Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Një kavanoz me reçel

140
Sigal

Në “pushimet” e vitit të tretë (të universitetit), u ndodhëm duke hapur trase në Kraps të Fierit. (Hekurudha Fier-Ballsh) Në një nga mesditat e nxehta, nja dy nga drejtuesit e sektorit e kapën keq me ne, pasi kishim lënë pas dore një mal me dhe, që duhej dërguar ca metra më tutje…Pedantët dhe ekstremistët janë ata më të padurueshmit, në çdo kohë a rend. Po ju them që punonim shumë, por mbase kishim qëlluar në një ditë të errët. Mirëpo, u bë sherri sherr dhe pedantët ngritën më këmbë trasenë, duke na kërcënuar…

Bashkëstudent me ne, ishte edhe Edi Mosiu, që ne i thoshim Ed Moja. (Më pas, ka qenë në disa detyra si oficer i lartë.) Ishte pak më i madh se ne në moshë. Ishte i gjatë, i avashëm, i dashur, i muhabetit; kishte qenë basketbollist me “Partizanin” dhe me Kombëtaren. (Gjuante përherë në fundore, në krahun e djathtë.) Epo, Edi iu foli nja dy-tre herë atyre pedantëve që të mos e prishnin zemrën, por ata veç hakëreheshin: “…Se Partia nuk e di që ju këtu argaliseni…Ë? Po do ta shikojmë këtë punë.” Kur e thyen qafën, Edi tha: “Pse mërziteni, mor jahu!” Dhe shkoi sakaq andej nga ishin çantat e gocave; se ku rëmoi dhe gjeti një kavanoz reçel. Ndoshta ia mori Ketit, që e kishte të dashur (dhe sot e ka grua). (Një vajzë e mrekullueshme.) Ndërkaq, nja dyqind metra më andej, punonte një buldozer. Edi u nis pikërisht për atje. Siç doli më pas, ai i dha buldozeristit vazon me reçel. Në këmbim, ky “trimi” erdhi aty te mali me dhe, të cilin e sheshoi dhe e shpuri ku duhej për nja njëzet minuta, kohë gjatë së cilës ne vazhdonim të “argaliseshim”.

E pse duhet prishur zemra, më thoni…