Suplementi Pena Shqiptare/ Rexhep Meidani: “Entropia”

Këto ditë doli në qarkullim libri “Entropia. Rregulli e Kaosi, Informcioni e Evolucioni” (“Shblsh e Re”, Tiranë 2017), i Prof. Dr. Rexhep Meidanit. Ai, pas një takimi me një koleg universiteti, lektor të termoteknikës, u nxit të ribotonte librin e tij të mëparshëm të titulluar: “Të vërtetat dhe të fshehtat e Entropisë, (“Dudaj”, Tiranë 2006), sepse nuk po gjendeshin më kopje të tij. Në vend të një përgjigje të shpejtë, pra dhe një ribotimi të thjeshtë, z. Meidani e rimori botimin e mëparshëm dhe e ndryshoi tërësisht atë, jo vetëm në problematikë e mbulim, por dhe në mënyrën e trajtimit të tij. Ky botim, tashmë krejt tjetër, është ndërtuar në 9 kapituj, sipas radhitjes së mëposhtme: I. Disa njohuri-bazë termodinamike-statistike; II. Parimi i parë dhe i dytë i termodinamikës; III. Pakthyeshmëria në fizikë dhe Entropia; IV. Shpërndarjet dhe Entropia; V. Entropia dhe informacioni; VI. Entropia dhe rendi biologjik; VII. Termodinamika e universit; VIII. Termodinamika relativiste dhe Entropia; IX. Teorema e Nernstit dhe postulati i Plankut.

Në librin sapo të hedhur në qarkullim, siç u zgjeruan mjaft pjesë dhe u shkruan paragrafë të rinj në kapitujt ekzistues, u shtuan dhe kapituj të rinj, për të mbuluar fusha e çështje të tjera shumë më bashkëkohore e intriguese. Ndryshime të konsiderueshme janë bërë në kapitullin “Entropia dhe rendi biologjik”, ku është trajtuar si lidhja e Entropisë me informacionin ashtu dhe sjellja e makro-molekulave që mbartin informacion (pararendëse të vetë sistemit biologjik). Një kapitull i ri i shtuar, por mjaft tradicional, është dhe ai mbi “Shpërndarjet dhe Entropia”, ku merren në shqyrtim të gjitha shpërndarjet statistike klasike, klasike-kuantike e kuantike. Po në këtë kapitull janë marrë në konsideratë dhe disa shembuj llogaritjesh të nevojshme për një studim e analizë të mëvonshme; p.sh., ajo për gazin ideal klasik njëatomik apo për gazin ideal kuantik brenda një grope potenciale.

Sigal

Një kapitull tjetër i ri, por tashmë me një përmbajtje larg asaj tradicionales, është dhe ai i quajtur “Termodinamika e universit”, ku krahas disa temave të njohura merren në shqyrtim dhe analizohen mjaft çështje të tjera si: koha e ftohjes, reja e gazit, që pëson kolaps nën veprimin e gravitetit, zgjerimi adiabatik i universit, entropia dhe temperatura e një vrime të zezë, avullimi i vrimës së zezë dhe rrezatimi Houking. Por e veçantë është aty edhe mënyra e trajtimit, sepse arrihen disa përfundime të rëndësishme me mënyra të përafërta dhe mjete të thjeshta.

Plotësime të konsiderueshme janë bërë dhe në kapitujt: “Termodinamika relativiste dhe entropia” dhe “Teorema e Nernstit dhe postulati i Plankut”.  Së fundi, ky botim, nisur dhe nga mënyra e trajtimit, është i dobishëm dhe i përdorshëm në pjesë të tij si për studentë të shkencave natyrore (fizikës, kimisë, biologjisë) ashtu dhe ata të inxhinierisë. Ai, sidomos në tema të caktuara, mund të shfrytëzohet nga mësuesit, pedagogët e studiuesit, përfshirë dhe nxënës të dalluar në klasat shkencore të vitit të fundit të shkollës së mesme.