Suplementi Pena Shqiptare/ Naxhi Kasaruho: “Kur vinim në shkollë dramën e Prof. Rexhep Qosja”

893
Në 50-vjetorin e teatrit të Gjirokastrës
Kur vinim në shkollë dramën “ Beselam pse më flijove?” të akademikut Prof. Rexhep Qosja
-Nostalgji-
Nga Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”
Ishte fillim vjeshte e vitit 1989 kur trupa e teatrit të Gjirokastrës filloi provat për të vënë në skenë dramën filozofike “Beselam pse më flijove?” të Prof. Rexhep Qoses.

Ishte një iniciativë e vështirë kjo që regjisori i ri Ilirjan Lluri kishte vendosur me pasion, kurajë dhe profesionalizëm të sfidonte dhe promovonte artistikisht vlerat e veta si regjisor i këtij teatri. Ka qenë një akt i guximshëm nga ana jonë për të vënë në skenë një vepër të Prof. Rexhep Qoses, që në atë kohë nuk është se shkruhej me entuziazëm. Në atë vit pra rreth 30 vjet më parë kam qenë me detyrën e drejtorit të Teatrit të Gjirokastrës dhe kam pasur fatin të bëhem edhe unë pjesë e suksesit të trupës së aktorëve që në nëntor të atij viti në Festivalin Kombëtar të Teatrove të vendit, teatri i Gjirokastrës të vlerësohej nga juria me Çmimin III, një sukses i jashtëzakonshëm dhe i merituar ky për artistët gjirokastritë, Regjisori Ilirjan Lluri dhe aktorët: Rajmonda Aleksi, Fane Bita, Aleksandër Pogaçe, Baftjar Çene, Margo Arseni, Irena Pilo, Rapo Kapurani etj, meritojnë gjithë konsideratën, respektin dhe mirënjohjen tonë për kontributin që kanë dhënë në gjallërimin e jetës artistike në Gjirokastrës dhe më gjerë.

Por nuk ka qenë kjo shfaqja, njohja time e parë me personalitetin e Prof. Rexhep Qoses. Ka qenë qershori i vitit 1972 kur si pjesëtar i Ansamblit Artistik “Labëria” të qytetit të Vlorës kam qenë në një turne shfaqjesh në Kosovë. Në koncertin përfundimtar që dhamë në qytetin e bukur, befasues dhe historik të Prizrenit, që më dukej njësoj si Gjirokastra me shtëpi prej guri dhe të mbuluara me rrasa guri, me kështjellën madhështore në krye të kodrës së qytetit, me sokakët e shtruar me kalldrëm dhe me lumin me emrin “Bistrica” që përshkon mes përmes qytetin do të ishin prezent edhe figurat e shoqëruara të Kosovës dhe mbarë kombit, bilbili i këngës shqiptare Nexhmije Pagarusha dhe intelektuali erudit Rexhep Qosja. Kur na thanë se në sallë ishin edhe këta dy personalitete të gjithë u emocionuam dhe ishim të gëzuar që koncertin tonë do ta shikonin edhe dy figura të shquara dhe të njohur në mbarë hapësirën tonë kombëtare. Në vitin 2001 kur Prof. Qosja do të nderohej me titullin e larë “Qytetar Nderi i Gjirokastrës” përsëri pata fatin që si drejtor i Qendrës Kulturore të qytetit të jem në atë ceremoni prestigjioze dhe t’i dhuroj profesorit librin tim të parë botuar në atë kohë me titull “Gjirokastra e Festivalit” duke e falënderuar për mesazhet që me shumë respekt dhe dashuri përcolli në këtë ceremoni. Vlerësimi që iu bë personalitetit të tij nga Bashkia e Gjirokastrës. Nga kontakti i parë në Prizren në vitin 1972 e deri më sot e kam ndjekur me interes dhe vëmendje kontributin e lartë të këtij intelektuali erudit, profesori e akademiku të nderuar si vlerë në kulturën tonë kombëtare. Një vlerësim të lartë Prof. Qosja ka për trevën e Labërisë dhe polifoninë tonë, këtë perlë në gjerdanin e artë të kulturës tonë. Për Labërinë profesori ka vlerësimet më të larta të cilat i shpreh në takime e konferenca kombëtare të organizuara në: Prishtinë, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër e kudo ku shoqata “Labëria” promovon vlerat e trashëgimisë të kësaj treve të lavdishme të historisë të kombit tonë. Për personalitetin, vlerat intelektuale, integritetin e lartë dhe vendin e rëndësishëm që Prof. Rexhep Qosja zë në kulturën tonë kombëtare, si dhe dashurinë që ka për Labërinë, shoqata e ka nderuar me titullin e lartë “Nderi i Labërisë“. Këto po mendoja këto ditë kur kujtoj me nostalgji 50 vjetorin e krijimit të Teatrit Dramatik të Gjirokastrës në nëntorin e largët në vitin 1968 dhe rrugën e suksesshme gjysmë shekullore që kjo trupë artistike ka bërë në këto vite e dekada në gjallërimin e jetës artistike në qytetin e gurtë. Me siguri drejtoria e teatrit gjithë aktorët dhe Bashkia e qytetit do të organizojnë në nëntor një festë të bukur për të vlerësuar gjithë punën që ka bërë ky kolektiv për të cilët shprehim respekt, konsideratë, dashuri dhe mirënjohje. 
Rexhep Qosja ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Kelmendit, të Malit të Zi, është akademik shqiptar. Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën e Gjuhës-letërsisë të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981. Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera. Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, Gjilani i ka akorduar Çmimin letrar- Beqir Musliu, më 22 qershor 2012 ia dorëzoi akademikut Rexhep Qosja etj. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”. Qosja është anëtarë i rregullt i ASHA të Kosovës.
Sigal