Suplementi Pena Shqiptare/ Riza Çato: Një fjalë të vetme dot nuk e gjete

Një fjalë të vetme dot nuk e gjete,

ç’u bë kështu kjo punë?

NOA

Ta psherëtisje, thjeshtë me vete,

se do vinte tek unë.

Një gërmë mjaftonte, ja kaq pak,

ta nisje bashkë me erën.

Ashtu këmbëkryq si në oxhak,

do më sillje pranverën.

Moj po të pres në mes të zemrës,

pa zhurmë e pa bujë.

Flakja në det, zhgënjimet ëndrrës

dhe eja te unë.

Mos vallë në mëndje flë harresa

dhe s’më sheh dot në sy?

E dashur nuk ka vdekur shpresa,

jeton brenda në gji.

Apo do vite,vite besimi,

që s’të mungojë kurrë.

Jo s’të mungojë as zemër-trimi,

fati s’të hodhi gurë.

Pa ty mendimet po vrasin veten,

po ecin kuturu.

Tiktaket ikën edhe mbetën,

si mua një kërcu.

 

 

E gjithë jeta jote

(Tekst kënge)

 

Mund të shëmben male,

mund të thahen dete.

Ti në këngë e valle,

i përjetshëm mbete.

Lotët që u derdhën,

si një rrebesh shiu.

Gjithë yjet të erdhën,

dhe pse hëna ngriu.

Stuhi vetëtimash,

prapë dielli leu.

Ti shkëlqen vitrinash,

ngjallesh si Anteu.

Në çdo cep të jetës,

ndrin si yll karvani.

Pal’ e fustanellës,

prek maja tavani.

E gjithë jeta jote,

këngë për mëmëdhenë.

Na ishe zotrote,

nip me Skënderbenë.

Sa hap e mbyll sytë,

më shfaqesh si hije.

S’gjeta një të dytë,

as dhe prej zilie.