(Baladë dashurie)
Eh ç’erdhi një kohë,se kisha menduar,
si të gjithë të tjerët,ti ke shtegëtuar.
Ike dhe si ike, se mora vesh kurrë,
ditën apo natën, pas hodhe dy gurë.
Si një e betuar, ike nga ky dhe,
dhe më s’je kujtuar, nga pas se çfarë le.
Unë ngela aty, si një gur i shkulur,
dhe flas kuturu e them po ku ka humbur.
Kaluan shumë vite, sa nuk i mbaj mend,
po për ty moj mike, zemra po më dhemb.
Nëpër shtegëtime, kush iku e s’erdhi,
ngeli si jetime, mallin në det derdhi.
Unë s’të ndjek dot pas, jo se s’kam dëshirë,
por në shtegëtime, s’para ndjehem mirë.
Kam ngelur aty,ku ti më ke lënë,
por të mbaj në sy, moj vetull gështënjë.
Rri e rri kujtoj, diku në një qoshe,
mos më harrojë fare, vallë kjo bukuroshe?
Nganjëherë pendohem,e them ka bërë mirë,
se unë s’po rinohem, jam një natë e nxirë.
Po edhe për ty, rinia ka ikur
bën mirë që nuk vjen, o moj mendje ndritur.
Nuk mund të duroj, nëse të shoh ndryshe,
të ngelesh tek unë,si një dallëndyshe.
Gjithë ato lezete, ndoshta janë tretur,
bën mirë që nuk kthehesh, tek një gjë e mbetur.
Unë i tëri thinjë, zbardhur si dëbora,
po për ty nuk dua, as një rrudhë tek dora.
Në ballë jo e jo, pa lëre në faqe,
të mbetesh tek mua, si një manushaqe.
E di e kuptoj, se ç’kanë bërë vitet,
ndaj nuk duroj dot, thinja të të ngjitet.
Nëse të shoh ndryshe,nuk do duroj dot
dhe s’di ç’mund të bëj,mund të kthehem lot.
Ndaj ti yll i bukur, shpirtin ke lexuar,
bën mirë që të ngelesh, zemër dashuruar.
Jam me mëndjen tënde,mirë bën që nuk vjen,
se dikur më çmendje, sot mos më zhgënjen.
Si do e si do dhe në largësi,
unë të mbaj në zemër, ti më mban në gji.
Qëndro edhe ca, sa të iki unë,
pastaj i nda dhe ëndrrat në gjumë.
Bën mirë mos ta prishësh, magjinë e rinisë,
s’ke përse të kthehesh, zjarri i dashurisë.
Unë të mirkuptoj, deri lartë në Zot,
nëse kthehesh ti,unë po iki sot!






















