Kush të jetë në këtë natë të thellë?!
Kush s’më lë të mbyll sytë?!
Ç’është ky tingull kaq i dridhshëm
që prek të gjitha ndiesitë?!
Ky tingull dehës, i largët,
i trishtë,
Ky tingull përzier me zërat e natës,
që trazon kaq keq këtë shpirt?!
Kush të jetë?!
NATE LEDHATARE
Bulkthat e natës,
dhe një tingull i rrallë,
si një ndjenjë e ngrohtë, e pajetuar,
si një ndjenjë e valë.
Zëra yjesh, që vijnë që larg,
fllade të freskëta,
që fryjnë rreth e qark
këtë natë ledhatare
të ëmbël, të paqtë,
për t’u dashur më në fund marrëzisht.
Për t’u dashur më në fund sadopak.






















