Suplementi Pena Shqiptare/ Ndre Mjeda teologu, shkrimtari dhe deputeti shqiptar

1412
Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 – dhe vdiq më1 gusht 1937. teolog, shkrimtar, gjuhëtar, deputet shqiptar nga Shqipëria. Ndre Mjeda, poet i shquar dhe veprimtar e patriot. Lindi në Shkodër nga i ati Jakë Zefi (Kryeziu) dhe ëma Luçije (Dominika) Thaçi. I ati ishte me origjinë nga Mirdita ndërsa e ëma nga Malcit e Pukës. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit, Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan, Leonardo de Martino (1830-1923). Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cosse-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi. Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci. Në këto vite Ndre Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar “Vaji i bylbylit”, botuar më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha “Vorri i Skanderbegut”. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë “L’Arpa di un italo-albanese” (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike.

Guxo
Lundërtari që s’rezikohet, 
Kur asht’ deti shkum’ e valë, 
Vetë më vedi mos t’ankohet, 
Se i shkoi dita pa fitim. 
Tuj u tall’ e tuj pritue, 
Kurrgjasend nuk qitet n’dritë, 
Çfarëdo sendi me fitue, 
Trimni lypet e guxim.

Dimni
Nëpër fushë e nëpër male 
fryn murlani me stuhi, 
ndal ti, akull mos më ngi. 
mos ma ngini këtë pik gjak, 
struku, struku, i shkreti plak.
Liria
– I – 
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni: 
A shndrit rreze lirie n’ato maja; 
mbi bjesh’ t’thepisuna e n’ograja, 
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni? 
A keni ndie ndikund, kah fluturoni 
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj? 
A keni ndie nji kangë të patravajë? 
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni! 
“Lirim, lirim!” — bërtet gjithkah malsia. 
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba, 
a veç t’mjerin e mblon anemban’ robnia? 
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama, 
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia, 
e vështroje ku i del lirimit ama. 

– VI – 
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria: 
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti, 
lodhun prej terri ku robnimi e qiti, 
shpreson me e zgjue fluturim mënia. 
E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija 
e lirimit t’Atdheut; fshehtas shëtiti 
kasoll’ për kasoll’ rreth buneve e soditi 
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija 
e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin 
nanat e Hotit djelmënin’ ushtore 
e idhnim n’armikun nëpër gji iu qitin. 
E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.
Gomari dhe Kali
Po pse, po pse, 
Ankohej nji gomar,- 
Ty njerzit t’bajnë kaq nder 
E t’shame, mua po m’falin? 
Se i barti vetë mbi shpinë 
Si ti, a thua, s’e dinë? 
E kali i thotë kadal’: 
“Në mos gabosha, ty t’përbuzin njerzit, 
Pse si gomar ti i ban e vetë si kal”. 
-Ma fort se puna vetë, me të qitun në za, 
Shumë herë, asht mënyra se si je tuj e ba!
Sigal