Pasi mbaroi takimin në Lagje, Kandidati për Deputet na mori ne, një pjesë të çunave të Lagjes, për drekë; domethënë ne, një pjesë e çunave (të Lagjes) e çuam atë dhe shoferin e tij për drekë.
Ai kishte qenë deputet edhe në legjislaturën e shkuar; tash po luftonte të kthehej sërish në Parlament. Ia thoshin emrin Dilaver, por shkurt e thërrisnin Lake. Shoferi i tij ishte një birbo, që herë pas here komentonte duke zbardhur dhëmbët: “Shefi ashtu.” “Shefi kështu.” Ose e kundërta.
- Dilaver të jepte përshtypjen se nuk kishte ngrënë mëngjes; pastaj, e mori pak me rrëmbim edhe të pirët, dhe filloi të fliste ca si shumë. Ç’ishte më e keqja, ai dukej i shpërqendruar, kërcente nga njëra temë në tjetrën dhe çdo fjalë a term e përdorte njëherë në origjinal dhe herën tjetër duke thënë inicialet ose duke vënë në dukje simbolet…
-Kripën, – tha dikur ai – unë përpiqem ta mënjanoj. Kripa, NACL, më bën dëm për tensionin. E Kape?
Se çfarë duhej të kapnim, ecë e gjeje. Dhe pas një copë here:
-Kemi disa pengesa nga Koalicioni për Mbrojtjen e Vlerave Kulturore, KMVK, që do të tejkalohen me kohë. Ne ndërhymë fort. Komisioni i Kuvendit për Trashëgiminë, KKT, s’e luante fare menderen…
Çunat e Lagjes dëgjonin gojëhapur. Unë isha çun i ri (në atë lagje). U habita pak me heshtjen e tyre dhe, po ashtu, me zhdërvjelltësinë e deputetit. Për më tej, nuk po e ‘kapja’ dot thelbin e bisedës dhe, ca më pak, këtë punën e inicialeve dhe të simboleve. Por nuk e bëra veten. Deputet tjetri; do t’i japë takimit njëlloj fryme e intelektualizmi. Ani, fundja biseda nuk po shkonte edhe aq keq. Dilaveri e drejtonte atë në hullitë që duhej. Ai qe vërtet një muhabetçi i mbaruar.
-Ja, le të marrim Luftën Nacional-Çlirimtare, – tha pas një çikë. – Kundërshtarët tanë e nënvlerësojnë atë. Lufta Nacional-Çlirimtare, VFLP, ajo i solli popullit lirinë. 29 nëntor 44. E kape?
E, këtë herë e kishim ‘kapur’ disi. Në fakt, gjëra të tilla ne nuk i dinim mirë; mbase edhe i dinim, i kishim dëgjuar, por se po na i kujtonte deputeti, s’kish ndonjë të keqe. Mirëpo, nga lufta ai shkoi te municionet, ashtu erdhi biseda:
-Kisha një revolver, TT 12 741, epo që ta dini ju, e shkreha njëherë, në një miting… Ja, e them hapur unë, jam pak nevrik.
Nevriku Lake po tregonte shenja që ish bërë dhogë tashmë.
-Ne do luftojmë çdo abuzim, – e ngriti ai zërin dhe gotën. – Ndërrova unë makinën? Më parë kisha një benz Tr/A 24 52, tani mora këtë Audi 5 Tr/ A 279. E kape? Po u rri goja njerëzve! Pse e ndërroi makinën ky… Se ky kishte atë benzin Tr/A 24 52 ashtu 25, jo mirë e kisha 52… po ky si e mori këtë makinën tjetër Audi 5 299 jo 289, domethënë 279… ky e di më mirë. – tregoi me dorë shoferin, që gjithashtu ishte bërë karroqe. – I thanë të dashurës sime A. K., që ky ashtu dhe kështu… Për mua de, e kape?
Uau! Iku deputeti. Po hynte në tema intime.
-Se e dashura ime kishte një floktore. E kape? Këtu te “Myslym Shyri”, 25 810. Ashtu. Këto lëndët e para ia siguroja unë; tani, pak tregti do ta bëjmë. E kape? Epo ishte njëlloj kremi, dale si e kishte, hë, Top notch E J 18, viti i prodhimit 4014, jo 2014, jo e tetëmbëdhjetë…
Pas një copë here, ne çunat e Lagjes, e morëm kandidatin për krahësh e për këmbësh dhe e futëm në makinë. Ai vazhdonte të mbante fjalim e t’i shoqëronte fjalët dhe termat me iniciale dhe simbole:
-I thashë Kryetarit, kalojeni Ministrinë e Shkencës dhe të Arsimit MSHA, jo të Arsimit dhe të Shkencës, MASH, në godinën ngjitur, Rruga e Durrësit 90 12 dhe këtu bëjmë ndonjë biznes… T’ëmën, sa paskemi ngrënë! Sepse, një gjë është e qartë: Kur ti përdor shumë kripën, NACL, apo jo…
Obobo, filloi nga e para! Se tani vinte radha për VFLP… Ndërkaq, shoferi i tij, shkërdhata, vazhdonte të zbardhte dhëmbët: “Shefi ashtu…” “Shefi, kështu…”
Zot! Po ne, çfarë po bënim ne? Më erdhi shumë keq për çunat e lagjes. Edhe për veten doemos. “Por do përmiret… përmirë… sohet ele furnizimi i popullatës me ujë, H2O.”
Ndjeva nëpër mollëzat e faqeve një lot. Më erdhi shumë keq…