Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues
Përshëndetje, mike Trandafile! Është kënaqësi, që po e zhvillojmë bashkë këtë Bisedë të thjeshtë…
Së pari, a mund të tregosh diçka për origjinën, familjen dhe shkollimin tend?
-Përshëndetje dhe mirë se ju gjeta, i nderuar profesor Murat Gecaj! Faleminderit dhe ju jam mirënjohëse për ftesën tuaj, në këtë bisedë!
Kam lindur më 5 janar 1957, në qytetin e bukur bregdetar të Durrësit. Në një familje të madhe, por me ndjenja të mëdha patriotike -atdhedashurie. Jam fëmija dhe vajza e parë e Shuaip Mollës. shofer në SHNUM-in e kohës. Një njeri punëtor, mjaft veprimtar dhe nuk kam ndrojtje ta them, një komunist i orëve të para, me ideale atdhetare e demokratike. Një njeri i ndershëm, që rriti gjashtë fëmijë me djersën e ballit, por me dashurinë e madhe për familjen, vendlindjen e Atdheun… Unë kam mbaruar Gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skënderbe” të qytetit tonë. Kam mbaruar dhe kursin dyvjeçar letrar, në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, me aktorin dhe profesorin Milto Profi, me “Nderin e Kombit” profesorin Gjergj Vlashi dhe regjisorin, të nderuarin Enver Plaku. Aty u dallova një nga nxënëset më të mira të kursit.
Keni shumë vite, që jetoni në emigracion, në Italinë fqinje, plagë që pothuajse e ka çdo familje shqiptare… Si u përshtatët, në fillim, me jetën e re atje? Po me pas, si rrodhën ngjarjet për familjen tuaj?
-Jetojmë prej 24 vitesh, në Novara të Italisë. Asnjëherë nuk e kam menduar e jo të kem dashur të largohem nga shtëpia, nga vendlindja e atdheu im i dashur dhe i shtrenjtë. Nuk kam pasur arsye të gjej një atdhe të dytë, sepse vendin tim nuk e ndërroj me as një vend tjetër në botë.
Vitet e ndërrimit të sistemeve na gjetën në radhët e ushtrisë, Bashkëshorti, Ramazan Baja ishte mjek, me gradë kolonel dhe si komunist për kohën dhe për sistemin e ashtuquajtur demokratik, ishte i pavlefshëm. Me reformën e parë në ushtri hiqet dhe ai merr rrugën e mërgimit, duke lënë një grua të re dhe dy vajzat, që ishin me studime. E madhja vazhdonte Institutin e Fizkulturës, Enkelejda Baja, kampione dhe përfaqësuesja e vendit për pesë vite rresht, në disa vende te botës, si Greqi, Belgjikë etj., në gjimnastikën artistike. Ndërsa vajza e dytë, Sllovana Baja vazhdonte, në atë kohë, Gjimnazin “Naim Frashëri”. Për idetë, që kisha, reforma tjetër më zuri edhe mua. Kështu, u detyrova dhe ndoqa bashkëshortin, së bashku me vajzat, që tashmë ishin të fejuara, me djem shembullorë, të cilët vinin nga familje të mrekullueshme.
Me buzëqeshje, tash pas kaq vjetësh, kujtoj se, gjashtë muajt e parë në emigracion, në mbrëmje beja gati valixhen me rroba, për t’u kthyer në Atdhe. Ndërsa në mëngjes, duke qarë, vetëm mendimi se ku do ta lija familjen më detyronte të kthehesha mbrapsht?!
Vitet rrodhën, si pa u ndjerë dhe kujtojmë që edhe këtu, në Novara të Italisë, vetëm me dinjitet dhe punë mundëm të fitonim zemrat e miqve dhe dashamirësve vendas. Të gjithë jemi sistemuar me punë dhe familje. Sot jam gjyshe e lumtur, me tre mbesa të edukuara, që flasin jo vetëm italisht, por dhe shqipen e bukur…
Kemi punuar të dy, burrë e grua, në një spital të vogël, me të sëmurë psikikë. Aty m’u dha mundësia të studioj dhe të kualifikohem në vendin e punës jo vetëm në Itali, por diploma mbulon edhe Komunitetin Evropian. Krahas punës për të mirën e familjes, kam bërë shumë punë vullnetare, në “Karitas”. Aty kam ndihmuar qindra familje shqiptare, me eksodin e 97-s dhe sot janë të gjithë të rregulluar me punë e shtëpia. Kurse unë gëzoj prej tyre vetëm respektin e njerëzve të mirë.
Kur të lindi dëshira për të shkruar, në poezi e prozë dhe cili të nxiti ose të ndihmoi më shumë, në këtë drejtim?
– Duke filluar nga jeta e gjimnazit e deri me sot, kam shkruar gjithë jetën time. Që atëherë, ende shkruaj në fletore, në kompjuter dhe celular. Shoqet më kujtojnë si studente me një fletore nën sqetull dhe një laps në dorë. Por, e martuar shumë e re dhe e humbur mes dallgëve të jetës, nuk m’u dha mundësia për t’i botuar krijimet e mia. Ndërsa, me rastin e 55-vjetorit të ditëlindjes sime, familja më bëri dhuratë një kompjuter.
Me mbështetjen dhe këmbënguljen e bashkëshortit tim, vendosëm t’i botoj krijimet e mia. Kështu, me rastin e 60-vjetorit tim, bëmë përurimin e librit të parë, “Fjalë zemre”, në qytetin tim të bukur të Durrësit, e ndihmuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve aty, me kryetar të nderuarin prof. Nikolla Spathari. Libri u shtyp nga Shtëpia Botuese “2M Priting” dhe drejtuesi i saj, i nderuari Fatmir Minguli.
Kapakët e librave poetikë, nga autorja Trandafile Molla (Novara-Itali)
Cilët janë vëllimet poetike, që ke botuar, sipas viteve dhe mund të na tregoni diçka, sigurisht përmbledhurazi, për tematikën e krijimeve tua?
-Vëllimet e mia poetike janë: “Fjalë zemre”, “Kur zemra flet”, “Vazhdoj të jem” dhe “Atje dua”. Mendoj se vëllimi poetik më i realizuar është “Mall për gjithësinë”. Them kështu, se të gjitha poezitë e mia kanë ndjesinë e vet të veçantë. Ky vëllim ka redaktor krijuesin e nderuar dhe profesorin e gjuhë-letërsisë, poetin Hamdi Hysuka. Krijimet e mia, tashmë, janë të qarta dhe dihen se kanë temë të ndjeshme dhe malli për Atdheun, vendlindjen ,familjen e për njerëzit, hallet e tyre,kanë ide ,mendime dhe shqetësime njerëzore, frymëzuar dhe ballafaquar me valët e jetës. Vëllimet e mia poetike kanë vargje, ku i këndohet me mall të pashuar Atdheut, Shqipërisë sonë të mrekullueshme, dashurisë, familjes, fëmijërisë dhe rinisë së bukur, që s’kthehet më. Por dhe heronjve, që luftuan e dhanë jetën për lirinë e demokracinë e vendit; jetës së përditshme, bukurive të natyrës, me kuptime të qarta dhe figuracion e simbolikë plot domethënie.
A ke marrë pjesë, e ftuar, në festivale të ndryshme të poezisë? Ku ke qenë dhe sa e si janë vlerësuar krijimet tua?
-Kam marrë pjesë, e ftuar, në disa festivale poetike, ku edhe jam vlerërësuar, si: Në Durrës 2017, “Muza e Adriatikut”; Istog-Kosovë, 2017-2018, me “Mirënjohja dr.Ibrahim Rugova”; në Mat, me “Mirënjohje” dhe me çmimin e tretë, në konkursin e poezisë, për nder të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu; më 2018-n, në Mat, në “Muza Poetike Budiane”, nderuar me “Mirënjohje”. Po kështu, kam qenë në Tiranë, në konkursin letrar “Dritë për Driteroin” (tetor 2018), ku jam vlerësuar me çmimin e dytë. Më 17 dhjetor 2018, isha në Prishtinë, në Takimin Letrar “Esad Mekuli”, ku jam vlerësuar me Çmimin Bardi i 3-të . Në “Jehonën Shqipëtare”, mars 2018, jam nderuar me çmimin e tretë, vlerësuar nga vetë “Nderi i Kombit”, zonja e madhe, Margarita Xhepa. Jam pjesémarrëse e disa antologjive, si: Në Revistën “Pelegrin” (Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”); në Antologjinë “Në gjurmët Naimiane”, 2018 (Përmet), “Na bashkoi poezia”; Antologjia “Babait”, te Rrahman Hysenit, Në dy Antologji të “Jehonës Shqiptare”, mars 2018, për nder të Heroit të Kombit, Skënderbeu dhe mars 2019, “Për atin e Flamurit Kombëtar”, në 100-vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit! Jam pjesëmarrëse në antologjinë “Të tjerët për Lame Kodrën”, në antologjinë kushtuar dëshmorit mësuesit dhe poetit kosovar, “Një krismë pushke për liri”. Gjithashtu, jam përfshirë nga autori Sabit Alidema, në antologjinë “Mendja, zemra, duart e arta”, kushtuar femrës shqiptare nëpër histori”..
Po tani, çfarë po shkruan dhe a ke planifikuar të botosh ndonjë vëllim të ri me poezi dhe me çfarë tematike kryesore?
-Sigurisht, nuk kam ndërmend të ndalem, deri sa të kem frymë. Kam gati dy vëllime poetike,një për dëshmorët e lirisë në Dardani dhe patriotizmin e atdhedashurinë. Por ka dhe nga dukuritë e jetës dhe problematikat, që hasim përditë. Ky vëllim them është gati në dalje. Ndërsa vëllimi, që kam në dorë, i kushtohet qytetit tim të lindjes, Durrësit, me një pjesë të figurave historike, kulturore dhe artistike. Sigurisht ka dhe tema të ndryshme.
Një pyetje, jo e fundit nga rëndësia: Duke jetuar në emigracion, si i mbani lidhjet me njerëzit tuaj, me miq e dashamirë, nga Durrësi ose qytete tjerë të Atdheut tonë, për të cilin, sigurisht, kurdoherë keni mall të pashuar?
-Mund të them që jam një nga ato bija emigrante, që në Atdhe kthehem edhe 4-5 herë në vit. Kjo ndodhë nga malli, që kam për njerëzit e mi ,për shoqet dhe shokët e gjimnazit, me të cilët asnjëherë nuk i kam shkëputur lidhjet,me familjarët e mi, si edhe të bashkëshortit. Por dhe me fqinjësinë e mirë, me kolegë poete e poetë , me qytetin e lindjes ,Atdheun tim të bukur, i cili është malli im i parë dhe i patretur. Për këtë dhe ato që përmenda më sipër me shumë respekt ,kam ende shumë për të bërë dhe shkruar. Ju detyrohem pa kufi, ju o njerëz të mirë!
Edhe një herë, u faleminderit ju, i nderuar profesor Murat Gecaj, për këtë bisedë kaq kaq të bukur, emocionuese, plot mall e lot. Respekt!
-Në mbyllje të kësaj Bisede modeste, e nderuara mike Trandafile, të uroj për krijimtarinë tënde poetike dhe të falënderoj për përgjigjet e tua korrekte! Shëndet, mbarësi e begati, gëzime e lumturi, si për veten dhe familjen tuaj të nderuar!
Tiranë-Novara (Itali), 5 prill 2019