Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Myzejen Konduri, poetja që i këndon nderit    

125
Sigal

 

(Rreth librit “Drita e Mjegullës”)

Edhe pse në gjuhën arabe, emri i saj do të thotë e zbukuruar, përsëri mendoj se mikja jonë, poetja Myzejen Konduri, nuk e ka ndierë fare nevojën për të, pasi e ka pasur të natyrshme si bukurinë fizike, ashtu dhe atë shpirtërore. Madje, atë e ka manifestuar edhe në jetën e saj, në zgjedhjen që ka bërë për ta gjurmuar e lançuar çdo vit këtë bukuri përmes spektakleve të përvitshme “Mis dhe mister Durrësi”. Dhe nuk ka sesi të ndodhte tjetërsoj; e tillë do të shfaqej ajo edhe në poezitë e saj, sikurse e gjejmë te libri i porsa botuar “Drita e Mjegullës”. Për të qenë i drejtë, duhet të pohoj se janë aty dy shkrime shoqëruese të mrekullueshme të Bashkim Hoxhës dhe Agim Bajramit, por duke qenë se m`u kërkua edhe mua të them diçka, po mbaj këtë ligjeratë modeste.

Kur ajo ishte një poeteshë e re dhe e takova për herë të parë në Shijak, ku kisha shkuar me të ndjerin Moikom Zeqo për të blerë gjelat e detit të Vitit të Ri, i thashë atij se po të isha piktor dhe të më kërkohej të bëja portretin e Eratos, muzës së poezisë erotike dhe anakreontike, do të zgjidhja pikërisht atë vajzë me sytë që ndritnin me zjarrin e Prometeut, siç shprehej Shekspiri për gratë, duke i vënë në kokë një kurorë trëndafilash, simbol i dashurisë së përjetshme dhe në duar një lirë, që ishin atribute të pandara të saj. Dhe gëzohem që edhe tani në moshë relativisht të shtyrë, ajo ruan po ato hire, po atë freski dhe energji, po ato ndjenja të pastra e po atë frymëzim. Ajo edhe vetë, sikur është në një mendje me mua kur pohon: “Gazmendi Rinor dhe / E ndritshmja bukuri / Degdisin pasigurinë / E ripërtërijnë ditët, / Pjesë të fatit tim” (“Në eventin e bukurisë”). Si poete ajo ka mbetur vajzë që identifikohet me stinën më shkëlqimtare, Pranverën: “Kjo stinë, / Më ka hyrë në gjith` poret e lëkurës / Dhe buzëqesh, buzëqesh” (“Pranverë”). Ky është mesa duket edhe sekreti i gjithë dritës, ngjyrave prej ylberi dhe optimizmit, që shoqëron të gjitha poezitë e saj. Në to nuk ka trishtim e lot, nuk ka ankime, nuk ka vuajtje e brenga shpirti, nga ato që ashtu si pakuptuar e ndjekin pas edhe vetë lexuesin. Poetja e di mirë këtë, ndaj i këndon bukurisë: “Ti s`vyshkesh kurrë pranë / Dashurisë, / Që të buzëqesh si Dielli / Në agim. / Me ëndrrat që çelin / Si lulet plot aromë / Në kopshtin e Jetës, / Që çel si magji” (“Bukuri”). Dhe po këtu vazhdon: “Ti nuk marrosesh pas braktisjes / Së moshës. / As gënjehesh nga rrudhat e trishta / Në vatrën e zemrës tënde, / S`ndizet zjarri i së keqes, / Po fuqia e mençurisë / Që moshën e bën më / Fisnike / Pa mllefin hakmarrës për / Kohën”. Për të: “Dita s`mund të lindë asnjëherë, / Nëse s`ëndërron për Agimin” (“Deri më sot”). Dhe për njeriun me botë të madhe, kur jeton një ëndërr, si ajo e dashurisë së parë, edhe pse trillet e fatit mund të të ndajnë nga ai ose ajo e dikurshmja, kujtimet ledhatuese nuk të shlyhen kurrë dhe për më tepër nuk ka vend për t`u penduar. Kështu do të ndodhë pasi: “E mbytur në ëndrrat e dashurisë sime / Dhimbja do më verbojë sytë / E gjoksi do më shpojë / Megjithatë dot s`të urrej / Por do të mbaj brenda / Çdo ëndërre” (“Tekst kënge”). Po ta ndeshësh Myzejenin në rrugë, nuk ka sesi të mos vëresh se ajo gjithmonë është shumë e preokupuar; troket dyerve të administratës për përkrahje, ku shpesh nëpunësit burokratë a interesaxhij dhe që ajo i quan horra që njollosin fytyrën e shtetit, s`para e kanë mendjen te kërkesat e saj për kulturën. Po ashtu, si qytetare atë e shqetësojnë edhe fenomene të papëlqyeshme, si braktisja e vendit nga rinia: “Mërzia dhe pikëllimi im, / Peizazh i fshatit të braktisur, / Skelet, në kohë moderne”, tharja e shpirtit nga makutëria: “Sypangopur, / Shpërfill motër e vëlla”, komunikimi vetëm me kompjuterat e celularët: “Kjo lidhje virtuale, / Pafuqi e besimit, / Do të sjellë thatësirë / E pasiguri në të vërtetën”, ngjyerja e kafshatës në ngashërim kur frigoriferi është bosh, dhuna ndaj femrës: “Dora që ngrihet mbi / Gruan, / Ma bën më të trishtë mëngjesin / Dhe dritën më të zbehtë sigurisht”, vdekja e të miturës në Himarë nga tekat e një oficeri policie brigant: “Vdekja jote, plagë që rrjedh / Gjak / Shkelmuar me ëndërra venitur, / pa çelur akoma” e deri te tronditja që i shkakton mosmirënjohja edhe ndaj të qenit të shtëpisë nga dikush: “Të zotërit e braktisën, / Mërzitur nga besnikëria e tij / E përjetshme” etj. Në poezitë e saj, Myzejenin e preokupon edhe tema e vetmisë, natyrisht, nisur jo nga ato shkaqe nga të cilat e trajton atë G. G. Markezi, qysh pas viteve 50 – të tek “Izabela sheh shiun në Makondo”, “Gjethurinat”, “Kolonelit nuk ka kush i shkruan” apo “Njëqind vjet vetmi”, ku ajo është pasojë e dhunës së dikurshme. Për të, vetmia vjen si pasojë e një dhune të një lloji tjetër, të padukshme; atë e përjetojnë prindërit e moshuar që kanë mbetur me katër muret: “Pa një njeri të të flasë, të të buzëqeshë. / Vetëm vetja të bëhet shok. / Me sytë e verbër të vetmisë / Vuan”. Dhe siç shihet, kur ajo ndërron temë, e mpreh sërish penën, por tani nuk e ngjyen më në bojë të kuqe, por në atë të zezën. Janë gjithashtu pesë poezi, që trajtojnë tmerrin dhe dëmet që pësoi qyteti ynë e më gjërë nga ai tërmeti i atij Nëntori, dhe natyrisht nuk mund të linte mënjanë tërmetin tjetër terrorizues që s`po na lë ende të qetë, Coronavirusin. Por përditshmëria është një mozaik me ngjarje dhe përjetime nga më të ndryshmet, ndaj poetja vazhdon të shprehë gjithë respektin për ata mjekë e infermierë që sakrifikuan jetën e tyre duke u shërbyer të tjerëve. I drejtohet Tokës tonë, që e quan “Plisi ku Unë vë kokën. / Kraharori ku marr frymë. / Shtrat i njerëzve që njoha / Dhe më njohën”. Dhe vijojnë poezitë kushtuar babait, nënës, bashkëshortit, fëmijëve, motrave, shoqes që s`është më, Moikomit gjthashtu, të cilit i kushton vargjet: “O Mik i çmuar! / Do mbetesh në kujtesë nga hera, / Se të paktë janë njerëzit / Që pemën e jetës e mbushin me vlera”. Ajo shkruan për luftëtarët heronj të Kosovës, për violinën e mësueses në katin lart që e pushoi papritur këngën, për nostalgjinë për lagjen ku u rrit, e deri edhe për derën që ka parë aq shumë e s`flet. Por ndofta ajo më e goditura poezi që i shpjegon të gjitha dhe të lë mbresa të thella me forcën e arsyetimit, është “Ne poetët” të cilës i jep forcë anafora që ajo përdor dhe që po e sjell të plotë: “Ne poetët / Jemi si trumcakët e vegjël / Që luajmë me flladin në / Degë të fjalëve. / Ne poetët / Fshehim emocionet / Në shaminë e erës. / Ne poetët / Gdhëndim mendimet / Në pasqyrë të ujvarës. / Ne poetët / E grisim lodhjen / Me rrezen e Agut të mëngjesit. / Ne poetët / Me shkumën e mendimeve / Fshijmë llumin e së keqes. / Ne poetët / Me yje drite në horizont / Veshim Ëndërrat. / Ne poetët / Ecim në shpatin e frymëzimit / E kalërojmë poezinë. / Ne poetët / Në tantellat e valëve / Lemë peng heshtjen. / Ne poetët / Me gotën e ëndërrave / Gostisim veten si Mbretër”. Përsa i takon anës së kompozimit letrar të këtyre poezive, Myzejeni është në profesionin e vet, ndaj është e tepërt ta gjykoj për afrimin që i bën në narracionin e saj poezisë me prozën. Për të ka rëndësi të kuptohet pa shumë kokëçarje dhe më shumë i beson bukurisë racionale të mendimit sesa stisjeve si emfatike, ashtu edhe formaliste. Edhe këtu ajo shfaqet e shpenguar, pa rima e përcaktim gjatësi vargjesh e strofash. Elementët letrarë ajo i përdor me kujdes dhe sa për ilustrim po kujtoj sesi vepronte A. S. Pushkini te “Eugjeni Oniegin” fjala vjen, ku në vend që të shprehet “Kur do të vijë pleqëria” shprehet: “Edhe kur kryet do na e mbulojnë thinjat”. Ja si operon Myzejeni kur flet për vitet që po shkojnë: “Dhe flok`i thinjur zbardhon / Krenar”, “Peshkatari” / Priste me fytyrën brazduar / Nga rrudhat”, “Iku nëna juaj… / Buzëqeshja e ylbertë iu vyshk” etj. Edhe simbolet ajo i përdor me sukses, pa rënë në atë që simbolistët kuptonin dhe që Sharl Bodleri e përfytyronte, se e gjithë bota ishte një pyll simbolesh. Por ajo që dua të theksoj duke e mbyllur këtë ligjërim është se Myzejen Konduri, njësoj si atëherë kur mund ta merrje për model Eratoje, ashtu si në jetën e saj të mëvonshme, tek e cila si kushdo beson se drita vjen nga mjegulla, edhe në krijimtarinë poetike ka mbetur koherente me atë bindjen që ajo ka për dinjitetin se: “Fronit të nderit i jam gjunjëzuar, / Me sy të dlirë”. Dhe bukuria e një gruaje,  dhe ca më shumë e një poeteje, sipas Audrey Hepburn, fituesja e çmimit Oskar dhe kontributorja humanitare për fëmijët, siç bën me ata Myzejeni, duhet parë nga sytë e saj, sepse kjo është porta për në zemrën e saj, vendi ku banon dashuria.