e njohu menjëherë partizanin e plagosur, që kishte bujtur në shtëpinë e tij. Krejt ndryshe, Petriti nuk e kishte parë asnjëherë fytyrën e atij burri, pasi u përmend në bodrumin e Eminesë. -Duhet me ma fal jetën… -i pëshpëriti Xhela me zë të ulët, që të mos dëgjonte partizani roje jashtë derës. Petriti shtrëngoi nofullat me përbuzje dhe nervat iu tendosën në mënyrë elastike. -Kurrën e kurrës, -i shfryu egër e me ton kërcënues. – Armiqtë e kanë vendin në litar, ose plumbin ballit!… Xhela uli vetullat e kreshpëruara dhe u rrek ta zbusë shprehjen e vrerosur të fytyrës. -Ke dhanë një premtim… – i tha gjithnjë nën zë. -Ty? -u habit Petriti duke ngërthyer vetullat me një dridhje nervoze. -Sime bije, Eminesë… Petriti shqeu sytë te shfaqja e beftë e atij njeriu aty. E vërejti me kujdes dhe dalloi në atë fytyrë të ashpër, disa përngjasime të afërta me njeriun e paharruar të zemrës së tij. -Jetën, ime bijë, ta ka shpëtue në shtëpinë teme, me dijen teme… – shtoi Xhela gjithnjë qetësisht. Petriti ndjeu një ftohje të përgjithshme në krejt gjymtyrët e veta. Nuk foli dot asnjë fjalë më tepër, po u ngjit te zyra dhe ra në mendime të thella. Iu kujtua Emineja, me flokët e lëshuar mbi supe, kujdesi i saj i përgjëruar… Hodhi sytë te rafti i veglave të të zotit të shtëpisë dhe pa aty një sharrë hekuri. Në mesnatë ai u afrua dritares me tre shufra hekuri, ia hodhi Xhelës në bodrum dhe rrëshqiti, pa i rënë në sy rojes. Sapo zbardhi dita, u pa me habi se komandanti nacionalist i zonës kishte prerë njërin nga hekurat e dritares së izolimit dhe ia kishte mbathur. Alarmi në komandën e batalionit partizan bëri që të vihej në lëvizje sektori i sigurimit të brigadës. Grupi i sektorit të sigurimit, që pati regjistruar qëndrimin e Petritit të plagosur në zonat e armikut dhe roja që vërtetoi takimin e tij me të arrestuarin mbrëmjen e kaluar, përcaktoi menjëherë fajësinë… Zëvendëskomisari u nxor para gjyqit partizan dhe u dënua me pushkatim për tradhti të lartë. Lajmi u përhap rrufeshëm në të gjithë fshatin. Emineja u zvarrit me mjaft mundim, deri te varri në fund të arës së misrit. E vrarë, e dërmuar dhe e mbuluar nga lotët, vajza kosovare tha me habi: “Çudi, si mund t’i marrin shqiptarët jetën njani-tjetrit, vetëm se disa kanë vu në kapele një shkabë e të tjerët një yll!…