Frynte në pyll një erë e marrë,
por Ujku ndjehej në delir.
“Këta që po na rrinë pranë,
të m’i gostitni sa më mirë…
S’ka rëndësi, çakej a dhelpra,
nga një nderim shpejt ua bëni!
Kurora them, me gjethe e shpendra.”
“Imzot, patjetër, por na ndjeni,
se këto gjethet zverdhen shpejt
dhe mund të bien një nga një.
Kështu, kurorat… ah, medet (!)
nuk kanë për të shkëlqyer më…
“Ne s’dimë a do të jemi vetë
deri atëherë, o trutharë…”
Iu vu pikë muhabetit,
ndërsa kuiste erë e marrë…
Fabul
Pas gjuetisë
Pas gjuetisë,
prenë zunë të ndanin:
Luani, Ujku dhe zonja Dhelpër.
-Urdhëro zotrote, se je i vjetër,
ndaje! – i tha Ujkut Luani.
Dhe priti puna si do shkonte.
-Epo, – tha Ujku – kjo për mua.
Kjo tjetra për ty;
të takonte.
Ja edhe Dhelpra pjesën e saj.
Si thoni,
mirë po e ndaj?
Luani si pa qejf u duk
dhe krifa e ashpër iu bë gjemb;
i dha një shkelm të ziut Ujk
sa e përplasi te një shkëmb,
(ku ia filloi me rënkime).
Pastaj iu kthye Dhelprës qetë:
-Ndaje ti prenë, mikja ime!
Edhe shiko, të jesh e drejtë.
-Posi, – tha Dhelpra – kjo për ty;
kjo tjetra gjithashtu,
nuk ka sesi.
Merr dhe këtë… nëse e do,
është pjesa jote, apo jo?
Lëvizi vendit egërsira.
-Ku ke mësuar ti kaq mirë?
-Prej tij…, – tha ëmbël zonja Dhelpër,
duke treguar me një kthetër
Ujkun e shkretë
ngjeshur te shkëmbi.
Këtu edhe u mbyll kuvendi.




















