Suplementi Pena Shqiptare/ Istref Haxhillari: Për një të puthur…

Makina përshkoi unazën e qytetit, mori rrugën buzë ujit, parkoi para lokalit modest ndërtuar me blloqe graniti. Ngjitën shkallët e gurta, kaluan lulishten, zunë tavolinën te dritarja, prej nga shiheshin pelikanët që fluturonin ulët, zhysnin kokën në ujë, ngriheshin pingul në ajër me cironka përpëlitur sqepave.  – Ç’ pamje! – u mahnit Ledi. – Lokal më se i rëndomtë, – vërejti Agronomi, – vendndodhja dhe gjelbërimi e zbukurojnë.  – Kopshtin e kanë qëndisur. – Nuk e kuptoj pse mbjellin vetëm pemë dekorative?  – Restorantet nuk janë bahçe, – ironizoi Mësuesi.  – Pemët frutore i kryejnë të dy funksionet, zbukurimin dhe prodhimin. U kthye nga e vetmja grua të merrte miratim. – Mendoj se duhet të porositim, – ia ktheu me ton të lehtë bezdie.  Kamerieri i vuri secilit menynë përpara. I vjetër, tullac, fytyrë petull, ecje të rëndë, po gazmor, i këndshëm. – Ju rekomandoj krap të skuqur, – u tha buzagaz, – zonja do ta pëlqejë. – Ide e mirë, – pranoi ajo, – për të pirë? – Birrë, verë, raki, – numëroi me gishta. Porositën verë. Hanin, flisnin pa radhë, hidhnin batuta, nxisnin njëri-tjetrin të pinin, çonin gotat, i kthenin plot. Me shushurimën e dallgëve në sfond, ngritën dolli për familjet, fëmijët, miqtë. Kamerieri solli pjatë të madhe, të sheshtë, përmbytur nga avulli. – Provojeni, – u tha me seriozitet specialisti. – Ç’ është kjo? – pyeti Ledi. – Kukurec qengji i porsa gatuar. Hoqi mbulesën, ua ndau nëpër pjata. Gatesa me ngjyrë kafe të errët dhe aromë fantastike, u pëlqeu.  – Qenkeni mjeshtër, – e mburri.  Bisedonte, qeshte, bënte shaka të thekura, pinte barabar me burrat, nuk shfaqi shenjën më të vogël të dehjes. Kontrasti i ngjyrave, këmbët e bukura, fytyra e kthjelltë, ku vezullonin sytë e mëdhenj, të ndezur, i jepnin hijeshi vajze të re.  Dori ia afroi këmbën poshtë tavolinës. Aq deshi, iu ngjesh e tëra. – Eh, hamë, pimë… – perëndoi sytë. – Gënjejmë, – plotësoi Mësuesi.Plasi e qeshura. – Ti s’je pa gjë, – i tha Agronomi, – ke të puthurën. Dorit nuk i vinte mirë ta përmendnin të puthurën, nuk i erdhi mirë as kur i premtoi. Sjellje adoleshentësh! Ajo e pa të mërzitur, iu afrua pranë, i pëshpëriti te veshi. – Mos u shqetëso, i dashur, di çfarë bëj. – Po e tepron me verën, – i tha pa ia hedhur sytë.

Zëri i qetë mezi e maskonte zemërimin.  – Jo kushedi çfarë, – i limoi kyçin e dorës, – ja, gota e dytë. – Vërtet do ta puthësh Mësuesin? – e pyeti Agronomi. – Do ta puth si shok. – Po të duash mos më puth, – i tha Mësuesi, – mund ta lësh me kaq. – Të dhashë fjalën.  Para se të hipnin në makinë, iu qas, i hodhi duart qafës, e puthi në dy faqet. Ai e përballoi stoikisht pa asnjë lloj emocioni.  – E teprove, – i tha Dori në makinë, – s’ishte nevoja ta puthje vërtet. Përtheu paksa buzët, e pa drejt në sy. – Pse nuk e harron këtë punën e puthjes? Akt formal. E pe si ndenji ai? T’u duk se mund të shkonim më tej? – Mos u nxeh!  – Ç’u bë se e putha? Shaka me shokët e tu.- U ndjeva si të më vije brirë sheshit. – Nuk ndodhi asgjë, e pe vetë, – i dhuroi buzëqeshje pajtuese.- Më ngeli ora atje. – E kurdisim. U zgjat e puthi në buzë. – E shikon? Je i dashuri im i ëmbël dhe unë nusja jote e bindur, – gjestet, përdridhja e buzëve, shikimi e tregonin të dashuruar, si kurrë më parë.

NOA