Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Kinezja

356
Sigal

Unë pothuajse e kisha harruar krejt kinezen Jin.Sikur të mos kishte rënë kjo pandemi , zor se do të më qe kujtuar ndonjëhere gjer në frymën time të fundit. Por, pandemia ra dhe Jin u shfaq befas para meje si një shtojzovalle.Isha fare i vetëm , brenda në makinë në një parking ku nuk dukej këmbë njeriu dhe asnjë makinë tjetër. Karantina e ka përdhunuar pranverën.Lulet e qershisë mezi belbëzojne…Unë bëj t’i hedh në telajo lulet e qershisë, por më janë mbaruar bojërat. Dyqani i bojërave të pikturës është mbyllur. Më kot pres në parking të hapet…Prej qiellit të pastër si lot fëmije zbret Jin. Ka fluturuar me makinë apo si ka mbërritë deri këtu, nuk e marr vesh,një Zot e di.Por , ja ku është përballë meje,ju bëj be. Me një fustan të hollë si mjegull…

– Jin, po ti këtu? Si erdhe? Aeroportet janë
mbyllur për ty, ti je kineze…

– Fluturova si pëllumb për ty sepse m’u
dhimbse i vetëm…
Do të më pranosh të vij aty brenda, apo ke
frikë nga unë?

– Frikë nuk kam, por nuk jam ai që isha…

– As unë nuk jam ajo që isha kur të takova
ty për herë të parë, e mban mend?
Edhe atëhere ti ishe i vetëm. Të kishte
braktisur e dashura. Unë e mora vesh
pezmin tënd dhe ta mbulova plagën me
të puthura…

– Por unë nuk jam vetëm tani. E dashura u
kthye…

– Jam unë vetëm tani. Është radha jote të
më mbulosh mua me të puthura. Apo ke
frikë?

– Frikë nuk kam, por është kohë karantine.
Dhe nuk të puth dot Jin, për at Zot që
është në qiell, nuk të puth dot…

– Edhe unë isha në karantinë kur guxova
të të puthja ty dy dekada më parë.Të
kujtohet kur të thashë
se mua më përgjojnë edhe
frymëmarrjen?

– Po, më kujtohet . Më kujtohet si sot!

– Të përgjojnë edhe ty si mua? Nëse po,
unë po kthehem nga erdha të mbyllem
në burgun tim te hieroglifeve…

– Jo, jo, rri edhe pak Jin sa të hiqet
karantina.Pastaj….

– Pastaj do të jetë bërë vonë për
puthjen…Do të jetë vonë,besomë…

Kaq tha Jin dhe u zhduk, siç zhduken shtojzovallet. Nuk ia preka mollët e vogla të gjoksit. Nuk ia putha sytë e vegjël si lajthi. Nuk ia hapa shegën e ëmbël të gojës. Sepse pata drojë mos më rrëmben vdekja në krahët e kinezes.Kur e pashë që silueta e saj u zhduk,më kapi një ngulç i madh në fyt dhe thashë me vete se po jepja shpirt në vetmi. Për herë të parë në jetën time e preka mëkatin tim me duart e mija. Nuk duhej ta kisha lënë mikeshën time Jin të ikte pa e puthur. Duhej ta kisha thyer karantinën.Tek, e mbramja, Jin e kishte thyer karantinën e saj dikur për mua…