Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Skënder Rusi

475
Sigal

RIDIMENSION

E gjeta veten që më kishte humbur,
I hapa derën dhe brenda e futa!
Mes miqve që kam përqafuar
edhe puthur,
Tani e di mirë kush është Juda!

I gjeta sytë që më kishin ikur,
S’kam për të thënë më
që jam i verbër!
Nga zjarret, tani e di,
kush duhet fikur,
Që mos e lemë të djegë
ndonjë tjetër!

E gjeta gjysmën time kryengritëse,
Mezi e njoha, aq shumë kish ndryshuar!
U desh kaq kohë, gjersa unë të bindem
Që jam i puthur dhe i tradhëtuar!

UNË, MORAVA DHE
MJEGULLA  E SAJ

Mali i Moravës ku mbështet kokën Korça,
Unë, në majë të tij, mikroskopik!
Brenda tij mund të ketë me dhjetra kodra,
(Një prej tyre jam unë, natyrisht!)

Me pakëz mjegull që lëviz ngadalë,
(As ajo nuk e di se ku po shkon!)
Po mali i Moravës nuk është Himalajë
Ne të gjithëve ai na mjafton!

Drejt “Gurit të Cjapit” nisem i vetëm,
Veç era vallëzon përmbi të,
Ai është tërësisht i zhveshur,
Edhe po të dojë ai s’vishet më!

Shkoj edhe unë pas erës
Mbi Gurin e Cjapit rrëshkasim
Morava është krijuar për Korçën
Dhe Korçës i jep ajrin!