Suplementi-Pena shqiptare/ Poezi nga Mimoza Çobo

461
Sigal

Mimoza Çobo

VAJTO MOJ LIRË NË VISET E MIA! …

Ah,ç’tinguj vajtimi nxjerr lira në viset e mia !
Si guxuan e çvirgjëruan vashat e dëlira,
telat e lahutës të këputen nga vajtimi arbëror,
lule kambana të lotojë për shpirtin vashëror.

Vajto moj lirë,vajto gjëmën e viseve të mia,
lëndina mbani zi,të griset nga lotët shamia,
në vendin tim virgjëreshat çvirgjerohen e vriten,
ah,çmënxyrë ,bisqet e vashave po fishken !

Ju egërsira ua thithët limfën,vashave flutura,
të brishtave që Perëndia i bërë të bukura,
leshverdhave që ngjyrën ia kishin marrë diellit,
hënave tokërore,lindur nga placenta e qiellit.

Si guxove ti paranojak imoral,vallë si guxove ?!
Skllave seksi i përdore,për qejfet e tua mizore,
që të hijeshoje hiret e tua,me flori e argjend,
peng seksi,i le vashat,të bukurat e vendit tënd.

Zëreni egërsirat, se po këpusin filizat e njomë,
po groposin mitra, vezoret ua thyejnë me dorë,
sytë s’do na shohim më gonxhe në lulëzim,
o Zot,çfarë bëhet kështu ,në vendin tim?!…

Oh,vajto moj lahutë,vajto gjëmën e viseve të mia,
notat elegjiake,të dëgjojë hyjnesha Artemisa,
nga tempulli i Efes ,të hedh shtiza dhe shigjeta,
të shfaros farën kafshërore në skutat e errëta !

MOS I LINI ËNDRRAT E GRAVE TË QAJNË!

Oh,ku ta gjej Kakudën!Si t’ia lëviz gurin e varrit?
Një kupë me helm,të më japë siç ia dha Sokratit,
e di,në vendin tim ka xhelatë, më të zotë se ai,
por,unë dua helmin që piu Sokrati,si për çudi.

Njësoj,si Sokrati,do derdh pak helm për perënditë,
si ai t’i lus,të më ndriçojnë udhën për tek yjësitë.
Askush mos të më qaj dhe të më mburr me bujë,
nëse në cep të buzës çelin vargje,ujitini me ujë.

E në mos paçi ujë,se burimet i ka zënë kuçedra,
shtrydhmëni eliksirin jetësor që ka gjineshtra,
në mos gjetshi gjineshtra e rrëshirë çedri në pyje,
shtrydhni cungjet e tharë,shtrydhni çdo nyje.

E nëse nyjet e cungjeve nuk pikojnë më eliksir,
shtrydhjani gjirin bërthamës së dheut me ëmbëlsi,
nëse magma s’kullon palcë,do të më pushtoj zija,
mos thoni,palcën ia pinë bastardët nga babëzia !

Gusha e nëntokës ka gjerdanë me diamante dhe ar,
tretini në furrën e gjirit e më lagni buzën e tharë,
nëse vargjet nuk i ëmbëlsoni,me ekstrakte mjalti,
nuk e dua helmin,edhe pse jam dënuar,si Sokrati.

Se kam shpirt të pavdekshëm,femëror dhe poetik,
kam burimin erotik ku dehen shpirtrat romantik.
Ne djall kush vret ëndrrën,që jeton tek çdo grua,
në djall kush e bënë këtë krijesë,pa shkak të vuaj.