Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Ago Nezha: Dy ishuj të dijes të profesor Et’hem Rukës

19
Sigal

Telegraf.al / Profesor Ethemi njihet në opinionin shoqëror si një shkencëtar elitar në fushën e Biologjisë, profesori i shumë brezave studentësh, me një krijimtari të pasur, nga artikujt shkencor te librat fondamental, siç është Biologjia shkenca e jetës dhe ka thyer rekord me botimet e mbi 120 titujve të librave shkollor për të gjithë ciklet e arsimit të ulët e të lartë. Dy librat “binjake” që u promovuan para pak ditësh në mjediset e Universitetit “Luarasi “, flasin për dy ishuj të dijes, atë të shkencës me të fshehtat e saj, që është “Transhumanizmi Përtej Njeriut”dhe publicistika Rrëfime, siç e ka përcaktuar autori, “Takim me Vetveten “. Secili nga librat mund të promovohej më vete se kanë dallime përmbajtësore, njëri thellësisht shkencor, bashkëkohor dhe tjetri autobiografik, publicistik.

Por profesor Ethemi, në morinë e botimeve të tij pafund, ka preferuar të bëjë sa më pak promovime, ndaj dhe bashkoi dy botimet e fundit. Ky si fenomen i përurimit të dy “krijesave “ në një ditë, përkon me një zakon në krahinën e Labërisë nga është dhe profesor Ethemi, që ndodhte në disa raste te ndonjë familje që kishte shumë fëmijë. Dy prej tyre që kishin moshë të përafërt, i martonte në një ditë për të thjeshtuar kohën, angazhimet e miqve dhe shpenzimet e tyre, që ndiheshin borxhlinj. Unë profesor Ethemin e kam njohur gati tre dekada më parë pa e takuar fizikisht, nëpërmjet librit “Klonimi, Dilema mes Vdekjes dhe Përjetësisë “. Si një maniak librash që jam, si shumë të tjerë të brezit tim, i kam blerë dhe lexuar librat e tij, se lexohen me ëndje për informacionin që përcjellin dhe për mënyrën dhe stilin e të shkruarit. Libri ishte thellësisht shkencor se kishte të bënte me klonimin që u krye në 5 qershor të vitit 1996, në Institutin “Roslin”, të Skocisë, ku lindi qengji i parë i klonuar, që u quajt Dolly. Unë librin e lexova dhe e kuptova falë njohurive që kisha marrë për gjenetikën, biologjinë dhe fiziologjinë e kafshëve dhe të bimëve, në një nga fakultetet që kam mbaruar. Pas meje librin e lexoi dhe vëllai im Kastrioti, një pasionant i letërsisë, por pa njohuritë e nevojshme shkencore, dhe formim të cunguar arsimor, me shkollë 7 vjeçare dhe profesion hidroteknik. Pasi e mbaroi librin së lexuari më tha : “ky qenka shkencëtar i vërtetë”. E solla këtë shembull parë në dy aspekte. Së pari, që profesor Ethemi, shkëlqimin shkencor e ka të hershëm. Edhe kur shkruan për probleme tërësisht shkencore, ka një stil lakonik dhe gjen ura komunikimi me të gjithë shtresat dhe kategoritë e lexuesve. Së dyti, i thjeshtëzon interpretimet shkencore dhe i bën të kuptueshme për masën e gjerë, nëpërmjet mendimeve të qarta dhe racionale. Kjo përligj thënien e Tolstoit se: “Paqartësia e fjalës është paqartësi e mendimit”. Kur mendimet janë të qarta edhe fjala është e qartë. Shumëkush do thoshte se pasqyrimi i qartë i fenomeneve shkencore është atribut i fushës së tij si shkencëtar. Por kur lexon dy librat e fundit autobiografik, publicistik, “Rikthim në Vendlindje “ dhe “Takim me Vetveten “, në rast se nuk ke njohuri mbi personalitetin dhe profesionin e profesor Ethemit, nga mënyra e të shkruarit dhe gjuha e përdorur, menjëherë do mendosh se ky është i fushës së letërsisë. Para promovimit të dy librave të fundit Ai, promovoi vitin e kaluar në vendlindjen e tij në Turan të Tepelenës librin “Rikthim në Vendlindje”, në praninë e më shumë se 300 pjesmarrësve, që përfaqësonin të gjithë shtresat e shoqërisë, nga shumë krahina të vendit.

“Takim me Vetveten “ është një zgjatim i librit “Rikthim në Vendlindje“, që flasin për jetën dhe veprimtarinë e autorit nga fëmijëria deri në ditët e sotme si profesor, politikan, ministër në disa dikastere, si Ministër i Arsimit, Ministër i Pushtetit Vendor dhe Ministër i Mjedisit, akademik dhe aktualisht Rektor te Universiteti “Luarasi”. Mënyra e të shkruarit, gjuha e kultivuar, fjala e gdhendur, fraza të skalitura, me një figuracion poetik dhe fjalor të pasur, me një stil të zhdërvjelltë, që rrjedh fjalia si ujëvarë, si dhe zotërimi i mjeteve gjuhësore, të bën të mendosh se autori është një krijues letrar. E vërteta flet ndryshe. Ai është një shkencëtar unikal në fushën e vet, por që mesa duket gjeni i fshehur familjar, ka shpërthyer si sythat, dhe ka një pranverë në krijimtarinë e tij. Vëllai i profesor Ethemit, Petrit Ruka, është edhe pse nuk jeton më, një nga poetët më të talentuar me një prodhimtari elitare në lëmin e poezisë kombëtare. Kjo tregon se profesor Ethemi në vendlindjen e tij ka ngjizur talentin, që e ka shoqëruar në rrugëtimin e tij të gjatë, që sot është bërë një kalorës i diturisë multidimensionale. Kujtoj nga bisedat me Petritin, që më thoshte se babai i tyre Novruzi, kishte një dhunti dhe aftësi natyrale, që të krijonte episode, tregime e histori, që ngjanin me fabulistë të dëgjuar, falë dhe kujtesës së tij të admirueshme. Kujtesa dhe talenti janë dhunti natyrale, shkolla rrit efiçensën e tyre.

Shembujt botëror janë të shumtë, pse jo dhe në vendin tonë, që kanë treguar se krijimtaria
letrare nuk është pronë e atyre që kanë mbaruar letërsinë. Dihet se tregimtari dhe dramaturgu me famë botërore Anton Çehovi ishte me profesion mjek. Ai, kur u diplomua për mjekësi shprehej se: “ Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja”. Kështu mund të sjellim ndërmend disa shkrimtarë britanik si Frederik Forsyth, apo Ivan Fleming, që punonin në agjenturat sekrete, Roald Dahl, pilot i avionëve luftarak, Çarl Dikens, me një fëmijëri të vështirë dhe varfëri ekstreme, ju nënshtrua punës në moshë të re dhe shkroi kryeveprat e njohura si “Oliver Tuist”, “ David Koperfild”, “Dombi e i Biri”, etj. Ka shembuj pa mbarim në letërsinë botërore. Ky fenomen është prezent dhe në letërsinë tonë. Shkrimtari Sabri Godo, ishte ekonomist, Teodor Laço e deri te Namik Dokle vijnë nga fusha e agronomisë, Fatos Kongoli ka mbaruar për matematikë, tregimtari Seri Sulejmani, ishte montator, e shumë të tjerë. Talenti s’ka profesion. Ai lind, nuk mësohet. Ajo që spikat dukshëm kur lexon krijimtarinë e profesor Ethem Rukës, është kujtesa historike, një dhunti për ta pasur zili, që i rendit në rresht ngjarjet, ndodhitë, fenomenet e faktet, me një saktësi ekuacionale. Duke lexuar dy librat e fundit, nëpërmjet jetës dhe veprimtarisë së tij, njihesh me fëmijërinë në fshatin e lindjes, në Turan, shkollimin e mesëm në Pedagogjiken e Gjirokastrës, punën si mësues në Tepelenë, vitet e rinisë studentore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, te aksionet e rinisë që thyhen shumë tabu, zborin ushtarak, e deri te auditorët dhe specializimi në Francë. Kjo tablo mbresëlënëse, përfshin përjetime mozaike, që kalojnë përmes dy epokave të sistemeve që ka kaluar vendi ynë, monizmin fanatik dhe këtë të mbi tre dekadave, pseudodemokracinë liberale që jetojmë sot.