Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Thërras

184
Sigal

Mos ma shihni pëllëmbën!

Fati im fle nën lëkurë.

Mbi të le të ndërthuren vijat,

zemra nuk lodhet kurrë.

Jam i mirë, se e ndjej dhembjen,

në mos qoftë gjer torturë.

S’kam flirtuar kurrë me humbjen.

Thashë poet, kam kuptuar burrë.

Thomëni:

Ç’është kjo forcë,

që më bën të jetoj në këtë univers?

Mos dhembja,

që të bën gjithmonë e më të mirë,

të përballesh me të keqen,

qoftë me jetë të vështirë?!

Ngulçime më shtrëngojnë fytin.

Dikush më quan “zbukurim i hiçit”,

dikush tjetër “ sëmundje” poet, poet, poet…

Po s’ka betejë pa ëndërruar.

Gjykimi i ftohtë nuk vlen pa ëndrrën,

miken e parë të sinqertë.

Ndaj, thomëni:

Kush është perandori i botës,

Dielli vetmitar apo unë?…

Shtërngoj përsëri grushtat

dhe qaj për një nesër

dhe thërras, thërras,

se ju dua shumë.

 

Johnnie Ëalker

Të gjithë ne jemi djem periferish

dhe tek reklamat fare s’ besojmë.

Po një Johnnie Walker, një, sinqerisht,

pse mos ta duam, mos ta shijojmë?

Dikur besuam e sot ëndërrojmë,

një ditë t’ia mbathim, fatkeqësisht.

Se kohës nervat më s’ia durojmë.

ka vite që po sillet me ne egërsisht.

Mos jemi ngjizur në çastin e keq?

Mos na ka rritur hipokrizia?

Njeriu i ri, reklamë qe vërtet?

Mos për atë vendos prapë “partia”?

Po brenda nesh rreh zemër e madhe,

u rritëm heronj të skamjes, për dreq.

E si mund të ndreqet një ditë pa halle?

Kush mund ta ndreqë? Si mund ta ndreqë?

S’e dimë në idetë e mëdha, vërtet,

janë ato, që vijnë nga kreu o fundi.

S’e dimë në ndryshojnë ato vetë në këtë jetë,

apo ne, të gjithë, nuk po jemi gjëkundi!?

Po dihet një gjë: që t’ia dalim kësaj bote,

duhet zemër e madhe, po dhe shpirt fisnik.

Mos mbetemi robër brenda një gote,

në detin Johnnie Walker si akuj kubikë.