Sot është një ditë gri. Diell nuk duket kurrkund. Veç bie një borë e imtë si sheqer. Meqë nuk kemi ndonjë punë të madhe për të bërë, Daniela më tha se kishte dëshirë të ndiqnim sëbashku inaugurimin e presidentit. Tunda kokën në shenjë miratimi. Dan, siç i them unë për shkurt, është një grua e ve, që sapo i ka kaluar të gjashtëdhjetat. Nuk ka asgjë për t’u shënuar si e veçantë në pamje fizike. Por ka një kuriozitet të habitshëm për jetën private të të tjerëve. Ajo i tregon pa ngurresën më të vogël hollësitë e privacisë së saj. Sa herë më bie rasti ta takoj, gjëja e parë që vërej është nguti që ka të më tregojë se ose ka ndërruar shtëpi, ose dëshiron ta ndërrojë. Herën e fundit që e ndërroi shtëpinë ishte bërë shkak një komshi. Ai, sipas Dan, ankohej se vajza e saj, shkaktonte trazira në katin e përbashkët ku banonin. Se për çfarë trazirash e kishte fjalën unë asnjëherë nuk e mora vesh, sepse Dan gjithherë kur e hapte këtë temë linte diçka të mjegullt. Unë nuk kisha ndonjë kuriozitet të madh për natyrën e trazirave, që ndoshta vërtet i shkaktonte vajza e Danielës. Thjesht dija se ajo i kishte kapërcyer të tridhjetë e pesë vjetët dhe se koleksiononte pensionin, që i kishte lënë babai i ndjerë. Ajo po ashtu, siç më kishte thënë Dan, kishte plus një shumë parash që i merrte për shkak të një paaftësie mjeksore, që nuk e lejonte të punonte.– Punon jot bijë?- e pyesja unë Danielën sa herë ma hapte temën e trazirave të së bijës.– Ta kam thënë me dhjetra herë – gjegjej Dan – që ajo nuk punon, sepse ka justifikim nga doktori. Por ti, ose nuk dëgjon nga veshët ose nuk ke vëmendjen kur flas unë. Ti nuk je as francez, se kam dëgjuar se francezët nuk e dëgjojnë fare bashkëbiseduesin, por kur mbaron së foluri ai, thonë çfarë u vjen nëpër mend. Nuk është as njera as tjetra –i them unë Danielës. – Thjesht unë jam i sëmurë i një lloji tjetër. Nuk dua ta ndërpres punën për veten time. Dhe cilido që më vjen përballë më bëhet ta pyes :” çfarë pune bën ti?” – Të isha unë në moshën tënde , do ta kisha lënë punën, do kisha dalë në pension- thotë Daniela me një lloj triumfialiteti. – Edhe mund të dal- i them – por nuk kam vendosur ende se ku do ta kem varrin dhe kjo nuk është dilemë e vogël për mua! – Po çfarë dileme ke more zotëri? Aty ku vdes aty varrosesh dhe kaq e thjeshtë është puna. Vjehrra ime do ta lerë Coloradon dhe do vijë te jetojë këtu në Massachusetts . Po e ndërron vendbanimin jo se do të vdesë pranë meje, por se ka shpresë se këtu mund ta kapërcejë një shekull jetë– Nuk është aq e thjeshtë i them. Ne kemi një proverb në vendin ku jam lindur unë që thotë se ” Guri i rëndë peshon në vend të vet!”– Mos do të më thuash se në pragun e vdekjes do të kthehesh andej nga ke ardhur?– Nuk e thashë atë. Se nuk e di pragun. Por kam dëgjuar nga disa miq të mi se është shumë bukur të vdesësh aty ku ke lindur. – Gjepura – tha Daniela- vdekja njëlloj është për të gjithë: e shëmtuar, e dhimbshme…dhe mizore! – Po pse thonë disa që vdekja është kapak floriri?– Sepse rrojnë me mite- tha Dan. Ti duhet të kesh ndonjë arsye tjetër që nuk do të dalësh në pension, një arsye, të cilën nuk ma thua mua për kushedi se për çfarë shkaku…Më zuri ngushtë. E para herë që u dorëzova t’i them Danielës diçka që e mbaja sekret.– E kam një arsye. I kam dhënë një premtim mikut tim John Stif kur ai ishte tetëdhjetë e pesë vjeç dhe vazhdonte të punonte me mua.– E ç’na qenka ky premtim? – I kam thënë se do ta kisha si model kur të vinte puna për të vendosur se kur do të dilja në pension.– Ti qenke i marrë, do vazhdosh të punosh deri në moshën tetëdhjetë e pesë vjeç, si Johni?– Mos thuaj ashtu Dan! Të lutem- Johni qe pasqyra ku unë shihja veten time. Si më la babai kur fluturoi në qiell , unë vetëm te Johni i kisha sytë. Sepse ai, njësoj si im atë, ngrihej që pa zbardhur drita, pinte një kafe, hante një çapë bukë dhe nisej në punë. Johni kishte edhe endërra …– E çfarë ëndrrash mund të ketë një njeri kur mbërrin dhe i kapërcen të tetëdhjetat? – E ke gabim. Johni më tha një ditë se dëshironte të mësonte spanjisht dhe të bëhej mësues spanjishteje. Më ka befasuar aq shumë me atë ëndërr sa më ka lënë të shastisur dhe, që prej asaj dite unë jam tjetër njeri…Në fillim më kapi gazi dhe ashtu me një qesëndisje të butë i thashë: “John ti je bash në lulen e rinisë, mund të bëhesh mësues i shkëlqyer spanjishteje. Madje mund të përkthesh edhe Markezin dhe Rulfo Ai e kuptoi dhe ma ktheu: Mos u tall, e kam seriozisht që dua ta mësoj spanjishten… Dhe heshta i trembur që e teprova me shakanë time. – Johni paska qenë si vjehrra ime. Ajo i ka mbushur nëntëdhjetë e tre vjeç dhe përsëri thotë se kur të mos jetë në gjendje të ngasë makinën e saj, do futet në një kurs të marrë një patentë për pilote. Nuk dua të vdes pa ngarë një çarter timin”- më tha një ditë. – Lum ti çfarë vjehrre paske – i thashë unë Danielës , dhe u kujtova se i kishim premtuar njëri tjetrit të shihnim inaugurimin e presidentit. Pashë orën. Ishin mbushur plot tre orë që Daniela dhe unë kishim biseduar kodra pas bregut të harruar nëpër mite e nëpër proverba. Kur Daniela e hapi televizorin të shihnim ceremoninë e inaugurimit të presidentit, gjithshka kishte mbaruar. Ishim tepër vonë. Jashtë sheqeri i dëborës kishte mbuluar barin e tharë të kampusit të universitetit.






















