Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Pullumb Ahmeti

433
Sigal

Ma hoqën…

Eh,,ç’ma hoqën, stolin e vjetër
ma vranë, në shpirt, një kujtim
fshehtas, nën të, datë edhe emër
ç’mi zhdukën, i çuan për varrim.

S’më bëhet, të ulem te stoli i ri
kujtimet e vjetra shpirtin trazuan
një çift qafuar erdhi u ul, eh të rinj
si unë dikur,në të emrat shkruan!

E hoqën, e hoqën stolin e vjetër
ç’patën? Pse se lanë aty si relikte?
Sa çifte aty erdhën ditën e natën
e falën mes tyre, puthjen magjike.

Ika çapitur i lodhur nga mosha,
mbi shpinë mora kujtimet e mia,
te stoli i ri puthje, as dhashë, as mora
shpirtit i fola, ngushëllohu te dashuria.

Ulliri ngeli pa vjelë
Çamërisë

 

Ulliri, ngeli pa vjelë, çeç, o çeç, ku je?
thërret toka e dridhet rrëqethshëm
rrotull, ferrat frymën rrënjëve po u zënë
eh, çeçi ka rënë në gjumin e përjetshëm.

Bagëtia, pret në kasolle, pa mjelë mbeti,
më poshtë dëgjohet rrëpirës trokëllimë,
kusia rënkonte dhe derdhej klumështi,
nëna gjirit shtrëngonte dhimbshëm, një bilë.

Heshtte lutërvia,vaji mbeti pa nxjerrë,
më tej trokëllima e mullirit dëgjohej bosh,
një thes drithi, çarë kokrra gruri zë hedh,
i merr rrjedha e ujit pandalshëm teposhtë.

Dërstila ngjyer me të kuqe hesht e përvuajtur,
kanë heshtur dhe këngët që ndiheshin netëve,
kush do ti ngjyej pajat e nuseve të duken bukur?
uji purpurt përzihet me gjakun e kuq të nuseve.

 

Mbeti dasma pa bërë këtë vjeshtë, çeç, o çeç,
çohu çeç, shkunde fustanellën me dyzet palë,
largoje gjumin nga sytë dhe bëhu njëzet vjeç,
kalëro lëndinave,dhëndër hipur doriut me shalë.

 

Dhembje ndjen plaga e kobshme,hesht Çamëria
hesht ulliri moçëm brinjës mbeti këtë dimër pa vjelë
tej uji rrjedh mullirit rënë e shkon derdhet te lutërvia
një diell lind mbi këtë tokë, ka zënë fryn dhe një erë…