Suplementi Pena Shqiptare/ Pali Shtëmbari: Rrëzimi i nënës

653
Sigal

Tregim

Lokali ku zumë vend ndodhej thuajse përbri stacionit të autobusëve që shkonin në Ujë të Ftohtë dhe më tej. Ishte një paradite  ngrohtë shkurti dhe ne dolëm jashtë tij. Me Bertin, shokun tim të vjetër po bëja kohë pa u takuar, kur bashkë, për vite me radhë, në fshatrat rreth Vlorës kishim ushtruar detyrën e mësuesit, si të deklasuar, pasi rridhnin nga shtresa të pasura prindërit tanë.

Berti la pranë këmbëve të veta një çantë, çuditërisht më përngjante me ato të nxënësve, tek i mbështesnin përfund mureve të klasës, sa herë unë pengohesha me to, kur shkoja t’i kontrolloja, nëse i kishin bërë detyrat që u kisha dhënë t’i bënin në shtëpi apo jo. Pengohesha me to dhe largohesha duke turfulluar rëndshëm për një kohë, sepse më vonë qetësohesha, sidomos, kur kishte nxënës që qeshnin për sa kisha pësuar. Ata ndaleshin sa ndeshnin vështrimin tim qortues.

Më bënte përshtypje fytyra e rrumbullt e Bertit, e cila ishte mugur krejt.

– Unë … vij nga Amerika. Desha të them se, së pari shkova të takoja time më, mirëpo komshia atje më tha se kishte shkuar të merrte pensionin, së bashku me…

Berti frymëroi rëndshëm.

Mendova se deshte të më thoshte që të ëmën  e kishte lënë me një … bejbi sister, siç i thonë anglezët apo dhe të tjerë të kësaj gjuhe, mirëpo u tërhoq. Ndoshta e … dënonte veten për sa kishte bërë me të, duke e lënë me një grua të huaj, dhe jo të kishte pranë dikë nga njerëzit e saj.

Berti u kthye nga unë.

-Ti nuk e di që unë po bëj thuajse dy vjet pa e takuar time më, sepse, atje ku shkuam na dolën hesape të tjera nga ato që kishim menduar: Të ndiheshim burrë e grua, thjeshtë si turistë.

E lashë të qetë për një kohë.

As ai nuk foli.

Ndiqnim me vështrim pasagjerët tek nxitonin të kapnin autobusin.

Më bënte përshtypje gjendja shpirtërore e Bertit të kllaposur keq nga një përjashtim mallëngjimi, që nuk ishte pre i një ndjenje ngazëllimi, kur të takonte të ëmën (!)…

Megjithatë…

-Ne shkuam në Nju Xhersi thjesht si turistë, përpos ftesës që na bëri im bir, duke menduar se bënim në këtë vend një vizitë të lakmuar nga krejt shqiptarët, kur mendonin për begatinë në të, sidomos në planin turistik.

Mirëpo, sa mbërritëm atje, na ndodhi ndryshe.

Dhe, për çastin thuajse u revoltuam keqas me tim bir, sa … Sepse nuk e kishim shkuar ndërmend të rrinim më gjatë sa mendonim. Megjithatë, shpejt u ndjemë të qetë. Na duhej të mbanim, për një kohë, djalin e tyre të sapolindur, sepse e shoqja e tim biri ndryshe humbiste vendin e punës.

Aty kuptova se Amerika është: “na-nëm”!

Jeta, papritmas t’i rrëzon të gjitha ç’ka ti mendon si të mirëqenë dhe, gjithçka mbetet një aforizëm dhe aq.

Diçka të tillë e përjetova shumë keq, natyrisht për çastin, kur mendoja se time më  e kishte lënë… kështu për rreth dy vjet u bëmë pre  e asaj që na diktonte im bir.

Berti përsëri heshtte.

Heshti keqas për një kohë dhe unë nuk e bezdisa, ta ngacmoja me ndonjë pyetje që mund t’i bëja, edhe pse ndihesha kureshtar të mësoja diçka për atë vend ku ndodhej i biri.

Më bëri përshtypje se frymëroi rëndshëm, disa herë radhazi, sa u qetësua.

Ndoshta për çastin se isha gabim tek ndërhyrja në hallet e tij familjare, aq më keq kur bëhej fjalë për problem të brendshme që kurrsesi nuk i lejohet kujtdo të fut “hundët”, kur ai mund t’i zgjidhë vetë përpos interesave të veta.

Kështu mendova për çastin dhe u tërhoqa në vetvete, sa Bertit i bëri përshtypje pse po heshtja. Nuk duroi dhe tha:

-Ti… Përse po?…

-Jo, jo se heshta. Por, në këto probleme… kushdo i jashtëm nuk ka të drejtë të ndërhyjë, sepse…

Desha t’i them se, kur tjetri nuk të kërkon… ndihmë, nëse mund të quhet ndihmë, nuk ke pse i fut “hundët”…

Çuditërisht, pranë më vinte koha kur ushtroja detyrën e mësuesit, dhe … herë përjetoja një farë agresiviteti, të papranuar, edhe pse gjendesha ballë një ngacmimi të papranueshëm nga unë, kur iks nxënës vinte i papërgatitur pa bërë detyra që u kisha dhënë të bënin në shtëpi. Mirëpo nga ata, dikush edhe gati i përlotur, më justifikohej se në shtëpi nuk kishte pasur ambient të pranueshëm të bënte detyra, ndaj unë…

Ikja, ikja më tej, ballë klasës dhe ndihesha i penduar për sa kisha bërë me ta, i detyruar të mbyllesha shpirtërisht për një kohë.

Tek ndiqja gjindjen pranë stacionit të autobuzave, pranë këmbëve m’u ngjit keq një kone, e cila nuk ndalte të lehurit, sikur unë!… Ishte krejt e bardhë e në leshrat që i mbulonin trupin, por që, çuditërisht ndihej e papërmbajtur tek më ngjitej mua, sikur unë!…

Së fundi, u largua nga unë dhe, ngrohtë, iu qas Bertit, duke luajtur ëmbël bishtin. Një veprim i saj që më bënte përshtypje.

– Është Bubi, qeni ynë!….

Kaq tha Berti dhe zgjati rrëmbimthi dhe vështrimin e përqendroi përballë vetes, ku një grua e moshuar iu shkëput asaj që kishte pranë dhe u rrëzua përtokë, tejet e ngashëryer në pamje.

Gruaja thuajse lotonte.

– Ajo! … Ajo është nëna!…

Berti u largua nga unë rrëmbimthi dhe iu gjend pranë, duke e ngritur nga toka.

Nuk ia ndalte përqafimin. Ndërsa konia u vinte përreth duke luajtur bishtin ngrohtë.