Suplementi Pena Shqiptare/ Istref Haxhillari: Lojë e pafajshme pokeri

129
Sigal

 Një tavolinë e ndershme do të më bënte punë, – foli si me vete. Forca e vesit. Zemrën e bardhë, po ç’e do… I keqi i vetes. Tavolinat e mëdha kërkojnë lek, – i tha Dajua, – ti nuk ke.  – I gjej, – tha Niti. – Ç’pret atëherë? – A mund të futim në lojë deputetin? – E rregullojmë, meqë të pëlqen. Bën ca naze në fillim. – Është bankë, hile nuk di. Luante dhe nuk mësonte. Po ta gjetën anën, të gjithë bëjnë hile. Në kumar nuk të bën mik njeri, do të goditesh me mua, po ta sjellë rasti. Ta them që ta dish. – E di, – tha djali. Duart nuk i zinin vend. Edhe sytë. Mendja e kumarxhiut u vu në punë si mekanizëm i vaisur. Pokeri ia ndizte gjakun më shumë se një natë e nxehtë seksi. – I katërti Turikuqi, – propozoi – Më pëlqen, – i tha Niti. – Një milion për të filluar. Si thua? – Aq i siguroj. Njihte dikë që jepte të holla me fajde… Në katin përdhes, asnjeri. Zunë vendet siç rastisi. Kamerierja rome mbështeti njërën dorë ijës, ngriti paksa gjoksin. Buzët e lyera u hapën me tone provokuese. Niti i futi dhjetë mijë lek në të ndarën e gjinjve. – E kalova radhën, – i shkeli syrin. Dajua u zgjat, e goditi bythëve. – I ke ca të gjata duart ti, – e kërcënoi. Sytë ndriçuan me flakë blu të thellë, dhembët e mrekullueshëm vezulluan.- Ashtu i kam të gjitha, – u lëvdua. Kurbatka bëri gjest të turpshëm me dorë. – Mos u mprih të hysh në listën time çokolatë, plakush, – qesëndisi, – të kishe gojën më pak të ndyrë, mund të më prishej mendja. Solli një palë karta të pahapura, ndezi abazhurin, shënoi kohën në një bllok lëkure të gjelbër. Niti i çmbështolli, hoqi serinë deri te gjashta, ndau nga pesë letra prej togut të mbetur. Deputeti vendosi i pari të futet.  – Tre pode! – hodhi në tavolinë pesëmbëdhjetë mijë lek. Turikuqi hapi letrat, mblodhi buzët i pakënaqur – Pas! – u tërhoq. Dajua ndiqte me sy lëvizjet, përpiqej të lexonte fytyrat. Ngurronte të futej. Niti i qerasi të dy me nga një vështrim shpërfillës.  – Kart? – pyeti partnerin e vetëm. Meqë kishte tre ase, ai vendosi te rriskonte.  – Dy! – tërhoqi me frikë. Fati nuk e zhgënjeu. Shtatat njëra pas tjetrës e bënë grand full.  – Çip! – deklaroi vazhdimin e lojës.  Me pesë letra në të njëjtën ngjyrë, Niti përfundoi boj. Mezi e mbajti veten të shtirej i ftohtë e i paanshëm.  – Radha! – i tha Rudit. – Katër pode!  – Gjashtë! – e ngriti kuotën të fuste në lojë Dajon. Ai mblodhi buzët… Nuk kishte gjasa ta fitonte atë dorë. – Pas! – u tërhoq. Fytyra e brazduar u shëmtua edhe më. Ish deputeti rrezikoi. Rest! – lëshoi në tavolinë të gjitha paratë. Sytë tinëzarë deshën t’i shmangen vështrimit të djalit. Ai pikasi rrezikun. – Parol! – kërkoi mesin e artë: të ndanin shumën përgjysmë. Tundi kokën në shenjë mohimi. Dhe shpëtoi. Niti shpresoi deri çastin e fundit, u përpoq sa mundi. Përfundoi fllosh, i iku gjaku, buzët iu thanë. E humbi rastin. Por jo besimin…Loja vazhdoi e nxehtë, goditjet e radhës nxorën kavo të majme. Ishin të eksituar, po djali ua kalonte. Kur mbeteshin pesëmbëdhjetë minuta të mbyllej dora e tretë, zuri katër milion e tetëqind mijë. – Mbaji! – e këshilloi Dajua. – S’mjaftojnë. – Mund t’i lësh për dy minuta. E pamundur t’i kthehej mendja. Bllofet i dukeshin të natyrshëm, e ngriti depozitën në gjashtë milion… Pesë minuta nga përfundimi i seancës së pestë të asaj nate të jashtëzakonshme, u derdhën sasi të mëdha parash. Nën hundën e lojtarëve u grumbulluan togje të pabesueshme. Ish deputeti u dha borxh të gjithëve. Në intervalet midis seancave tërhiqte nga bankomati në cep të rrugës shuma të njëpasnjëshme. Podi u ngjit në tetë shifra.  Për ata që e dëgjuan, s’ishte veçse përrallë. Niti zuri shtatë milion e gjashtëqind mijë lek. Fati ishte me të. Turikuqi humbi më shumë se të gjithë, megjithatë nuk u tërhoq, besonte te ylli i tij. Sajoi një buzëqeshje nga ato që i mbulonin për bukuri emocionet, hodhi togun e fundit të parave. – Gjashtë pode! – ngriti ofertën. Buza e poshtme iu drodh lehtë, po këtë hollësi s’e vuri re askush. – Shtatë! – i mëshoi zërit Niti. Ish deputeti u bë dyer nga letrat e radhës, u tërhoq. Dajua e pasoi. Mbetën përsëri dy në lojë. Turikuqi ndihej i sigurt. –Visto! – kërkoi vazhdimin. – Sa do? – e pyeti Niti. – Dy. – Unë tek, – tërhoqi dhjetën karro. Me dhjetën maç dhe tre ase u bë grand full. I qeshën sytë. Po vetëm një çast…  …Teta e katërt për Turikuqin. E pabesueshme! – Çip! – belbëzoi duke ruajtur shprehjen e padepërtueshme të fytyrës më siguri të tillë që ose e kishe të lindur, ose s’e kishe fare. – Rest! –  u përgjigj Niti.  Grand fulli i dha siguri. Si ta dinte se kundërshtari u bë me katër letra të njëllojta? Ndodhte rrallë, pothuaj asnjëri nuk e pati hasur. Po ndodhi. Fati i ktheu krahët në mënyrë mizore. Sekondën e fundit mbeti me gisht në gojë. Turikuqi e përlau restin: njëzet e shtatë milion… U bë dru, muret e dhomës së thellë nën tokë iu ngushtuan.  Drita gri e mëngjesit u kujtoi se e gjithë nata kishte mbetur aty… Dajua e ndoqi në fund të Rrugës së Barrikadave, ku banonte me tre studentë të tjerë. Nxori nga xhepi një tufë kartëmonedha. – Merri, – i shtriu dorën e qullur, – në këto raste duhet ta ndihmojmë shoku-shokun. Djali nuk e pa lakimin ironik të syve fshehur thellë zgavrave të fishkura.