Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Çudia e një aksidenti

88
Sigal

Kur vajza e të vëllait i tha se kishte gjetur një ofertë të lirë për fluturimin e linjës Tiranë – Amsterdam, Driloni, pasi ja bëri të ditur së shoqes, e ndau mendjen që të prisnin biletat dhe të niseshin. Kishin qenë më parë në disa shtete të tjera dhe tani donin të shihnin edhe atë qytet të Hollandës, plot kanale që e quanin edhe “Venediku i Veriut”. Vetë ishte piktor nga profesioni dhe kudo që shkonte nuk linte muzeum, galeri apo kishë pa vizituar. Atje do të shkonte te muzeu i famshëm i Van Gogut, Rijksmuseum, Amsterdam Museum, Hermitage Amsterdam, pa harruar se këtu kishte jetuar edhe i madhi Rembrandt dhe patjetër te Shtëpia e Anne Frank. Këtë të fundit e kishte merak, pasi i kishte lënë mbresa të mëdha ditari i saj, qysh kur ishte nxënës shkolle. E dinte se edhe porti i këtij qyteti ishte nga më të mëdhenjtë e Evropës. Me pak fjalë, do të shkonin në njërin nga qytetet më të vizituara nga turistët në botë. Në aeroportin e Rinasit shkuan dy orë para nisjes që atyre iu dukën shumë të gjata dhe kur më në fund u futën brenda avionit, nuk u erdhi mirë që biletat i kishin të ndara. Kjo ishte e zakonshme me këto ofertat e lira. Megjithatë, Driloni e hodhi një herë vështrimin rreth e qark dhe kur pa se pranë tij u ul një vajzë simpatike, që kuptohej se qe e huaj, me mirësjellje i foli anglisht në mund ta ndërronte vendin me gruan e tij. Ajo buzëqeshi hijshëm dhe u tregua e gatshme të shkonte te vendi i gruas së tij Verës. Kur pasagjerët zunë vendet dhe lidhën rripat e sigurimit dhe stjuardesa më shumë me shenja sesa me fjalë, dha udhëzimet e duhura për rast rreziku, avioni rrëshkiti mbi pistë dhe u shkëput me një uturimë të këndshme. Gjithçka shkoi mirë gjatë fluturimit dhe askujt nuk i shkonte mendja te ndonjë avari. Ca më shumë, se ky avion ishte i porsa vënë në qarkullim nga një kompani me emër të mirë. Por edhe pse njeriu ndihet i sigurtë në këto fluturime, rreziku për aksident asnjëherë nuk mund të përjashtohet. E vërteta ishte se në këtë linjë kurrë nuk kishte ndodhur ndonjë gjë e keqe, por ja që kur po i afroheshin aeroportit gjigant Schiphol, avioni u trondit dhe u anua dukshëm. Dikush foli diçka në altoparlant, mesa duket për t`i qetësuar pasagjerët dhe nga dera e pilotëve doli po ajo stjuardesa e mëparshme e bërë dhe në fytyrë, dhe përsëri me shenja, po mundohej t`i bindte ata se gjithçka do të kalonte shpejt. Mirëpo, ndërkohë në bord kishte filluar rrëmuja që kuptohej se vinte nga paniku që kishte pllakosur pasagjerët, të cilët tani shihnin nga dritaret rrumbullake edhe flakët që kishin përfshirë njërin krah të avionit. U dëgjuan ulërima dhe sa hap e mbyll sytë ndodhi përplasja fatale në betonin e aeroportit. Pas zhurmës shpërthyese dhe përhapjes së flakëve, Driloni nuk po e besonte se kishte mbetur gjallë. Pa katrahurën që kishte ndodhur dhe kuptoi se thuajse të gjithë pasagjerët, burra, gra e fëmijë kishin mbetur pa shenja jete në pozicione nga më të çuditshmet. E kapi të shoqen nga krahu, e shkundi atë duke i thirrur me tmerr emrin, por ishte e kotë. Edhe ajo kishte ndërruar jetë. Një herë mendoi se mos ishte në ëndërr, se si qe e mundur që duke qenë aq pranë me të, ajo të vdiste dhe ai të rronte. E kapën të dridhura të forta dhe u përpoq ta mblidhte veten. Bëhu burrë – tha – se je në vend të huaj. Dhe shkoi pa humbur kohë te një djalë që duhej të qe jo më shumë se dhjetë vjeç i cili dukej që kishte mbetur gjallë edhe ai nga përplasja. E mori në krah dhe u drejtua nga dera për të dalë, të cilën e kishin hapur forcat e shpëtimit që u gjendën sa hap e mbyll sytë. Ata e ndihmuan të zbriste bashkë me djalin dhe pasi hynë me vrull brenda avionit, teksa zjarrfiksat jashtë përpiqeshin të shuanin flakët, rrëmbyen pasagjerët një e nga një. Të parët ishin ata që ishin ende në jetë që pasi i vendosën nëpër barela, i futën në ambulancat që prisnin aty pranë dhe drejt e në spital. Kur po i fusnin të mbijetuarit në sallën e madhe të spitalit për t`i kontrolluar apo për t`u dhënë ndihmën e parë, Driloni, ashtu i hutuar siç ishte, kuptoi se ata që kishin mbetur gjallë, nuk qenë më shumë se nja pesë vetë. Dhe midis tyre, ashtu si në kalim, syri i zuri dhe atë vajzën me të cilën Vera, kishte këmbyer vendet kur u nisën. Aty për aty, tha me vete, se ç`dreqin pata që ja shkëmbeva vendin me atë. Ndërkohë ajo vajza, që sapo kishte dalë nga salla ku e kishin mjekuar për nja dy gërvishtje në fytyrë, iu afrua dhe i dha dorën si për ta ngushëlluar. I tronditur siç ishte, Driloni vetëm arriti t`i thotë se ky ishte fati yt. Vajza, e çoj më tej bisedën duke ia kthyer se në vend të saj mund të isha unë. Dhe, shtoi se dashje pa dashje, ishe ti që ma shpëtove jetën dhe unë të detyrohem. Driloni, nuk dinte ç`të thosh tjetër, veçse jeta e gjatë nuk bëhet e shkurtër, kurse ajo ia ktheu se kështu deshi Zoti. Kur pa njërin nga policët që i shoqëronin, Driloni iu afrua për ta pyetur se ku i kishin çuar kufomat dhe çfarë do të bënte më tej. Por kur pa se ky nuk fliste anglisht, iu lut asaj vajzës që të ndërmjetësonte për ta përkthyer. Polici, bashkë me një nëpunës që gjithashtu qe caktuar t`i shoqëronte të mbijetuarit, sqaruan se do akomodohej në një hotel dhe të nesërmen, pas formaliteteve, do ta njoftonin se si do të veprohej për kthimin e kufomave në Atdhe. Por ngaqë në atë avion kishte edhe bashkëkombas të tjerë, kjo punë ndofta do të zgjaste ca. Në këtë bisedë e sipër, hollandezes i ra zilja e celularit. Ishin prindërit e saj që e kishin mësuar lajmin nga televizioni dhe pasi kishin biseduar me të dhe kishin mësuar që kishte shpëtuar, nga aeroporti e kishin mbajtur vrapin në spital. Si u tha se tani do të dilte, ndaj ta prisnin te dera kryesore, e pyeti Drilonin se në gjëndjen që ishte, ndofta do të qe mirë që të shkonte me ta në shtëpinë e saj. Do të gëzohen edhe prindërit, kur ta mësojnë se mbeta gjallë falë rastësisë; pra ngaqë panova të ndërroja vendin me një grua fatkeqe. Dhe shtoi se kjo rastësi, na lidhi në një farë mënyre, prandaj mos u druaj dhe eja te ne. Pastaj sqaroi se i njihte shqiptarët, pasi punonte në një shoqëri projektimi me ta dhe e dinte sesa mikpritësa ishin ata. Driloni, i tha se ende nuk ta di emrin… Emma – u përgjigj ajo shkurt. Mirë Emma! Po vi sonte te ju – dhe të dy dolën. Prindët e Emmës, sapo e panë të bijën, nuk i mbajtën lotët. Kuptohet që ishin lotë gëzimi. Pastaj u njohën me Drilonin dhe mbetën pa fjalë kur mësuan se kishte ngjarë që nga një ndërrim vendi e kishin të gjallë vajzën e tyre të vetme. Kur shkuan për të hipur në veturë, të cilën tani do e ngiste Emma, Driloni u ngatërrua se nuk e dinte se këtu timoni ishte në krahun e djathtë. Rrugës për në lagjen Jordaan, ku ata kishin shtëpinë, nuk shkëmbyen asnjë fjalë. Drilonit, iu fiksua vetëm pafundësia e njerëzve që përdornin biçikletat. Kur zbritën nga makina, në oborrin e shtëpisë, Driloni kuptoi se familja e Emmës dukej se qenë të kamur. Tre ditë qëndroi tek ata njerëz të mirë që e mbajtën si mik të vjetër. Babai i Emmës ishte një avokat i njohur në Amsterdam. Por kishte dhe një kulturë të përgjithshme dhe kur mësoi se Driloni ishte piktor, i mbushi mendjen që të shkonin të shihnin muzeumet e Van Gogut dhe Rembrandtit. Mjaft po e mundonin telefonatat me Shqipërinë. Zemërthyer, Driloni pranoi dhe i përqendruar para tabllove të mjeshtrave të mëdhenj, sikur u përhumb dhe nisi të meditonte. Eh, jeta! Sa e çuditshme që ishte dhe me sa të papritura ndeshej njeriu në të. Krejt ndryshe e kishte menduar vizitën te vepra e atyre gjigantëve. Do të ishte në krah të Verës dhe do t`i shpjegonte asaj se vetëm 37 vjeç ishte Van Gogu kur vrau veten dhe ja, kishte mbetur i pavdekshëm. Dy gra i ishin vdekur birit të një mullixhiu, Rembrandtit dhe përsëri, ai kishte vazhduar të punonte, duke krijuar portrete dhe autoportrete të pavdekshme, nga ato që na e dhanë të gjallë si kohën, si vetë atë. Dhe ndali gjatë para Jan Six, mikut të Rembrandtit i cili arriti të bëhej edhe burgmaster i Amsterdamit. Me kokën pak të ulur, dhe pa asnjë pozim të sforcuar, ai paraqitej plot jetë. Edhe ai e kishte pikturuar me shumë dashuri Verën e tij. Të veshur thjeshtë, me një fustan basmeje, të qeshur e të gëzuar, e mbi të gjitha, të çlirët, ashtu si Vera e Serovit. Nuk do ta linte të vdiste kurrë atë. Prindërit e Emmës ato tre – katër ditë, u munduan që t`ia lehtësonin dhimbjen Drilonit, gjersa atë e njoftuan për ditën dhe orën kur do të niseshin për Tiranë me arkëmortet me trupat e të aksidentuarve. Emma me të atin e çuan në aeroport dhe pasi i uruan rrugë të mbarë dhe e porositën që t`i kujtonte me ndonjë telefonatë, pritën gjersa avioni i përzishëm u ngrit në ajër. Verës në Tiranë ju bënë të gjitha nderimet dhe jeta për Drilonin pak a shumë nisi të normalizohej. Futej në studio dhe harrohej atje. Vetmia e mundonte, por çuditërisht edhe kishte nevojë për të. Mendohej gjatë, i shfaqej parasysh e shoqja që shpesh i rrinte mbi kokë kur ai pikturonte dhe e mbysnin lot të nxehtë. Si iku ashtu ajo e zeza? – pyeste veten. Oh! Sa e kishte dashur. Po mua si do më vejë halli tani e tutje pa të? U nisëm gjithë gëzim për Hollandë dhe ja ç`na ngjau. Si kaluan nja dy javë, pati një thirrje në celular me numër prefiksi të Hollandës. Patjetër Emma, tha. Dhe ashtu ishte vërtetë. Ajo e pyeti për shëndetin, a i kishte kaluar sado pak mërzitja dhe i tha se së shpejti do të vinte në Tiranë për punë. Dhe pas nja dy muajsh, ajo e mori përsëri në celular, por tani nga Tirana. Driloni e priti mirë ardhjen e saj dhe shpejtoi ta takonte. Ai nuk ndihej i huaj me të. Flisnin si miq të mirë, madje edhe bënë shaka. Kur shkuan diku jashtë kryeqytetit për të darkuar, Emma shfaqi dëshirën që të nesërmen ta shpinte në varreza për t`i vendosur një tufë me lule Verës. Dhe ashtu bënë. Emma nuk i mbajti lotët te varri i saj, pastaj pa të keq, përqafoi edhe Drilonin. Më duket, tha mes lotësh, se u bëra unë shkak që vdiq kjo e shkreta. Ky e qetësoi, duke i thënë se asnjë faj nuk ke ti dhe ndjeu ngrohtësinë e trupit të saj. Por rrufeshëm e qortoi veten, mos po gaboj që mendoj kështu? Emma i kishte thënë se do të qëndronte në Shqipëri, të paktën nja dy a tri javë. Dhe Driloni i kishte premtuar se do të shkonte ta merrte pas pune në hotel me makinën e tij, sa herë të kishte nevojë. Dhe gati çdo pasdite ata e pinin bashkë kafenë. E vërteta ishte se ai nuk para kishte dëshirë që ta shihnin të tjerët me një vajzë të panjohur. Por pak nga pak, sikur u mësua me këtë. Ca më shumë kur Emma i tha se prindërit e saj nuk e hiqnin nga goja. E për më tepër, e kishin porositur që po të vinte në Hollandë, pasi nuk kishte arritur t`i shihte të gjitha muzeumet, ishte i mirëpritur në shtëpinë e tyre. Emma erdhi disa herë në Shqipëri dhe gjithmonë do e mbante vrapin te Driloni. Ky nga ana e tij e kuptoi se kështu ishte shkruar; kishte humbur gruan e dashur, por fati i kishte sjellë në derë atë që kishte mbetur gjallë nga vdekja e saj. Tani, kur Emma vinte me shërbim, nuk zinte më hotel, por qëndronte në apartamentin e tij. Ata, pa asnjë premtim, ashtu në heshtje ishin afruar dhe ishin mirëkuptuar. Edhe shokët dhe miqtë që e njohën, e nxisnin Drilonin që të martohej me atë vajzë të mirë dhe mjaft simpatike. Ishte dekretuar nga qielli kjo lidhje, i tha Fredi, shoku i tij qysh nga shkolla. Dhe kjo tani ishte bërë punë e mbaruar. E vetmja pengesë që duhej kapëcyer ishte se ku do të vendosnin të jetonin, këtu apo në Amsterdam. Dhe si e rrahën mirë e mirë e vendosën: sa këtu, sa atje. Dy – tre orë fluturim ishin. Për më tepër që avioni do t`u ngjallte dhe kujtimin e asaj dite, sa të trishtë, aq edhe të paharruar. Dhe kurrë mos e hiq nga koka e krevatit portretin që i ke bërë Verës – e porositi Emma.